Me emrin e Allahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit!
Falënderimi dhe lavdërimi i takojnë vetëm Allahut, Krijuesit të gjithësisë, Sunduesit të Ditës së Gjykimit. Atë e falënderojmë për çdo mirësi që na ka dhuruar dhe prej Tij kërkojmë udhëzim, mëshirë dhe falje. Paqja dhe shpëtimi qofshin mbi të Dërguarin e Tij, Muhamedin (paqja qoftë mbi të), mbi familjen e tij të pastër, shokët e tij të ndershëm dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Fundit.
Të nderuar besimtarë, vëllezër dhe motra.
Sot jemi në Ditën e Arafatit, një ndër ditët më madhështore dhe më të bekuara të vitit, e cila përbën kulmin e devotshmërisë për besimtarin dhe shtyllën qendrore të ibadetit të haxhit. Në këtë ditë, miliona besimtarë të mbledhur në rrafshnaltën e Arafatit, të veshur me ihrame të bardhë, i drejtohen me përulësi, me lot në sy dhe duar të ngritura Allahut të Madhërishëm, duke kërkuar faljen, mëshirën dhe kënaqësinë e Tij.
Në këtë ditë të shenjtë, Allahu e përkthen mëshirën e Tij të pafundme për robërit e Tij, duke falur mëkate, duke pranuar lutje dhe duke dhuruar shpëtim nga zjarri i Xhehenemit. Po në këtë ditë, në vitin e dhjetë të Hixhretit, është shpallur edhe një nga ajetet e fundit të Kuranit Famëlartë, që shënon përmbylljen e shpalljes hyjnore:
“Sot jua përsosa fenë tuaj, jua plotësova dhuntinë Time ndaj jush dhe zgjodha për ju Islamin si fe.” (el-Maide: 3)
Kjo ditë e begatë i paraprin festës së Kurban Bajramit, të cilën, me vullnetin e Allahut, do ta presim nesër, ditën e parë të saj, me zemra të pastërta dhe me shpirtra të mbushur me mirënjohje.
Kurban Bajrami është simbol i besimit të thellë, i përkushtimit dhe gatishmërisë për sakrificë në rrugën e Allahut. Ai është kujtim i përjetshëm i ngjarjes madhështore të pejgamberit Ibrahim (paqja qoftë mbi të), i cili, me bindje të palëkundur, ishte i gatshëm të flijojë të birin e tij Ismailin (paqja qoftë mbi të), për të fituar kënaqësinë e Zotit. Por Allahu, nga mëshira dhe urtësia e Tij, zëvendësoi këtë flijim me një kurban.
Kjo ngjarje na mëson përkushtimin absolut ndaj Zotit, durimin në sprova dhe dashurinë për të vepruar me sinqeritet e devotshmëri.
Në këtë kontekst, Kurban Bajrami nuk është thjesht një festë rituale, por një mundësi hyjnore për të forcuar lidhjet shpirtërore, familjare dhe shoqërore. Është kohë për t’iu afruar njëri-tjetrit me zemër të hapur, për të treguar dashuri ndaj familjes dhe miqve, për të ndihmuar të varfërit, jetimët dhe të pamundurit, dhe për të kultivuar frymën e solidaritetit, mëshirës dhe ndihmës së ndërsjellë.
Prandaj, në prag të kësaj feste të madhe, ju ftoj që të shprehim mirënjohje për begatitë që kemi, të falim njëri-tjetrin, të pajtohemi me ata që jemi larguar dhe të ndajmë kurbanin tonë me zemër të pastër e synim të lartë shpirtëror.
Në fund më lejoni që në emër të Këshillit të Bashkësisë Islame në Gjilan, si dhe në emrin tim personal, ju përcjell përgëzimet më të përzemërta me rastin e festës së Kurban Bajramit.
Lutem që kjo festë t’i sjellë paqe dhe begati vendit tonë, unitet bashkësisë sonë dhe shpëtim çdo besimtari kudo që ndodhet.
Zoti e pranoftë haxhin e haxhinjve, sakrificën e kurbanit dhe ibadetet e të gjithë besimtarëve.
Urime Kurban Bajrami! Zoti ju bekoftë ju dhe familjet tuaja!
Kryeimami i KBI-së Iljaz ef Mustafa