Lypsarë të dashurisë

xhevat latifi

S’përtojmë me shtri dorën si me prek diçka të butë,
që dhemb!
Djersijmë ca kokrra të kuqe që biejnë si shegë,
në pikla faqesh.
Eh, marrim frymë thellë…
na ther diçka e kërkume n’vazhdim.
Gjumi harliset si hergele i’a jep malit,
rrufe e pafund vranë n’kthjelltë!
Tuj pritë në stacion të braktisur me ardhë treni i andrrave!
Shtrihemi në shtrat që nuk bëzan;
Çarçafët e pështjellur keq,
ndiej frymëmarrjen tënde, që ikën në shllunga pluhuri n’tavan.
Bahesh me fole vetë me vete!
Lypsar i një rruge të shkelur, ndjehesh i vetmuar,
lypsar i një meteliku të argjendtë,
që don me shtrëngue në dorë…
Me e hudhë përpjetë, me e kthye përsëri,
përsëri e përsëri,
e pret me t’u kthye kangë e vjetër,
si me pas dëgjue për herë të parë,
simfoni përpëlitjesh,
bëhesh tuj këndue një herë vetë me vete,
më pas me zë,
si petk që rrahet në vig nga era e thahet me luhatje bari,
me e vesh si flutura lavrën për njëzetë e katër orë…
Del, pret, një takim ku shikon akrepat tuj hangër me njëri-tjetrin
…deri më dymbëdhjetë!
Euu lypës i përjetshëm i azilit n’shpirtin tënd!
Deri në frymë të fundit do dikë, më të dashtë e me dashtë, me pa në sy
e tokëzohesh!
Në zemër mbetesh lypsar i përjetshëm!