Zadrima në mesjetë

Zadrima në mesjetë.
Nga Pjetër Gjoni.
Në vitin 395 u bë ndarja e Perandorisë Romake më dysh: në të Perëndimit dhe të Lindjes. Pra u vendos e ashtuquajtura Vijë e Fodosit, që do të qëndrojë de fakto edhe në ditët tona në tërë zhvillimet ekonomike, shoqërore dhe pse jo edhe në konfliktet ushtarake. Iliria u përfshi në Perandorinë Bizantine me qendër Kostandinopojën dhe qëndroi nën të afro dhjetë shekuj. Pikërisht me Bizantin nis Mesjeta shqiptare dhe vazhdon deri më 1506 me pushtimin e plotë të Shqipërisë nga osmanët. Një nga të katër provincat në të cilat u nda Iliriku, ishte Prevali. Në këtë provincë me qendër në Shkodër, bënte pjesë Zadrima e asaj kohe. këtë periudhë u ndërtua një rrjet rrugor i rëndësishëm që vinte nga brigjet lindore të Adriatikut dhe vazhdonte në thellësi të Gadishullit Ballkanik, duke lidhur qytetet kryesore dhe zona me interes për kohën. Si kolonë kryesore që i lidhte ato ishte Via Egnatia. Degëzimet e saj ndiqnin luginat e lumenjve. Rruga nga Lezha në Blinisht, Sapë, Naraç, Danje, ka qenë një rrugë mjaft e vjetër, ndërtuar në fillim të erës sonë. Më vonë kjo rrugë do të riparohej dhe posa kalonte Blinishtin merrte drejtimin përmes fushës deri sa degëzohej për në Danje, vijonte më tej në Shkodër dhe më tutje deri në Zeta (Diakle), prandaj quhej Via Zeta. Meqenëse Perandoria Bizantine u dha leje sllavëve të vendosen në Ballkan, ata e sulmuan Ilirikun midis viteve 610-626 deri sa e shkatërruan plotësisht. Më shumë sllavë u vendosën në Ilirinë e Veriut, popullsia e së cilës nuk i bëri ballë asimilimit. Prevali humbi si emër dhe provinca u quajt Diakle dhe Zeta. Harta ekonomike ndryshoi shumë dhe shoqëria bëri një hap përpara. Në këtë kohë u zhdukën emrat e fiseve dhe formohen krahina jo vetëm me emra, por edhe me rite, zakone e norma të marra pothuajse nga tërë bashkimi i qendrave të banuara. U krijua një unitet mbi bazën e gjuhës, të territorit dhe të kulturës, por gjithnjë duke u mbështetur mbi një jetë të brendëshme ekonomike krahinore, duke u bazuar edhe në tregun dhe marrëdhëniet martesore, të cilat janë ruajtur deri vonë. Nga historia e Shqipërisë mësojmë se për periudhën historike nga shekulli VI-IX nuk gjenden dokumente dhe ilirët nuk përmenden më. Biles pati historianë e studiues të ndryshëm që i quajtën si të zhdukur ose të romanizuar, se në dokumentet bizantine popullsinë vendase e quajnë arbër dhe vendin Arbëri, por vazhdimësia Iliro-Arbëre-Shqiptare vërtetohet katërcipërisht nga të dhëna arkeologjike, gjuhësore dhe etnografike. Nëse në lashtësi ishte Gajtani nga kjo krahinë që rreshtohej nga vendet e rralla në Iliri që tregonte lashtësinë e banimit dhe në histori si “Kultura e Gajtanit”, tani duket se këtë detyrë po e kryen Kamani dhe ky hyri në histori si “Kultura e Kamanit”, duke dhënë kontribute të vlefshme në shkallë kombëtare dhe më tej.
Zbulimet arkeologjike tregojnë për pasurinë e një kulture unitare, e cila do të emërtohet si kultura arbërore e këtij qyteti të Mesjetës së hershme. Kjo kulturë u zhvillua në Arbërinë Veriore dhe të Mesme në shekujt VI-VIII. Është vërtetuar katërcipërisht se arbërit janë bartësit e kësaj kulture. Po cilët janë tiparet themelore të kësaj kulture?
