Vihet gurthemeli i çerdhes në lagjen “Livadhet e Arapit” në Gjilan

Vihet gurthemeli i çerdhes në lagjen “Livadhet e Arapit” në Gjilan

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, bashkë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, ministren e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavcin dhe deputetë e zyrtarë të tjerë nga institucionet qendrore e lokale kanë vënë gurthemelin e çerdhes së re në lagjen “Livadhet e Arapit” në Gjilan.

Kryetari Alban Hyseni, tha se ky investim i rëndësishëm, me vlerë prej 855 mijë eurosh, do të ofrojë një hapësirë moderne prej 900 metra katrorë, e cila do t’i shërbejë 80 fëmijëve, duke garantuar kushte të përshtatshme dhe të sigurta për zhvillimin e tyre.

Kryeministri Albin Kurti, tha se janë këtu për të vënë gurthemelin e çerdhes së 6 në këtë mandat të qeverisë në Komunën e Gjilanit.

“Kur e kemi marrë pushtetin ekzekutiv, kemi ardhur në qeverisje të këtij vendi të cilin e kemi realizuar pas fitores së madhe të shkurtit të vitit 2021 nuk e kemi gjetur asnjë çerdhe në Gjilan të financuar nga MASHTI. Gjithashtu, kur ka ardhur në pushtet ekzekutiv në Gjilan, Alban Hyseni, kur ka fillu qeverisja e mirë në komunën e Gjilanit, pas zgjedhjeve të vjeshtës së vitit 2021, këtu nuk ka pasur kujdes për fëmijët as në kuptimin institucional dhe as në kuptimin social.”, tha Albin Kurti.

Kryeministri, shtoi se është ditë e lumtur për qytetarët e Gjilanit vënia e gurëthemelit të çerdhes së 6 në Gjilan.

Ai tregoi se projekti ka kushtuar mbi 855 mijë euro, do të ketë afër 900 metra, do të jetë për 80 fëmijë dhe punimet janë paraparë të përmbyllen për 12 muaj.

“Lajm i mirë për fëmijët, prindërit dhe Komunën e Gjilanit”, tha kryeministri Kurti.