NJË FJALË E MIRË, NJË USHTAR I DRITËS DHE VDEKJA QË TREMBET…

(ese i një të diele diellore)

Shkruan: Aziz Mustafa

1. Në fillim ishte fjala…
Krejt në fillim, në fillim të së gjitha fillesave ishte fjala, një fjalë me përmasa mbinjerëzore, mitike dhe hyjnore të cilën fjalë ia foli Ai Që Është Një profetit Mojsi/Musa, prapa njëmijë perdeve; ishte fjala “Lexo/Ikre” që i foli engjëlli Gabriel/Xhibril profetit Muhamet që po digjej nga ethet në një shpellë të humbur, në një mal të shkretë, mes shkretëtirës arabe. Ishte fjala që e lartësoi njeriun mbi të gjitha gjallesat e të vetmit vend në gjithë kozmosin që njohim.
Fjala, kjo frymë që del nga mushkëritë e njeriut, kalon mes dy telave të zërit, ton muzikor që rezonohet duke dalë nga goja e duke u bërë pjesë e kakofonisë së kësaj bote, bashkë më shkrimin janë shprehja e asaj që quhet mendim, asaj shkëndisë së energjisë që banon vetëm në trurin e secilës qenie njerëzore, qenies që ndoshta është e vetmja në gjithë këtë univers, që mbase mund të jetë i vetmi…
Por, fjala nuk është vetëm dashuri, fjala nuk është vetëm mirësi, nuk është vetëm energji e bardhë e dritës. Ajo mund të jetë edhe urdhër për vrasje të milionave, urdhër për dhunë, urrejtje, katrahura, shkatërrime e vdekje. Mund të jetë urdhër për shtypjen e një pulle të kuqe që sjellë armagedonin në këtë botë, mbase të vetme. Prandaj, njerëzit prej momentit që i njohin këto fakte, rreshtohen në njërin krah, djathtas apo majtas, kah drita apo terri, kah dashuria apo urrejtja.
Komandantë të Ushtrisë së Dritës kanë qenë, janë dhe do të jenë gjithmonë dijetarët, intelektualët, poetët. Duke filluar prej kohës së krijuesit anonim (apo krijuesve) të Epit të Gilgameshit, e duke vazhduar me Homerin, Konfuçin, Shekspirin, Servantesin, Gëten e me miliona të tjerë, deri në ditën e sotme, këtë të diele me diell, fjala poetike ka hyrë në ato lakesa të trurit njerëzor, andej ka nuk mund të hyjë asnjë lloj tjetër fjale a tingulli, duke bërë që energjia e bardhë e jetës, lindjes dhe zhvillimit të mbizotërojë mbi energjinë e zezë pus të vdekjes, zhbërjes dhe shkatërrimit që ka kërcënon në çdo hap.
2. Një ushtar i dritës
Poeti është gjithmonë një ushtar që gjendet i rreshtuar në këtë ushtri që lufton me ankthet e përditshmërisë, me sëmundjet, mungesat e mangësitë, pengesat që na hedhë para këmbëve jeta, si lisat e shkulur nga shtrëngata para makinës në rrugën e lagur.
Një i tillë është edhe miku im Xhevat Latifi. Para disa vitesh, nuk ka rëndësi sa, ka shkruar një poezi. Ajo poezi prej momentit që ka dalë nga pena e mikut tim, ka rrjedhë nëpër sytë e mendjet e miqve të afërt e të largët, e folur dhe shkruar në një gjuhë të lashtë, një gjuhë të ëmbël nëne shqiptare, por që fatkeqësisht kohëve të fundit po braktiset, po bastardohet e po nëpërkëmbet nga vetë folësit e saj.
Kjo është poezia e mikut tim:
MA THUAJ NJË FJALË TË MIRË
Ma thuaj një fjalë të mirë
Të shoh qiellin në sy liqeni
Ta ndjej aromën e bukës në çerep
Te pleqëruar në odë
Ta hap një portë dheu
Më thuaj një fjalë të mirë
Se Thalia ka intrigën aritmi moderne
Si sot, si dje …
Qe dymijë vjet fjala e mirë nuk plaket
As gjumi nuk e zë
Një fjalë vdekjen e tremb!
Nuk jam kritik letrar as studiues, por si adhurues i fjalës së mirë, nuk mund të mos përkulem me respekt e t’i heqë kapelën këtyre vargjeve. Nuk mund të mos gëzohem për rrugëtimin që ka bërë kjo poezi duke u bërë pjesë e ekspozitave multimediale, duke u përkthyer edhe në gjuhë tjera dhe duke marrë vëmendjen dhe admirimin e dashamirëve të poezisë, artit, dashurisë dhe dritës.
E kush do të thoshte se njëmbëdhjetë vargje, që ende nuk janë botuar në një përmbledhje poezish mund të ngrenë peshë botën e stuhishme të mendimit poetik dhe filozofik?
3. Fjala që tremb vdekjen apo mohimi i vdekjes
Vargu i njëmbëdhjetë, i fundit i poezisë “Ma thuaj një fjalë të mirë” jep përfundimin e denjë për një vepër madhore letrare:
“Një fjalë vdekjen e tremb!”
Po a trembet vdekja nga fjala apo kjo është vetëm një metaforë e luftës kurrë të papërfunduar midis jetës dhe vdekjes? Në trajtesën filozofike “Mohimi i vdekjes”, 1973, filozofi amerikan Ernest Becker e shteron deri në pikë frikën nga vdekja dhe implikimet e saj në gjallërimin e njeriut si individ dhe anëtar bashkësie. Dështimi i projektit të pavdekësisë të ndërtuar me shekuj nga religjionet e mëdha dhe filozofitë e epokave të ndryshme sjell depresion dhe sëmundje të tjera psikike si janë neurozat dhe depresioni.
Citoj: “Individi do ta mbrojë veten nga bota vetëm në mënyrën si shtazët tjera e bëjnë këtë: duke e ngushtuar botën, duke fikur përvojat dhe duke zhvilluar një lloj harrese edhe të tmerreve të botës por edhe të gjërave të tija të brendshme që e tmerrojnë. Në të kundërtën, ai do të jetë i gjymtë për të filluar aksionin.” (Ernest Becker, “The denial of death”, kapitulli i 9.-të)
Duke thënë një fjalë të mirë, duke shkruar një poezi të mirë, duke dëgjuar një muzikë të mirë, nga ato hyjnoret, ne sikur e harrojmë dhe e largojmë vdekjen.
Prandaj, thoni vetëm fjalë të mira…
Gjilan, 03.03.2024.


Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *