Klubet më të vjetra të futbollit në rajon, ku janë tani?

Përkundër raporteve se futbolli në Ballkan erdhi pak më herët, organizimi në klube filloi në fillim të shekullit XX. Por, a e dini se cilat janë klubet më të vjetra në shtetet e rajonit?
Klubet më të vjetra të futbollit në rajon, ku janë tani? / Foto: AA
Futbolli mbetet një prej sporteve më të rëndësishme dhe më të ndjekura në Ballkan. Por, a e dini se cilat janë klubet më të vjetra në shtetet e rajonit?

Disa prej klubeve të para më të vjetra në Ballkan mbeten ndër më të rëndësishmet në kampionatet e tyre vendore, ndërsa disa të tjera po luftojnë për të mbijetuar dhe për ta ruajtur vazhdimësinë mbi 100-vjeçare.

Vllaznia e Shkodrës, klubi i parë në Shqipëri me 9 kurora kampioni

Klubi Vllaznia u themelua në Shkodër në vitin 1919, si vazhdimësi e skuadrës joformale Indipendenca Shkodër, e cila luajti disa ndeshje futbolli në vitet paraprake. Klubi më i vjetër i futbollit në Shqipëri ka qenë një prej klubeve më të rëndësishme ndër vite, duke u shpallur 9 herë Kampion i Shqipërisë. Ka fituar gjithashtu 8 herë Kupën dhe dy herë Superkupën vendase.

KF Prishtina, vazhdimësi e klubit të parë në Kosovë me emrin “Kosova”

Në vitin 1922 në Prishtinë u themelua klubi i parë “blu” me emrin Kosova. Klubi ka ndryshuar emrin disa herë, deri në ribrendimin si KF Prishtina, siç njihet edhe sot. Prishtina vazhdon të jetë një ndër klubet më të rëndësishme në Kosovë, me 11 kampionate dhe 8 kupa vendore të fituara, ndërsa regjistron edhe 11 superkupa.

Klubi i Parë i Maqedonisë së Veriut, Luboteni i Tetovës, në garë mbijetese

I themeluar më 28 mars 1919 nga disa gjimnazistë tetovarë, Luboteni njihet si klubi më i vjetër i futbollit në Maqedoninë e Veriut. Përkundër vështirësive, klubi arriti të mbijetojë edhe në kohën moderne dhe ta ruajë vazhdimësinë, ndonëse pa ndonjë sukses të veçantë. Aktualisht garon në Ligën e Tretë – Perëndim të Maqedonisë së Veriut.

Zrinjski i Mostarit vazhdon të jetë në majat e futbollit boshnjak

Në vitin 1905, studentët kroatë themeluan klubin Zrinjski në Mostar të Bosnjë e Hercegovinës. Klubi, i rithemeluar në vitin 1993 por që pretendon vazhdimësinë dhe historinë e klubit të parë në BeH, ka fituar 8 herë kampionatin boshnjak dhe tri herë Kupën Kombëtare në 20 vitet e fundit. Në vitin 2003-2004, për Zrinjskin luante Lluka Modriq, një nga emrat më të njohur nga Ballkani dhe fitues i Topit të Artë në 2018-tën.

Klubi i parë në Serbi, Soko, “jashtë harte” në kohën moderne

Klubi i parë në Serbi u themelua në vitin 1903 me emrin Soko. Megjithëse më i vjetri, ky klub nuk u gjend asnjëherë në hartën e klubeve të rëndësishme në Serbi. Aktualisht garon nën emrin BASK në ligat e ulëta zonale të Serbisë.

Lovçeni, betejë mes ligave të ulëta në Malin e Zi

KF Lovçeni nga Cetinje është klubi më i vjetër i Malit të Zi. Aktualisht garon në Ligën e Dytë të vendit, për stinorin e dytë me radhë, pas 3 vjet në Ligën e Tretë. Lovçeni nuk ka fituar asnjëherë kampionatin malazez, por ka fituar një herë kompeticionin e Kupës.