Rafaël Newman
NJË HERË E MIRË DHE SOLFERINO
Kërcënuar mu në ijë, një perandori kullon lëng mërzie
mbi shtetin sovran hipotetik
mes kufijve të tij dhe një mysafiri humorkeq atje tutje,
që nuk vringëllin armët për t’u përgjigjur.
Përleshjes pastaj i bashkohet lidhja me traktat e kombeve
dhe e perandorëve (kush po e kush jo i vetëkurorëzuar).
Kështu pra bota i afrohet një lufte
që do t’i shkatërrojë të dyja perandoritë e mos më shumë.
Tashti mos po mendoni se e kam fjalën për planin aktual
kur Rusia është kundër NATO-s në Ukrainë,
e sapoçliruar nga mbeturinat e prangave morale,
mund të shpërthejë mbi ne katastrofën e saj përfundimtare?
Gabova. Atëherë po sjell në kujtesë një kohë,
Shumë të hershme, e cila rimon për dreq, me tonën.
Është 1859 dhe Lombardia
që Habsburgëve së voni i qe betuar besnike,
e etur Risorxhimenalisht të bëhej
italiane dhe autonome, aleate
vetë me Piemontin dhe Kavurin – il Conte
dhe me Napoleonin e Tretë (më pak vetbesues
sesa i Pari, edhe pse xhaxha dhe nip i tij,
askujt përveç vetes s’do t’ia jepnin fjalën).
Këta burra të mëdhenj i flakën dorashkat e çelikta
Tek këmbët e Franc Jozefit, në balancat e të cilit,
Humbja e e Lombardisë do të kompensohej keqas
Me prona n’Galici ose në Budapest.
E kush qenka kështu i detyruar të lërë oborrin e tij
Për Solferinon, ku sporti mbretëror i luftës
rri dhe e pret atë dhe regjentin e tij kundërshtar
që të provojë se cili princ ia vleka të mbijetojë.
Por kjo është pika ku paralelet ndahen
dhe neve na lënë tek ditët tona të vonshme dhe të paka.
Por edhe pse Kremlini e shkërben për fuqi
Kajzerin dhe Pentagonin, edhe nëse jo më i zgjuar
se unë… Napoleoni, ndërsa Brukseli është farsa
e tragjedisë së V.E.R.D.I.-t.
Ende përpiqen të analizojnë kusurin,
luftën e leverdisshme ku secili shef
e mbron me gjoks fitimin e tij të majmë.
Ujdia e fundit rreth këtij topi të përgjakur
te i cili çdo mysafir pret thirrjen e mbretit të vet
për të rrokur armët, një konflikt puna e të cilit ishte vendosur
në beteja me rrezik prej mbretërish udhëhequr.
Dhe ju do ta pranoni përparimin tonë teknologjik
edhe sikur të paraqitet si lavdi demagogjike.
Për ku po i nis madhëria njerëzit
me prokurë, në luftë dhe prapë jashtë saj?
E si mund të krahasohet një sallë takimi
me Solferinon, ku Franc Jozefi guxoi
të takohej kokë më kokë me Emanuelin
dhe Bonapartin, edhe pse kjo tingëllon prej së largu
si kambanë që bie në një faqe
për klanin e çiftëzuar të Kaizerëve
si dhe për bantuzianët e tij të shenjtë romanë?
E ku janë këta prijësa kreshnikë në ditët tona
që fytyra nuk u zbardhet në zulmë dhe përleshje
dhe e tundin majë një gjogu uniformën e tyre
e me një thirrje lufte ushtarëve të vet u prijnë?
Ose dhe më mirë, se trimëria në turmë
as shndrit aq fort, as jehon aq lart
sa ajo në vetvete. Pra le t’i çojmë prijësit tanë të tashëm
Në dyluftime derisa të rrënohen.
Lëreni Vladimir Putinin ta takojë
Mark Rutte-n në një afsh të fundit për vdekje.
Ky i fundit, po deshi, me von der Leyen-in
për barazpeshim dhe për bankë dhe për ankand vendor.
Kurse për të parin, atij i duhet një jaran karagjoz.
ai mund ta mashtrojë Kim Jong Un-in.
Lereni dhe Netaniahu-n t’i bëjë zë Khamenei-t
(Me Asadin që i shkon bisht përmbrapa, me zoom rele),
lereni Trump-in t’i prijë Xi-së dhe Trydosë, Maskut dhe Vansin,
një luftë tregtare e hareshme MAGA si Valle vdekjeje…
Por jepuni atyre faljen, si Montkalmi dhe Uollfi,
Që ta përjashtojnë njëri tjetrin nga raca e njerëzve
(ose Polinuku dhe Eteokli:
Plus që do të kenë prej nesh një varr për të dy ata)
dhe lërini popujt e tyre, dikur mish për top
të kënaqen me rrëmujën si duartrokitës të paprekur.
Ose thjesht ta shpërnjohin shfaqjen
dhe të zbaviten me fjalime në dialekt
në teater dhe në shkencën e mrekullive.
Por në asnji mënyrë diçka që thërret për kryq e për kler
por për mrekulli të llojit tokësor
që trupin ta kallmojnë e mendjen ta nxisin.
Evitoni çdolloj dallaverje për urrejtje ose luftë.
Ndoshta le të jetë peshku që t’i pëlqejë mishngrënësit.
Braktisini ata që kanë me vete zullumet e të fuqishëmve.
T’ju prijnë më mirë nëntë Muza të hirshme,
le t’u kursehet plani i tmerrshem me vdekjen lidhur
dduart e tyre të merren me zeje jete.
Dhe kjo është lutja ime, të dashur lexues,
na shpëto prej duarve të ktyre prijësave gjaksorë!
Në kujtim të gazetarëve dhe të punonjësve të mediave që u vranë në Gaza.
Zurich, Janar 2025.
E përktheu: Primo Shllaku
Foto: Ferdi Limani
©️ Republika