ROMANI I PËRTHYERJES SË KOHËRAVE FATIT TË INDIVIDIT, TRAGJIKËS KOMBËTARE DHE NGADHËNJIMIT TË VËRTETËS HISTORIKE PËRBALLË FRYMËS SË PËRBASHKËT FAMILJARE
( Reflektim për romanin “Pasqyra e Thyer” e Edi SHUKRIUT – KOHA – Prishtinë 2015
Nga: Vilson CULAJ
Kur zhytesh në faqet e brendisë së këtij romani befas të kujtohet titulli i filmit “Brave hart” i cili në fundin e tij ka mesazhin magjik e domethënës “Liberta” si një akt sublim e madhor se, është vet fati i individit të pa epur që hera herës e përcakton edhe fatin e përgjithshëm.
Romani “Pasqyra e thyer ‘’ është një metaforë e kohërave, dhe idealit të individit përballë një epoke të errët ku kujtesa, historia dhe e vërteta e një kombi dialogojnë, konfrontohen e gjakojnë frymën e re të jetës përballë bukurisë e lashtësisë së zënë në kurthë, ku ligjëruesi – ja apo narratori – ja e këtij romani shndërrohet në kalorës –se antike në kërkim të së vërtetës së një kombi të robëruar.
Vendosja e gjyshit në qendër të rrëfimit romanor është fije e zgjatur në kohë e hapësirë e planit ideo – artistik të rrëfimtares Shukriu, e cila si një Atlas emocional e pasqyrë e përjetimeve në brezni rrëfen për Kalvarin e brezave dhe ëndrrën mitike të lirisë dhe përgjegjësisë kolektive.
Duhen akujt që shiu të bëhet shërbëtori ynë që ligjëron metafora transhidentale e autores së këtij romani. Miti i ringjalljes së gjyshit dhe prania e tij transfizike me ambientin e njerëzit është një gjetje e mrekullueshme ideore e letrare e autores Edi Shukriu, e cila përmes figuracionit, metaforave, simbolikave transhidentale, eskatologjisë e reminishencës shndërrohet në një artikuluese e përjetuese, por edhe interpretuese e vëmendshme e qasjes dhe shtjellimit historic, mu si një kronikane mbretërish, që reflekton shkaqet dhe pasojat e një jete të pajetuar.
Është prekja Hyjnore, e cila dialogon me njerëzoren e kufizuar në këtë roman dhe platformë letrare, që ligjëron për shumë pengje të mbetura në jetë e brezni.
Njeriu i shndërruar në ëndërr të Jozefit biblik është kryetema e një gruaje rrëfimtare, e cila përmes pasqyrës së thyer të kohës e shpirtit bënë përpjekje për ta pasuruar e katarzuar rrugën e jetës, buzëqeshjes triumfuese të burrit ideolog dhe fatit tragjik të guximit e bekimit kombëtar.
Ky roman është një akt transhidence e telepatie ndiesore e një nëne, e cila plot stoicizëm e në agoni pret rikthimin e lumturisë e bekimeve familjare, por lufta e individit ideolog me ferrin, tjetër bukë të re i kishte gatuar jetës.
Një e përkohshme e një moment historik kishte mbjellur agoninë e tragjedinë familjare dhe indiferencën e masave, andaj ëndrra, agonia shpresa e fisnikëria ishin në luftë të përhershme me ëndrrën, shpresën, pritjen, shtigjet frymëzuese të molisjes së llahtarshme që prisnin kumtin se një ditë njeriu që e kishte sulmuar ferrin do rikthehej në familje përmes paqes e lirisë nacionale.
Ky roman ka në epiqendër të rrëfimit “Netët e vetmisë”, agonisë e triumfit të një gruaje fisnike, intelektuale, e heroinë e shpirtit dhe idealeve të saj, e cila luftën e bënë me Goliat të brendshëm e të huaj, të cilët në udhëkryqet e jetës së saj për mike kanë zgjedhur heshtjen e indiferencën në kundërshti me idealet e desidencën e heroit të këtij romani brilant e të vuajtjes së ndërgjegjshme.
