Shoqni qe urrenë emancipimin dhe individualizmin!

 

Shoqni qe urrenë emancipimin dhe individualizmin!

Halil Matoshi

(Nji essay me fokus ndajshtimin e fjalëve hibrid dhe gërrnaç vdirjes ose zvetnimit të mendjes.)

1. Gërrnaçi vs Hibridi

Njeriun e Pallankës të Radomir Konstantinović-it (pallankagjinë që as nuk i do, e ashiqare nuk u përshtatet vlerave qytetse, por as nuk do me u kthy n’katund, (nga “Filozofia e Pallankës”,) dhe bythëlpimsin e Meša Selimivić-it i zavenson gërrnaçi, që t’kapë me hez përkamshë me t’mbajtë n’lloq (te pluhuni) e mos me t’lânë me u ngritun; njeriu smirëzi kundër emancipimit shoqnor dhe progresit historik, në emën t’progresit dhe çlirimit!?
Padyshim që në mendësinë kosovare vetëm fjala ‘hibrid’ (përzimje) politikisht presupozon luftën hibride si model i shumësisë së veprimeve luftarake të nji anmiku real a të fabrikuet, të jashtëm a të brendshëm, ka me i konkurrue fjalës gërrnaq.
Aksidentalisht e përdori Valon Syla, për nji pjesë të mërgatës, sepse gërrnaqi âsht këtu, mes nesh!
Gërrnaqi âsht nji injorant i përdorshëm për flliqësina; njeri i musht urrejtje ndaj intelektualizmit dhe individualizmit, “ende-jo-njeri”-u nietzsche-an që prihet p’ej inati, nji ziliçar i pamarrshëm e i paaftë për me përkue n’shoqni politike.

2. Kalbëzimi mendor…

Fjala e vitit 2024 nga Oxford është shpallë “brain rot”, që kapërthen kalbjen intelektuale të trunit, shkaktue nga mbidoza e informacioneve fake dhe përmbajtjeve të thjeshtueme, kësisoji t’pavlera.
Derisa me 2023 fjala e vitit ishte ‘Rizz’ treshkronjëshi i termit ‘karizma’ si emën bisedor, i përdorun kur përshkruen zotnimin e karizmës. Si folje, rizz mund të përdoret për me përshkru përdorimin e karizmës për me tërheqë dikë, si për me “rritë’ nji person.
Frika nga vdirja (smuja) dhe zvetnimi i qytetnimit nga patologjia shoqnore (Nietzsche: vdirja/kalbëzimi i shoqnisë njerëzore.)
Gjatë sëmundjës dhe vdirjës nietzscheane, “kafsha e sëmurë” janë normat etike dhe estetike të braktisuna nga krijuesut e tyne dhe nga çdo raport i shprehjës së fuqisë ikonike të pushtetit (ideologjik, ekonomik si dhe fetar) dhe rendit të sendeve.
Frika nga pandemia Covid19, (kur mori hez populizmi) në Perëndim ishte po ajo frika parake nga “rrethimi” i qytetit/qyteteve nga një ushtri e huaj dhe mundësia e dekës p’ej úje. Kjo frikë ngriti populizmin njisoj në shtete me demokraci të zhvillueme (Hungaria) si dhe të brishta si Kosova, veç se në këtë të dytën ndodhi një kombinatorikë e fashizmit pa thoj dhe autoritarizmit pa ekonomi, që trajektoren e progresit linear e sheh me turmat si mbështetje, por në thelb duke i përbuzë ato.

3. Slop

Mes fjalësh të përzgjedhuna nga Oxford University Press, Slop përkufizohet si “art, shkrim ose përmbajtje e krijueme tue përdor inteligjencën artificiale, IA, nda e shpërnda në internet, në nji mënyrë pa dallim ose ndërhymje dhe e karakterizueme si me cilësi të ulët, joautentike ose të pasaktë”.
Literalisht munet me u përkthy ‘pjerrsi’ ose ‘rrshitshëm!’
Dmth shfaqet figura e dikujt me zânin e dikujt tjetër në cilendo gjuhë dhe kontekst.
Mundet me kânë figurë antike e që flet me ‘psikosomatikën e frymës së kohës”, (Sloterdike) por munet dikush p’ej nesh tue folë ose knue me kryeterristin Radojčić ose me boss-in e tina në Beograd, Vučić!?
Termi filimisht përdorej për letërsinë sentimentale dhe më vonë në përgjithësi për marrëzitë ose plehnat, si ‘bullshit’.
Në vitin 2024, OUP pa nji rritje prej 332% në përdorimin e ‘slop’ për t’iu referu në mënyrë specifike materialit të prodhuem tue përdor nji model të madh gjuhësor (LLM), i cili shpesh shihet si i cilësisë së ulët ose i pasaktë.
Ka gjasa që kjo munet me qenë fjala e vitit 2025

4. Shalom/Peace!

Fjala ishte në fillim.
Ajo ka me u rikthy!
Paqe! Peace! Mir!
Ma shumë fat më 2025.
Zânat orëbardha i paçim në krahë!
Gërrnaçat kanë me u ftigë tutet’ kur t’shpërndahet turma.