KËSHTU IKIN GRATË
Vlora Ademi
Tue e lanë ndezë nji cigare në tavllën mbi tavolinë.
Afër tavllës, nji letër ngeshëm shkrue gjysmëfaqe, me dy gjurmë buzëkuqi në fund të saj,
shenjë e nji largimi plot kreni.
Kështu ikin gratë.
N’kulmin e dashunisë.
Tue i paketue me qetësi nëpër kutitë e këpucëve, tana çastet e lumtuna me ty,
ndërsa nën za përshpëritin refrenin e Ejmit:
You always hurt the one you love…
Kështu ikin gratë.
Të papishmane,
Anipse krejt papritë, dy ditë para,
në banakun e Irish Pub-it t’i ka afrue buzët tek cepi i veshit
e, me za të ulët, ta ka diftue nji dëshirë për ma vonë…
Anipse ba t’ka me e humbë fillin e bisedës darkave me shokë,
sa herë t’asht mbështjellë shputë e lëmuet e saj nëpër kambë nën tavolinë.
Anipse nji mesnatë ma parë, ta ka mbyllë gojën me dorë:
– Shëëëësht!… Nuk due me e ndi për kushedi të satën herë të njajtën pyetje naive tanden:
– Kah m’erdhe ti, shpirt?…
Kështu ikin gratë.
Të ngopuna prej lumnisë,
Ikin të parrëmujshme.
Nuk shkapërderdhin sirtarë,
as thyejnë vazo nëpër mure,
sikur nëpër telenovelat spanjolle.
Veç veten e marrin me vete,
tjetrën rrëmujë kohës ia lanë në dorë.
Kështu ikim na!
N’kulmin e lumnisë.
Tue mos marrë me vete nga çka kemi dhanë,
por tue e ditë çka mbrapa po lamë.
You’ll never find another me,
I’ll never find another you…
Kështu ikim.
N’kulmin e dashunisë.
Tue e lanë afër tavllës nji letër ngeshëm shkrue gjysmëfaqe arsyetim,
bashkë me dy gjurmë buzëkuqi n’cigaren e ndezun në tavllën mbi tavolinë e
tue e përshpëritë refrenin e Ejmit nën za:
You always hurt the one you love…
©️ v.