Arkitektura e varreve, inventari i tyre dhe riti i varrimit. Këto zbulime na kanë dhënë një varg objektesh si: vegla pune, armë, stoli, enë prej balte etj. Stolitë janë me interes të veçantë, se lidhen mirëfilli me veshjen e sotme të gruas zadrimore, po ta zhveshim nga disa stilizime të thjeshta. Këto mjete zbukurimi janë prej bronxi, por edhe prej argjendi dhe të rrallat prej ari. Kjo tregon polarizimin ekonomik në Mesjetën e hershme edhe në trevat tona. Shumë na tërheqin vëthët, rrathët e qafës dhe gjerdanët. Motivet gjeometrike me të cilat janë zbukuruar stolitë arbërore vijnë nga fondi i kulturës ilire. Duhet të pranojmë se në të ka edhe elemente nga kultura e Romës dhe ajo bizantine, por e përpunuar nga ana e mjeshtërve vendas dhe e përshtatur me traditën arbërore. Në gjithë jetën ekonomike, në ndërtim dhe në përpunimin e bimëve, në veshje dhe në rite të jetës private të banorëve gërshetohen tradita e trashëguar vendase e influencuar nga ajo romake, bizantine dhe sllave në të gjithë jetën ekonomike të banorëve, në ndërtim e përpunimin e frutave dhe të perimeve, në veshje dhe rite të jetës private… Nga veshjet e antikitetit i arritën kulturës sonë të Mesjetës së hershme elemente me traditë mijëvjeçare. Zadrima ka një kontribut të veçantë në plan kombëtar në ritet e dasmës, të gëzimeve të ndryshme, duke pasqyruar lidhjet iliro-shqiptare nëpërmjet traditave të ruajtura në shekuj. Në dasmat në Zadrimë këndojnë të gjithë, ka valle masive, shkojnë të gjithë dasmorët meshkuj për të marrë nuse. Dasmorët lodrojnë mbi kuaj, lajmëtarët sjellin sihariqin në shtëpi të dhëndrit se po vjen nusja dhe gjithë gratë të shtëpisë dhe bijat e ardhura për dasëm dalin për të pritur nusen dhe e shoqërojnë atë me këngë në të gjithë fshatin, duke u kënduar këngë falenderimi atyre që qerasin krushqit me petulla, raki, mjaltë, djath, ullinj etj. A nuk përkojnë këto me dasmat e kreshnikëve si, p.sh. ajo e Zukut Bajraktar, i cili ka vetëm emrin të periudhës së myslimanizmit e të bajraqeve. Vallja e ngadaltë si dallga e detit e shoqëruar me fyej, zumare dhe bilbila është nga më të vjetrat në Ballkan. Ja dhe një kontribut tjetër që jep Zadrima në zhvillimin dhe emancipimin e shoqërisë së kohës, por edhe në ruajtjen e traditave. Ritet e dasmës në këtë zonë na shpien thellë në lashtësi, kur nusja grabitej nga burri jo si plaçkë lufte, po si e zgjedhur e tij. Në këtë krahinë këndohet kënga humoristike që shoqëron vallen po humoristike masive, e cila është e pakët në Ballkan dhe në shkallë kontinenti.
Mijëvjeçari i dytë është i pasur me dokumente edhe për këtë krahinë. Diaklea filloi të zgjeronte territoret e saj edhe në Shqipërinë Veriore. Qendër kishte Shkodrën dhe kufiri i saj jugor ishte lumi Drin. Edhe rreziku norman u hap për Arbërinë. Pas shumë luftërash Buemudi u detyrua të largohej nga Shqipëria dhe përsëri kufiri u vu në Drin. Krahinat në veri të tij mbetën nën shtetin serb të Zetës, kurse ato poshtë mbetën nën Bizantin. Shohim se shtete të fuqishme në periudha të caktuara kufizohen në Drin, duke e ndarë krahinën më dysh. Por zakonet e traditat, veshja e ritet e ndryshme ruhen me fanatizëm, duke mos pranuar kurrë asimilimin. Gjatë zhvillimit të marrëdhënieve feudale (shek. IX-XI) u shfaqën qendra të reja qytetare. Ndër ata qytete që përmenden në historinë e Shqipërisë është edhe Sarda. Në lashtësi kjo ishte themeluar si qendër banimi nga fisi i Sadeatëve, mendojmë se që në lashtësi ajo kishte qenë qytet, por ishte zhuar dhe zhvilluar përsëri si qendër qytetare si shumë qendra të tjera në