Fatmira Nikolli |
1700 vite nga Sinodi i parë ekumenik të Nikeas mbajtur në vitin 325, që shënon një moment të madh bashkimi për të krishterët, Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërise dhe kisha katolike përmes Arqipeshkvisë Tiranë-Durrës kanë mbajtur një simpozium, që synon të përkujtojë rolin një ngjarje të madhe në historinë e kishës e krishtërimit. Hirësia e tij Joani, Kryepeshkop i Kishës ortodoske Autoqefale, solli në vëmendje rëndësinë e vendimeve të sinodit, duke kujtuar se Zoti nuk është spektator i largët, por i pranishëm në momentet e vështira të jetës sonë.
“Sinodi i parë ekumenik nuk ishte vetëm një episod i përballjes doktrinare me herezitë e kohës, por edhe një hap themelor dhe i domosdoshëm. Simboli i besimit i formuluar në Nikea dhe i plotësuar në Kostandinopojë, është faktor unifikues për të gjithë të krishterët, pavarësisht ndarjes dhe skizmave gjatë shekujve, besimi në një Zot, Jezu Krisht, birin e vetëmlindur të Perëndisë, mbetet akoma i përbashkët, për shumicën dërrmuese të të krishterëve në mbarë botën”, tha Hirësia e tij Joan.
Nga përcaktimi i kohës së Pashkës, te pranimi i tri qendrave kryesore të kishës, Romë, Aleksandri e Antioki, nga zgjidhja e keqkuptimeve brenda kishës, te vendosja e rregullave për jetën e klerikëve, sinodi i Nikeas, vuri themelet e besimit, duke përcaktuar se në çfarë besojnë të krishterët dhe si duhet ta jetojnë besimin e tyre. Imzot Arjan Dodaj, nga Ipeshkvia Tiranë-Durrës e kishës katolike, tha se besorja nuk është dokument teologjik por formulë liturgjike.
“Pozicionet ndaheshin në dy grupe: arianët që pohonin si biri ishte një krijesë dhe jo Zot në të njëjtën esencë, ortodoksët që pohonin se biri është homusios-bashkëqenës me Atin, domethënë i së njëjtës substancë, në natyrë hyjnore. Pikërisht është termi homousus që do të jetë vendimtar, bëhet fjalë për një term që kishte qenë i pranishëm në disa kontekste teologjike, por që nuk ishte përdorur kurrë zyrtarisht nga e gjithë kisha”, tha Imzot Arjan Dodaj.
E organizuar nën nxitjen e perandorit Kostandin, në Sinodin ekumenik të vitin 325 morën pjesë 318 peshkopë të kohës, duke i dhënë formë unitetit mes të krishterëve në mbarë botën.