Është fati i një nëne Rakeliane, e cila qan kërthinjtë e saj e nuk di të ngushëllohet, sepse regjimi i atëhershëm serb nuk i kursente as fëmijët, ndjenjat e hapësirat e tyre psikike – ngre kumtin narratorja e këtij romani.
Përshkruhet lufta Sizifiane e një gruaje Stoike e vizionare që ngre dilemën mes “Shkencës apo letërsisë, biofilisë apo disfatës, detyrës hyjnore në perkujdesje të fëmijëve, apo mbajtjen gjallë të dashurisë ndërpartnerore në kohëra murtajash e absurditetesh e ideologjish, kur armik i kishte jo vetëm njerëzit, por edhe hijet në mur e fjalën tënde të pathënë. Pra, është dialektika e dhimbjeve të nënshtresuara shpirtërore e intelektuale, por edhe familjare e fatit tragjik të një gruaje që jetën e kishte ëndërruar si një lloj kalaje të bukur në paqe e jo stuhie të fjetur që lajthitshëm reflekton paqe e harmoni.
Është gruaja stoike që ligjëron përmes ditarit familjar për veshët tanë të shurdhër e këmbanat pa zë, por edhe luftën shpirtërore pa armë. Në këtë linjë receptojmë romanin e identitetit e integritetit personal që kudo shkon “vetën e saj e bart më vete” si një akt sublim i një shpirti stoik dhe vizioni dritëlargët.
Në këtë roman ndërthuret jetëpërshkrimi i një ankthi të përjetshëm, i cili si fotomorganë troket në fatin e individit mu në kulmin e shijimit të jetës, kur fati e fatkeqësia flen në të njëjtin shtrat të ëndrrës e tragjikës mistike të një Eve gjallonjëse, kur regjimet diktatoriale shndërrohen në gjuetar njerëzish me ideale kombëtare e kokën plot.
Është Saga një shekullore e vuajtjes së shqiptarëve e përshkruar në këtë roman e regjistra shpirti të një gruaje që fati e jeta i servojë dramë individuale familjare e kolektive përbrenda hapave të saj jetësor.
Është Odisejada e jetës së një gruaje heroinë që fatin e saj, fëmijëve e dramës së bashkëshortit e ndërton mbi shkëmbinj shpirti të një jete moraliste e të paepur, që kundron nga brenda e nga lart thellësinë e qenies që përplaset me një aparat shtetëror e ideologji miskine.
Ky roman shpërfaq genin e një gruaje Arbërore e të traditës, e cila mundohet dhe arrinë të krijojë një qerdhe të ngrohtë të një mbretërie intime, ku mund të gjendej prehja e ngushëllimi me vajzën shtatë muajshe në kraharor. E harruar në hapësirat e kohës e femicidit të tërbuar shtetëror, një grua në heshtje i këndon shpresës dhe jetës, ku nuk kursehen as poezia, punimet shkencore, literatura, e orientimi ideologjik e shpirtëror i një gruaje të hekurt. Bastisja e tentativat për terrorizim psikologjik ishin bërë rutinë e përjavshme dhe flamur triumfi për servilët e ideologjisë shtetërore dhe kthetrave të padukshme, ngre theksin protagonistja e këtij Kalvari familjar.
Janë pasojat e mendimit të lirë publik që ushqen frymën e lirisë dhe atdhedashurisë të një eruditeje që ngre pirgun e dhembjes personale familjare kombëtare, e përshkruar në këtë roman, si një mesazh i lartësuar letrar se “Vetëm sakrifica, njohja e ndjesia kombëtare krijojnë personalitete e ideologji të kohës”, pa marrë parasysh rrethanat e pasojat personale dhe familjare. Kokat e duhura, në kohën e duhur, kanë guximin e sakrificën mbrapa jep mesazhin ky roman, por edhe ngadhënjimin në kohë e hapësirë, sepse e vërteta historike e një kombi e ideologu janë një.
Në këtë gamë të gjerë letrare e këtë pirg idealesh e gjëmimesh shpirtërore nuk mungojnë as servilët, opurtunët, spijunët e rrënuesit e këtij kombi ngre kumtin letrar e faktik, autorja Shukriu.