këtë trevë. Principata e Arbërit ishte shteti i parë shqiptar. Epiqendra e kësaj principate qe familja feudale e Blinishtëve, domena kryesore e së cilës ishte fshati Blinisht i Zadrimës, emrin e të cilit e bartnin si mbiemër. Anzhuinët e arrestuan Vladi Binishtin dhe e dërguan në Brindizi për lidhjet e tij me serbët. Pasi ai u pajtua me Anzhuinët, këta i siguruan pronat, i dhanë një titull nderi që i siguronte më shumë privilegje se feudalëve të tjerë vendas. Më vonë, nipit të Vladit, Guljelm Blinishtit, i japin postin e marshallit të Arbërit. Kështu në shekullin XIV tradita shtetërore shqiptare u ngrit në një shkallë më të lartë. Pas vitit 1336 S. Dushani pothuajse pushtoi tërë Ballkanin. Ai shpronësoi pronarët shqiptarë dhe i largoi nga vendi, kurse pronat ua kaloi serbëve. Afërsisht në këtë kohë humbet familja feudale e Blinishtëve, se pas vitit 1319 nuk takohet më në dokumentet historike. Danja, Sapa, Blinishti, Shirgji etj., bëhen sheshe politike dhe ushtarake si dhe vende ku gërshetohen interesat e të fortëve të këtyre trevave. Kundër veprimtarisë së S. Dushanit u ngrit popullsia vendase e Diaklesë. Ajo ngriti krye për të mbrojtur pronat e trojet. Kryengritja drejtohej nga bujari zadrimor Dhimitër Suma. Bujarët shqiptarë dhe të huaj shfaqnin gjithnjë interes për këtë krahinë. Kështu Helena e Rashës (bijë e kontit Balduin të Flandrës, Francë dhe mbretëreshë e Serbisë) në gjysmën e dytë të shekullit XIII riparoi rrugën Lezhë-Shkodër, duke u kujdesur që t’u vinte objekteve të rëndësishme emra serb, si Ura e Shkinës, ndërtoi kishat e Balldrenit, të Kakarriqit dhe të Blinishtit. Ajo drejtoi një panair të madh në Shirgj, të cilin e frekuentuan tregtarë të ardhur nga të dy anët e Adriatikut. Më 1443 Nikolla Dukagjini çliroi së pari qytetin e Danjes për arsye të qarkullimit dhe të interesave doganore. Mesjeta e vonë është periudhë zhvillimi të suksesshëm për Zadrimën, por ajo ndodhet gjithnjë përballë rrezikut të pushtimit nga venedikasit, serbo-malazezët dhe feudalët shqiptarë. Republika e Shën Markut tregonte gjithnjë interes për këtë krahinë dhe qytetet e saj, se nëpër të kalonin mallra dhe gëlonte tregu i produkteve jo vetëm të saj, por i gjithë Veriut të Shqipërisë. Republika e Venedikut ngjante si gjarpër, herë ndihmonte dhe bashkëpunonte me shqiptarët, herë u fuste thikë pas shpine. Shohim se interesat e saj dalin herë hapur, herë fshehur. Ata janë të interesuar shumë për qytetet Shkodër, Lezhë, Danje, Sapë, Shirgj etj. Kjo republikë kërkon të lidhë miqësi me princër që zotërojnë këta qytete. Nga një dokument i muajit gusht 1399, mësojmë se Senati i Venedikut kishte aprovuar vendimin për të lidhur miqësi sa më të ngushtë me bujarin shqiptar nga Danja, Dhimitër Jonima. Bozhiqi bën përpjekje që këtë bujar ta bëjë malazez, duke cituar se ishte nga familja e Cernojeviqëve, por vetë akti burimor tregon se Dh. Jonima ishte bujar shqiptar nga Danja. Veprimtaria e Republikës do të gërshetohej me atë të rektorit të vet në Shkodër, që të lidhej me prijës e bujarë shqiptarë të zonës së Zadrimës, natyrisht krahas dhe disa zonave të tjera me interes. Kështu Republika miratoi veprimet e rektorit, i cili i premtoi Koje Zaharisë (prijës i Danjes) përkrahje dhe lidhi marrëveshje me Dhimitër Jonim Shqiptarin, siç shprehet dokumenti i kohës. Më vonë mësojmë se në këto treva sundonin Dukagjinët. Më 1417 rektori i Shkodrës hyri në marrëveshje me Gjergj Dukagjinin, i cili si zot i Sapës dhe i Danjes i dha Sinjorisë si prona fshatin Balldrini me 11 shtëpi dhe Kakarriqin me 15 shtëpi.
