KOSOVA NGA FAKTORI GJEOPOLTIK RAJONAL TEK AI PERIFERIK!
-Theksime nga fjala në bibliotekën e Gjilanit “Fan S.Noli” me lexuesit e dalluar
Jusuf BUXHOVI
Nëse mund të thuhet se shteti i Kosovës është e arritura më e madhe e këtij shekulli, e mundësuar pas çlirimit nga pushtimi serb me ndërhyrjen e armatosur të NATO-s dhe nën drejtimin e SHBA-ve gjatë fushatës ajrore nga 24-10 qershor 1999, në vigjilje të përvjetorit të shtatëmbëdhjetë të pavarësisë, po ashtu mund të thuhet se shteti i Kosovës, gjatë këtyre viteve nuk ia doli të rrumbullakojë procesin e konsolidimit as nga brenda e as nga jashtë. Përkundrazi ndodhi që nga faktori gjeopolitik rajonal të degradohet në periferi të saj!
Ky zhvillim nuk është as i rastit e as i paparashikueshëm, por në rrethanat e tanishme të tronditjeve të mëdha në skenën politike botërore të shkaktuara nga fitorja e Trumfit në SHBA që për pasojë kanë përmbysjen e deritanishme të multipolaritetit përmes vendosjes se një polariteti të ri gjeostrategjik, ku SHBA-të në raport me Rusinë skicojnë kornizat e reja gjeopolitike në përputhje me interesat e tyre ekonomike, ku anashkalohet Europa dhe mekanizmat e saj, për shtetin e Kosovës paraqet një sfidë thuajse ekzistenciale. Ky shqetësim ka të bëjë me atë se Kosova gjatë viteve të fundit, në saje të politikave që kanë qenë në shpërputhje me qëndrimet e aleatëve për konsolidim të brendshëm, në radhë të parë për t’i zgjidhur problemet me minoritetet (atë serb) në përputhje me normën kushtetuese ku parashihet edhe krijimi i asociacionit pa kompetenca ekzekutuese, në mënyrë që ata të integrohen, me zvarritje dhe veprime të tjera të pamatura, një problem teknik e ktheu në problem politik. Dhe, ç’është me keq, me krijimin e “Listës serbe” e drejtuar nga Beogradi, Serbisë iu hapën mundësitë për implikim të drejtpërdrejtë në jetën politike të Kosovës, që për pasojë patën krijimin e shtetit paralel në veri të drejtuar nga strukturat kriminale, përmes të cilave shteti i Kosovës jo vetëm që humbi mbikëqyrjen në veri, por njëherësh krijoi rrethana, për humbjen e kredibilitetit ndërkombëtar, meqë masat e ndërmarra gjatë dy viteve të fundit për t’i eleminuar straktuart paralele në Veri, u konsideruan “veprime të njëanshme”, gjë që u përcollën edhe me sankcione ndërkombëtare nga ana e Bashkimit Europian! Kur kësaj i shtohen edhe veprimet e pakoordinuara të qeverisë së Kosovës në raport me SHBA-të, sponsorisuesin dhe aleatin kryesor të shtetit të Kosovës, nuk është e habitshme kur shteti i Kosovës, në aspektin e gjeopolitikës rajonale, nga faktori i rëndësishëm, sot ndodhet në periferi të saj!
Ky realitet, që për shkak ka politikat e papërgjegjshme të udhëhequra për shumë vite nga akteret politikë që qeverisën vendin, që pushtetin politik, për interesa meskine personale dhe të klaneve politike, e kanë shfrytëzuar në dëm të konsolidimit të shtetit, mund të ketë pasoja tepër të rënda, pikërisht në rrethanat e tanishme kur politika amerikane, në përputhje me interesat e saj që u cekën më lartë, në marrëveshje me Rusinë dhe duke anashkaluar Bashkimin Europian, me arsyetimin që siç e tha dje nënpresidenti amerikan Vance në konferencën e sigurisë në Mynhen se “kërcënimi më i madh ndaj sigurisë së Europës vjen nga brenda dhe jo nga Rusia”, krahas raporteve të reja në sferat globale (veçmas me Kinën, Indinë dhe vendet arabe dhe islame), në pakon e fundit, të ridizajnojë edhe hapësirën e vendeve të Europës jugperëndimore, ku bie edhe Kosova, si shtet i pakonsoliduar.
Ky ridizajnim që është i pashmangshëm pasi që t’i jepet fund luftës së Ukrainës, natyrisht në marrëveshje me Rusinë, që sipas fjalëve të Vances, ajo nuk do t’i ketë më kufinjtë e dikurshëm e as nuk do të jetë anëtare NATO-s, që për politologun francez Gluksman, konsiderohet kapitullim para Rusisë i njëjtë me marrëveshjen e Çemblerenit në Mynhen në vitin 1938 kur për hire të paqes u sakrifikua Çekia, mund të merret me mend se skenarët e tilla mund të përdoren edhe në Ballkan!
Meqë skenarët e tillë nuk mund të përjashtohen, është më se e domosdoshme që spektri i gjithanshëm politik i Kosovës, pozitë opozitë, pa përjashtim, duke lënë manash gabimet, hasmëritë dhe animozitet e tyre të deritanishme, të bashkohet për t’i dhënë përgjigje kësaj sfide ekzistenciale.
Opcioni i gjuhës së përbashkët të faktorit politik shqiptar në këto rrethana pas zgjedhjeve që sapo i lamë, është edhe më domethënës, kur kihen parasysh raportet që nxorën këto zgjedhje (pat pozicioni midis pozitës dhe opozitës), që hap mundësi për zvarritje deri te një krizë e re politike, që do të ishte fatale. Ngaqë, çfarëdo krize politike do të shfrytëzohej që Serbisë t’i bëhen favore në reaport me kërkesat e saj për krijimin e një autonomie secesioniste në Veri.
…