VLADAN GJORGJEVIQI KISHTE TË DREJTË, APO JO?…

VLADAN GJORGJEVIQI KISHTE TË DREJTË, APO JO?…

Jusuf BUXHOVI
Vladan Gjorgjeviqi, kryeministër i Serbisë, në vitin 1913, në kohën kur Konferenca e Ambasadorëve kishte në tryezën e bisedimeve njohjen e një Shqipërie të cunguar, me librin “Arnauti i velike sile” (Shqiptarët dhe fuqitë mëdha)”, opinionit politik dhe diplomatik europian, pos tjerash, ia tërhoqi vërejtjen të dy çështje:

a) se shqiptarët nuk meritonin shtet, meqë, sipas tij, u mungonte vetëdija për shtetin dhe, poashtu
b) një shtet eventual shqiptar në Ballkan, do të paraqiste rrezik permanent për qytetërimin evropian, ngaqë kulturalisht “armautashët” paraqesin mbetje të fundamentalizmit islamik!

Memorandumi i Vasa Çubrilloviqit i vitit 1937, ai i vitit 1944 si dhe i fundit i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Serbisë në vitin 1986, platformën për t’i qëruar hesapet me shqiptarët përmes etnocideve, kulturocideve e deri te gjenocidet përmes veprimeve luftarake, e patën tek libri i Vladan Gjorgjegjeviqt. Milosheviqi, po ashtu, u mbështet te logjika e luftës, si mjet për pastrimin etnik të Kosovës, që u vu në veprim edhe gjatë bombardimeve ajrore të NATO-s ndaj forcave policore dhe ushtarake serbe në Kosovë nga 24 marsi deri më 10 qershor 1999, me ç’rast, nga Kosova u dëbuan rreth 90 përqind të popullatës. Falë ndërhyrjes ushtarake të NATO-s si dhe çlirimit të saj nga pushtuesi serb, popullata e Kosovës brenda muajit u kthye prej nga ishte dëbuar.
Libri i Vladan Gjorgjeviqit dhe ato që ai asokohe ua paraqiti evropianëve “për rrezikun arnautësh”, sigurisht se do të mbetej një anakronizëm nga arsenali propagandues serb nga “Naçertanja” e Garashaninit (1844) e deri te koha jonë, po qe se klasa politike Kosovës, nga çlirimi nga Serbia në qershor të vitit 1999 si dhe shpallja e Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008, do të sillej në atë mënyrë që shteti i Kosovës, si e arritura më e madhe e shqiptarizmit në këtë shekull, të ndërtohej në përputhje me sakrificën e madhe të brezave që dhanë dhe flijuan për të gjatë për afër një shekulli përpjekje për çlirim dhe shtet të pavarur. Koha e protektoratit ndërkombëtar dhe 17 vjet pavarësi, treguan se ideali i çlirimit, lirisë dhe pavarësisë si dhe gjaku i derdhur i atyre që iu bashkuan rezistencës së armatosur të drejtuar nga UÇK-ja, të shumtën, u shfrytëzua që pushteti politik të merret më i rëndësishëm se interesi i shtetit!
Lufta e pist për pushtet në dëm të shtetit, siç po ndodh në Parlamentin e Kosovës me farsën e zgjedhjes së Kryetarit, sot është kthyer në një atentat të hapur kundër shtetit të Kosovës nga ata që morën mandatin e deputetëve nga qytetarët.
Pa hy në farsën e cirkut që çdo 48 orë shfaqet në Parlamentin e Kosovës dhe akterëve të përfshirë në të në rolin e palaçove ndër më të neveritshmit;
Pa hyrë në skenarin e njëjtë të pozitës dhe të opozite që t’i ikin përgjegjësisë politike rreth zbatimit të marrëveshjeve të nënshkruara ndërkombëtarisht të vlefshme për asociacionin e komunave serbe me kompetenca ekzekutive deri te autonomia lokale, në rrethanat e udhëkryqeve të mëdha gjeopolitike pas ardhjes në pushtet të presidentit Tramp, pa qarë kokën se me këtë veprim të strucit Kosovën dhe problematikën saj nga subjekti rajonal, siç ishim deri para pak kohësh, e kthejnë në objekt kusuritjesh;
Pa hyrë te heshtja e elitës akademike dhe intelektuale ndaj kësaj sjellje antishtet e politikës së tanishme pa dallim (pozitë-opozitë), heshtje kjo që mund të shpejgohet me vasalitetin prej kohësh të saj ndaj të gjitha garniturave politike në pushtet në mënyrë që të mbrohet impotenca shkencore dhe titujt hibridë;
Pa hy te roli i mediave, që me zhurmë, hallakamë nëpër studio televizive t’u jepet alibi padronëve të tyre nga grupet politike dhe ato kriminale që kanë kapur shtetin prej kohësh;
Pa hy te OJQ-të e shumta që nuk marrin përsipër kurrëfarë nismash qytetare për ndonjë protestë qytetare me të cilën klasës së tanishme politike (pozitë-opozitë) t’u bëhet me dije se kanë tradhtuar besimin e tyre, e mbi të gjitha, që shtetin e Kosovës, nga një vend me aleatë të fuqishëm perëndimorë, që i ndihmuan të çlirohet dhe të shpallët i pavarur, sot e kanë kthyer kundër tyre saqë t’i vihen edhe saknksione;
Pra, pa hy edhe në shumë e shumë çështje të tjera, megjithatë, mund të thuhet se me këtë sjellje, klasa politike e Kosovës (pozita – që e ka përgjegjësinë e votës së shumicës së qytetarëve dhe e opozita, që ka për detyrë ta pengojë keqpërdorimin e parlamentarizmit nga shumica), po i japin të drejtë në dy çështje Vladan Gjirgjeviqit:
-rreth paaftësisë për ta pasë dhe drejtuar shtetin dhe,
-rreth asaj se hipoteka “e mbetjes së rrezikshme islamike”, jo vetëm që nuk po heqet, por po konfirmohet gjithnjë e me tepër me sjelljet kundër shtetit laik, siç është edhe kjo e sotmja, e ndryshimit të seancës së mbledhjes së ardhshme parlamentare për shkak të festës së bajramit!
Me këtë rast duhet të thuhet se me veprimet e tanishme, klasa politike (pozitë dhe opozitë), aleatëve që e kanë krijua shtetin e Kosovës po ua bë me dije se çlirimi i Kosovës, jo rastësisht, nuk u përkthye në liri dhese, as parlamentarizmi, jo rastësisht, nuk u kthye në demokraci!