Elona Sadiku(2001) u lind 2001 në Gjilan. Ajo ka përfunduar studimet bachelor dhe aktualisht ndjek studimet master në drejtimin e solo-këndimit në Fakultetin e Arteve të Universitetit të Prishtinës. Elona është anëtare e Korit të Filharmonisë së Kosovës që nga viti 2021, ku ka performuar si soliste në koncerte korale nën drejtimin e dirigjentëve Ēriks Ešenvalds, Rafet Rudi dhe Hajrullah Syla. Ajo është gjithashtu pjesë e ansambleve vokale ReVocal Ensemble dhe Harmonius. Në vitin 2022, ajo fitoi çmimin e parë në garat ndërkombëtare të solokëndimit “Stojan Stojanov Gancev” në Zagreb, Kroaci.
Si soliste, ka interpretuar edhe me Operën e Kosovës. Veçohet performanca e saj në Sallën e Filharmonisë së Berlinit me veprën “Nëna Terezë” të kompozitorit Kreshnik Aliçkaj.
Që në moshë të hershme, ajo ka përfaqësuar Kosovën në festivale ndërkombëtare në vende si: Rumania, Gjermania, Belgjika, Senegali dhe Kazakistani.
Së fundi në 340-vjetorin e lindjes së Johann Sebastian Bach-ut, Filharmonia e Kosovës solli për herë të parë në vend veprën St Mark Passion, BWV 247 – e rekonstruuar nga Jörn Boysen.�Sopranoja Elona Sadiku u paraqit krahas tenorit danez Mathias Monrad Møller, basit holandez Wessel van der Ham dhe altos Diellza Sylejmani, derisa Orkestrës së Filharmonisë së Kosovës iu bashkëngjiten edhe instrumentistë nga Holanda dhe Hungaria, që bashkërisht e bënë këtë mbrëmje baroku një përjetim akoma më të veçantë.
Ishte ky një homazh madhështor për trashëgiminë e Bach-ut e në të cilin sopranoja Elona Sadiku pati paraqitje të shkëlqyeshme.