Ishin kohëra cenzurash, burgosjesh, kufizimesh e përgjimesh deri në pragun e vetëmohimit e dyshimit edhe në hijen tënde, flet autorja përmes murit të saj të kujtesës plot plagë. Lëvizja ciklike rrëfimore e romanore nga vitet e largëta të historisë si 1912, 45, 81, 82, 99 e deri në vitet 1999 me rastin e intervenimit të NATO -S mbi caqet serbe janë shtresime ndërpsikologjike të përjetimeve, gjakimeve e mbijetesës, e rezistencës shqiptare, sepse mekanizmat gllabëruese nuk mund ta përpinin një mendje gjigande e gjeniale të një politikologu të përmasave evropiane dhe lëvizjes Titanike të një populli të etur për liri. Është plaga e një vajze, e cila sapo kishte filluar ta krijonte e përjetonte imazhin e prindit mashkull mua ai imazh e ngohtësi prindërore i kishte humbur parasysh nga ana e një regjimi barbar. Janë rrëfenjëza plot vuajtje të një gruaje fisnike e intelektualeje të njëmend që diskrediton me vetën e qiellin përmes vuajtjes personale prapavijat morbide të kuzhinës sekrete serbe, i cili pushtet përmes metodave sa barbare, poaq makiaveliste tentonte ta rrënonte edhe bërthamën e familjes shqiptare kur në gjirin e saj gëlonte ndonjë ideologji, intelektual e politikolog desident.
Skenat tronditëse të takimit të vajzës me babain, i cili kur qe burgosur e kishte lënë vetëm shtatë muajshe japin imazhin tronditës të një Babiloni shpirtëror dhe të një kauze të pathyeshme që as lotët e Sionit nuk mund ta shpaguanin nëse flasim në planin individual e familjar.
Koha dhe pritja si tundim në këtë rrëfim romanor marrin përmasa kataklike në vazhdën e ngjarjeve tragjike, ku protagonistja e kësaj furtune shpirtërore merr rolin e heroit mitik dhe pathyeshmërisë shpirterore drejt dhe idealeve të saj.
Kudo dhunë, masakra, kudo etje e trishtim për të pagjeturit, skena të llahtarshme, therrje shpirti, shpresë e ngurtësuar në kohë kur vdekja fluturon kudo në Kosovë, por edhe ekzistencë e unit dhe mosdorëzimit plasohet në këtë roman të tragjikës dhe ngadhënjimit.
Ishin vitet e zgripit ekzistencial edhe për sistemin arsimor e universitar rrëfen protagonisja e këtij romani duke dhënë detaje për dhunën psikologjike të ushtruar ndaj kuadrit arsimor, të cilët me mjete iluministe e frymëzimeve kombëtare mundoheshin ta mbanin gjallë shpresën e mekur. “Gjahtar të pashpirtë ishin kudo në gjah të shqiptarëve, – ngreh kumtin autorja e këtij romani të përmasave babilonike.
Ishte koha e errët kur po sulmohej edhe universiteti e kokat e ndritura, andaj barbaria godiste profesorët mu në koka, sepse aty ishte tharmi e projektimi i lirisë se, këtij kombi ngre metaforën autorja që në vete barti sagën e madhe të përbetimit e mbijetesës.
Ishin kohëra përndjekjesh, kohë idealesh, kohë regjimesh, ngre theksin autorja, andaj edhe mësimdhënësit universitar ishin shndërruar në dritëza lëvizëse në terrin agonik të Kosovës. Duhej periferia që të shpëtonte mësuesi e rinia, andaj lagjet e Dragodanit, Dardanisë, Vellushës, Velania, Lakrisht a e Ulpiana ishin bërë vatër, ku lëvizte e gjallëronte shpirti i ndrydhur e i etur për dije e liri i këtyre dy shtyllave të forta të idealeve të pa imagjinueshme.
