Trump: Bisedimet me Putin ishin frytdhënëse, lufta në Ukrainë mund të përfundojë

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka thënë të premten se ka “shumë gjasa” që lufta mes Rusisë dhe Ukrainës të marrë fund pas bisedimeve “frytdhënëse” mes zyrtarëve amerikanë dhe presidentit rus, Vladimir Putin, të enjten.

“Ne zhvilluam bisedime shumë të mira dhe frytdhënëse dje me presidentin e Rusisë, Vladimir Puti, dhe ka shumë mundësi që kjo luftë e tmerrshme dhe e përgjakshme të marrë fund përfundimisht”, tha Trump në një postim në Truth Social, duke shtuar se ai i ka kërkuar Putinit ta kursejë jetën e trupave ukrainase që janë “plotësisht të rrethuara”.

I dërguari amerikan, Steve Witkoff, mbajti takim të gjatë me Putinin në Moskë të enjten në mbrëmje.

Në postimin e tij, Trump nuk tregoi nëse ka biseduar vetë me Putinin.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, u tha gazetarëve në Moskë të premten se Putin ia ka dërguar Trumpit një mesazh për propozimin e tij për armëpushim në Ukrainë, pas takimit në Moskë me të dërguarin e posaçëm Witkoff.

“Kur zoti Witkoff t’ia dërgojë të gjitha informacionet presidentit Trump, ne do të përcaktojmë kohën e bisedës [mes Trumpit dhe Putinit]. Ka arsye për të qenë optimistë të kujdesshëm”, tha Peskov.

Putin tha të enjten se Rusia pajtohet me propozimin e Shteteve të Bashkuara për armëpushim në Ukrainë, por shtoi se ka hollësi të cilat duhet të zgjidhen fillimisht, si për shembull furnizimi i Kievit me armë perëndimore.

Lideri rus tha gjithashtu se çfarëdo marrëveshje që bëhet duhet të çojë drejt një paqeje afatgjate, që adreson shkaktarët kryesorë të luftës, me gjasë duke iu referuar zgjerimit të NATO-s.

Kremlini tha se ka arsye për “optimizëm të kujdesshëm” për propozimin e presidentit amerikan Donald Trump, por Ukraina ka vënë në pikëpyetje sinqeritetin e Moskës lidhur me përfundimin e luftës, që tashmë ka hyrë në vitin e katërt.

Në një video të publikuar në orët e vona të 13 marsit, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, vuri në pikëpyetje motivet e Putinit, duke thënë se udhëheqësi rus ishte i gatshëm të refuzonte propozimin, por kishte frikë që këtë t’ia thoshte Trumpit.

“Prandaj, në Moskë idesë së armëpushimit po i imponohen këto kushte, që të mos ndodhë asgjë ose të mos ndodhë asgjë për një kohë sa më të gjatë”, tha Zelensky.