Salihu: Shpronësimet e “Qarkores së Vjetër” në Gjilan, pas 25 vjetësh më në fund po marrin zgjidhje

Salihu: Shpronësimet e “Qarkores së Vjetër” në Gjilan, pas 25 vjetësh më në fund po marrin zgjidhje

Kanë kaluar mbi dy dekada e gjysmë që kur kishte nisur realizmi i qarkores së qytetit në Gjilan dhe pronat e qytetarëve asnjëherë nuk janë shpronësuar.

Tashmë kjo punë po merr zgjidhjen për të cilën për 25 vjet nuk ishte interesuar thuajse askush.

Vendimi për shpronësimin e tokave të qarkores tashmë është miratuar nga Qeveria e Kosovës.

Bekim Salihu, drejtori për Kadastër, Gjeodezi dhe Pronë në Komunën e Gjilanit, tha se është shumë i lumtur që të ndaj një lajm shumë të mirë dhe të rëndësishëm për qytetarët e Gjilanit.

Ai tregoi se është fjala për elaboratin e hartuar nga Drejtoria për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë, më datën 21.03.2025, në mbledhjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës, me numër 15/2023, është miratuar vendimi për shqyrtimin e mëtejshëm të shpronësimit të parcelave që preken nga projekti “Qarkorja e Vjetër”.

“Ky projekt, që tash e 25 vjet ka shkaktuar shumë dëme materiale për qytetarët dhe Komunën e Gjilanit, më në fund po merr zgjidhje”, tha Salihu.

Më tej drejtori për Kadastër, Gjeodezi dhe Pronë, thekson se kjo është dashuria për Gjilanin, me projekte ku e mira e përgjithshme është primare.

“Përveç që kemi paguar obligime mbi 10 milionë euro për projekte pa projekt, tashmë po zgjidhet edhe një problem që për 25 vite askush nuk është marrë me të, për të cilin do të krijohen kushte për implementimin e projektit të “Qarkores së Vjetër”, me trotuar për këmbësorët, ndriçim dhe shteg për biçikleta”, tha Bekim Salihu.

Ai më tej shton, se idealin e kanë bërë ide, idenë e kanë bërë program, dëshirën e kanë bërë vullnet, dhe vullnetin e kanë bërë punë.