Vdiq Robert Redford, aktori dhe regjisori i madh amerikan

Robert Redford, një nga ikonat më të mëdha të kinemasë amerikane, ka ndërruar jetë të martën në mëngjes në shtëpinë e tij në Utah, në moshën 89-vjeçare. Lajmi u konfirmua nga Cindi Berger, drejtuese ekzekutive e firmës së marrëdhënieve me publikun Rogers & Cowan, e cila tha se Redford u nda nga jeta në gjumë, “në vendin që donte dhe i rrethuar nga njerëzit që i donte”.
Redford ishte i njohur fillimisht si një nga aktorët më të pëlqyer të Hollywood-it, përpara se të fitonte famë edhe si regjisor dhe aktivist. Ai fitoi çmime të mëdha, përfshirë “Oscar”-in, dhe filmat e tij shpesh trajtonin tema të rënda si pikëllimi dhe korrupsioni politik, duke i bërë ato të prekshme për publikun e gjerë.
Përtej ekranit, Redford ishte një zë i fuqishëm për mbrojtjen e mjedisit dhe themelues i festivalit të pavarur të filmit “Sundance”, i cili u bë një pikë referimi për kinemanë alternative në Shtetet e Bashkuara.
Me një karrierë që la gjurmë të pashlyeshme në kulturën amerikane, Robert Redford do të mbahet mend si një yll i madh i kinemasë dhe një personalitet që i dha zë çështjeve sociale e mjedisore.
Retford luajti në filmat klasikë si “Butch Cassidy and the Sundance Kid” (1969), “The Sting” (1973) dhe “All the President’s Men” (1976).
Charles Robert Redford Jr. ka marrë një çmim Oscar, një çmim BAFTA dhe dy çmime ”Golden Globe” si dhe çmimin ”Cecil B. DeMille” në vitin 1994, çmimin për arritje jetësore të Screen Actors Guild në vitin 1996, çmimin ”Kennedy Center Honors” në vitin 2005, Medaljen Presidenciale të Lirisë në vitin 2016 dhe çmimin e nderit ”César” në vitin 2019./rtklive/