Lëvizja ciklike nga një vend në tjetrin, nga një ngjarje në tjetrën, rrëfim mbi rrëfime, ku ingranohen edhe elemente historike e arkeologjike në këtë roman janë shenjë e një erudicioni shkencor e letrar të autores dhe përvojës e sakrificave familjare ndër breza sa i përket angazhimeve kombëtare. Janë momente të vetëdialogimit me veten, momente të ëndrrës e agonisë, por edhe të shpresës hera – herës utopike të autores se koha dhe e vërteta do ta sjellnin lirinë në pritje. Ky idealizëm intelektual, moral, e i trashëguar e ndjek rrjedhën e tij rrëfimore fund e krye të këtij romani, sepse autorja në përthellimet e shqyrtimet e saj historike e letrare i ngjanë një murgeshe që i ka dhënë fjalë e besë së vërtetës historike, shoqërore e familjare se do e kryente misionin e saj tokësor si grua e hekurt, e dinjitetshme e vertikale deri në frymën e fundit.
Në këto kohëra të errësirës danteske vepronin paramilitarë e pacifistë, këngëtarë e tregtarë armësh, idealistë e luftëtarë, të heshtur e iluministë, desidentë, por edhe individë me fatet e atdheut mbi supe ngre gamën e rrëfimit romanor, autorja që përjetoi luginën e vdekjes në përvojat e saj jetësore.
Është lufta titanike e një studijuese të rryer për ta vazhduar misionin e saj të shenjtë edhe në rrethana kataklike të mohimit për rininë studentore e përfshirë në këtë roman autobiografik, por edhe një akt sublim për ta ruajtur dinjitetin personal e familjar.
Kjo oaze letrare ngjason me një kopsht Babiloni, ku vera dehëse e saj të mashtron përmes bukurisë estetike, ku në epiqendër është rezistenca e ekzistenca e një kombi që kërcënohet me zhbërje.
Janë momente kur një mendje iluministe e vyrtyt femëror jo rrallë e ndien veten “të huaj në atdheun e vet”, edhepse tërë jetën protagonistja dhe burri i saj martir tërë angazhimet ia kushtuan atdheut e Kosovës së lirë.
Kjo hemisferë letrare, sa tronditëse poaq krenare, e ndjek linjën e saj të rrëfimit fund e krye si një postulat brezash se vetëm e vërteta dhe sakrifica dhe intelekti do ta bëj këtë popull të lirë.
Është romani i pagjumësisë nacionale, përballë idealit të lirisë dhe diplomacisë dyfytyrëshe evropiane në raport me të vërtetën dhe tragjiken shqiptare. Është saga e plaga në mes të dy forcave të universit, pra të mirës dhe së keqes, e përshkruar në këtë roman sa autobiografik, poaq edhe me shtrirje e motive krejtësisht nacionale. Këtu reflektohet roli i gruas institucionaliste e vizionare e përshkruar mjeshtërisht në këtë roman mbresëlënës, ku feminizmi na del si forcë lëvizëse e proceseve politike, shoqërore e akademike në raport me Kosovën dhe bashkësinë ndërkombëtare.
Përshkruhet lufta mistike e shpirtit gjallërues të gruas shqiptare, e cila e shndërruar në Ester të Babilonisë troket në portat e vetëmohimit e tragjedisë, si një ideal i pa thyeshëm. Janë terrene të rrezikshme e kohë dialogjesh, gjakimesh, ndërveprimesh e mohimesh, ligjëron e thekson kjo platformë romanore, dhe si një kronikane brezash mundohet të rikthejë pezmin e idealet e saj në gjurmë kohërash e në shkronjë. Substanca e këtij rrëfimi romanor ka në fokus maksimën “ta shohësh ferrin ende pa vdekur” e të vdesësh pa ferrin e brejtjes së ndërgjegjes nga moskryerja e misionit kombëtar, letrar e shkencor.
