Takim për çështjet e zbatimit të Strategjisë Kombëtare Kundër Trafikimit me Njerëz në Kosovë

Prokuroria Themelore në Gjilan, në kuadër të Strategjisë Kombëtare kundër trafikimit me njerëz në Kosovë 2022-2026, gjatë ditës së sotme ka mbajtur takim me akterët të cilët merren me rastet kundër trafikimit me njerëz dhe veprat penale kundër integritetit seksual.

Në këtë takim të organizuar nga Prokuroria Themelore në Gjilan, pjesëmarrësit u pritën nga Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Gjilan z. Arben Kadriu, prokurorja koordinatore për veprat penale kundër trafikimit me njerëz znj. Leonora Kadriu dhe prokurorja koordinatore për veprat penale kundër integritetit seksual znj. Rabije Jakupi.

Pjesëmarrës gjatë këtij takimi kanë qenë përfaqësues nga Policia e Kosovës, Zyra për Mbrojtje dhe Ndihmë Viktimave, Qendra për Punë Sociale, Qendra e Shëndetit Mendor, Drejtoria e Arsimit, Shërbimi Sprovues i Kosovës, OJQ ‘’Akti’’.

Gjatë takimit janë diskutuar çështjet e zbatimit të Strategjisë Kombëtare Kundër Trafikimit me Njerëz në Kosovë 2022-2026, bashkëpunimi dhe koordinimi në mes këtyre institucioneve, në ndërmarrjen e veprimeve dhe masave konkrete, me qëllim të identifikimit të sfidave dhe përmirësimit të gjendjes në parandalimin dhe luftimin efikas të trafikimit me njerëz dhe veprat penale kundër integritetit seksual.

Në fund të takimit të pranishmit vlerësuan bashkëpunimin e deritanishëm dhe u dakorduan që të realizojnë takime të rregullta koordinuese.