Në veprën e M. Shuflait mësojmë se Republika e Shën Markut ishte shumë e interesuar si gjithnjë për Danjen buzë Drinit dhe Shazin buzë Bunës. Asaj i kishte premtuar Gjergji II Balsha, por sundimtari i tyre ishte Koje Zaharia, i cili nuk pranonte t’i jepte kundrejt çfarëdo çmimi. Edhe në periudhën e Skënderbeut, Zadrima ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm. Pranë e pranë ishin dy principata të vogla, por me shumë interesa: njëri si pikë doganore e qarkullimit të dendur urban, ndërsa tjetra si vend i begatë për jetesë. Po ta vështrojmë që në lashtësi nëpërmjet gojëdhënave, Zadrima ka pasë gra e vajza të bukura, duke nisur nga Ashta e Zhavorrinës e deri te Irena që u përdor si pretekst në mes të Dukagjinëve dhe Zahariajve. Irena e bukur ishte bijë e prijësit të Zadrimës Lekë Dushmani, i cili nuk kishte fëmijë tjetër përveç Irenës, kështu që trashëgimia do t’i mbetej asaj dhe atij që do të martohej me të. Këto të dyja ishin principatat më të lakmueshme, jo vetëm për Dukagjinët e Skënderbeun, por kryesisht për venedikasit, të cilët duke përdorur në pamjen e jashtme bukurinë e Irenës e ndërsyen dukagjinët kundër pinjollit të vetëm të Danjes, Lekë Zaharisë, megjithëse vetë Irena, familja e saj dhe kleri vendas kërkonin që ajo të martohej me L. Zaharinë. Por Zadrima ishte principatë e begatë dhe Irena ishte e bukur, e zgjuar dhe i kishte hije derës së madhe të Dukagjinëve të kishin një nuse të tillë si ajo. Lekë Zaharia, Irena dhe të dy familjet që u bënë krushq qëndruan në të tyren për ta martuar Irenën me Lekë Zaharinë. Por a mposhtej krenaria e kthyer në mendjemadhësi e Nikollë Dukagjinit! A ndalej intriga e ndërtuar nga venecianët për të dobësuar Skënderbeun dhe për të pasë influencën e tyre në këto zona?! Kështu prijësit të Danjes iu ngrit prita, kur po kthehej nga kulla e Zadrimës, ku kishte nënshkruar kontratën e martesës me Irenën, u vra kur po kalonte pyllin e Kovinenit afër Drinit. Kjo vrasje ngjalli indinjatë te tërë popullsia shqiptare dhe te të gjithë prijësit e tyre, veçanërisht te Skënderbeu. Pas vrasjes së Lekë Zaharisë u kuptua fare qartë se kush ishin organizatorët e vrasjes dhe qëllimi e roli i Republikës së Venedikut. Në mes Venedikut dhe Skënderbeut pati një duel të gjatë se kush ta merrte Danjen dhe në fund pas shumë hilesh zotëruese e saj u bë Republika e Shën Markut. Zadrima në këtë kohë luante një rol shumë të madh në jetën politike dhe ekonomike të qyteteve Shkodër dhe Lezhë si dhe për tërë principatat e Lidhjes së asaj kohe. Ajo ishte furnizuesja kryesore e tregjeve të këtyre qyteteve me drithëra, perime, mish, ullinj, prodhime bulmeti etj. Duke pasur një veprimtari të gjerë antiturke të klerit të Dioqezës së Sapës dhe mbështetjen e Vatikanit për veprimtaritë politike patriotike pothuajse u bë epiqendra e princave të Lidhjes dhe e vetë Skënderbeut. Shumë nga takimet me princër shqiptarë i bënte në kullën e Zadrimës, shumë nga ditët e pushimit heroi i kalonte në kullën e Zadrimës. Pas vdekjes së Skënderbeut, si mbarë principatat shqiptare, u pushtua nga turqit. Qëndresa e kësaj krahine kundër pushtimit qe stoike dhe i kushtoi shumë humbje në njerëz, sa popullsia e saj u përgjysmua. Edhe ata që shpëtuan u detyruan të largohen në male për t’i shpëtuar ndëshkimit fizik. Kleri katolik, forca perëndimore antiturke dhe patriotët shqiptarë organizuan një lëvizje të fuqishme antiturke.