Një festë e komunitetit filipinas u kthye në tragjedi në Vankuver, pasi një makinë fuoristradë u përplas me një turmë njerëzish gjatë Festivalit të quajtur “Lapu Lapu”. Ngjarja ndodhi në mes të festimeve në lagjen jugore të qytetit, duke shkaktuar 9 viktima dhe shumë të plagosur.
“Deri tani, ne mund të konfirmojmë se nëntë persona kanë vdekur pasi një person kaloi me makinë nëpër një turmë në Festivalin e Lapu Lapu mbrëmjen e djeshme. Mendimet tona janë me të gjithë të prekurit nga ky incident tragjik”, thuhet në deklaratë.
Shoferi i dyshuar që përplasi makinën me turmën është i moshës 30-vjeçare dhe jeton në Vankuver. Sa i përket motivit të ngjarjes ende nuk është e qartë, por policia deklaroi se është e bindur se ky nuk është një akt terrorist.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 20:00. sipas kohës lokale, kur anëtarët e komunitetit filipinas po mblidheshin për të festuar Ditën e Lapu Lapu. Ky festival nderon një figurë udhëheqëse në luftën kundër kolonializmit në shekullin e 16-të në Filipine.