Shpërfaqet në mënyrë letrare e artistike atlasi shpirtëror i përjetimeve, istinkti biofilik i një populli të shtypur, por me idealin e lirisë në mendje e zemra, përballë atij nekrofilik destruktiv e barbar të regjimit serb, i cili të vërtetat historike mundohet t’i transformojë në mit e shtrembërim faktesh, si etje e errët. Janë të rrëfyera në këtë roman edhe “baltat politike që e ngulfasnin frymën shqiptare, “ku pallatet e paqes mashtrojnë lajthitshëm synimet dhe idealet e një kombi autokton. Ky roman mund të emërohet si trokitje, zgjim, ëndërr e ideal i një gruaje të hekurt që përveç motivit prindëror jeton me idealin e shkencës, disidencës e iluminimit shpirtëror, edhe atëherë kur bashkëshortin e saj e kishte përpirë vala e arrestimeve të një aparati morbid shtetëror. Është pengu i dashurisë i përshkruar në këtë roman, ku elementi fisnik jep provën e dritës të së vërtetës se “një grua pa krahun mbështetës të burrit mund të shndërrohet në një Rozafë që thyen mitet e paragjykimeve dhe pritjeve ogurzeza të të tjerëve për dorëzim”.
Kjo antropologji e një shpirti të fortë, stoik e vizionar e përcjellë tërë dramën rrëfimore të këtij romani, ku e veçanta përqafon të përgjithshmen dhe ku e tanishmja shndërohet në veprim e gjurmë historike.
Ky model shkrimi, në fakt, është roman i lirisë dhe sakrificës ku shpresa varet e ndërvaret nga substanca Njeri i këtij trualli dhe Evropës e ndikimeve të mëdha të USA -s, ku shikimi vritet me shikim e dhuna vdes nga liria. Janë dilemat ekzistenciale të përshkruara në këtë roman si në planin personal, familjar, shoqëror, kombëtar e integrues, ku kryetemë është liria e një kombi të vuajtur.
Është një Panta Rei e gjeopolitikës ballkanike e atlaseve dhe hartave të vjetra të Evropës, ku individi bëhet çështje e çështja shndërrohet në kauzë kombëtare dhe zgjim i popujve që e bënë gjeopolitikën botërore. Pershkruhet një hark kohor pothuajse 40 vjeçarë me gjithë kompleksivitetin shqiptar, por edhe ballkanik e evropian, ku në epiqendër është individi me kauzë të qartë kombëtare, por edhe kombi në shërbim të ardhmërisë së brezave e frymës së re dhe gjallëruese.
Gama e gjerë e tematikave të shtjelluara në këtë stukturë të romanit është rezultat i përvojës empirike të autores, e cila në zemër të lirisë personale sheh dhe e ndjen atë kombëtare. Pra, Universi i krijueses Shukriu nuk është miop e i cunguar, por filantrop e kombëtar. Esenca e këtij romani të kuptimësisë së gjerë dhe vendosjes së individit në qendër të tragjikës e mbijetesës, por edhe të ngadhënjimit e idealeve dritëlargëta, ku prijetare na del e vërteta historike e lirisë së gjakuar në shekuj, nuk janë të rastësishme, por të projektuara nga një mendje e shpirt empatik.
Substancë e këtij libri janë rrënjët, e kaluara e lavdishme, e tanishmja rigjide dhe e ardhmja e brishtë, e cila vendnumëron kohërat e lavditë emituese e jo ato që krijojnë alternativa të reja. Janë copëza dhembjesh kolektive e familjare, por edhe personale të shkrira në një rreze letrare, sa tronditëse, poaq shpresëdhënëse.
Janë situata të dilemave historike dhe të qytetërimit para barbarisë kur intriga e propaganda lulëzojnë mbi kepin e një regjimi, i cili qenien njeri e konsideronte vetëm “Res vocalis” e jo qenia humane e të vullnetshmes që meritonte lirinë nacionale.
Në këtë ndërthurje kohërash dhe epokash, mes civilizimit e barbarisë, shkëlqen një penë dhe ideal letrar e kombëtar që përmes shkronjës e përjetimit mundohet ta sendërtojë një botë e orientim krejt tjetër – epokën e lirisë dhe dashurisë për rrënjët identitare e familjare.
Reflektimet historike në këtë roman nuk janë të rastësishme, sepse Gnostika e autores Shukriu është rezultat i një përfitimi e sublimimi të theksuar shkencor, ku e vërteta ngadhënjen përmbi indiferencën dhe uni njerëzor përtej diktatit dhe aparatit shtetëror.
Pra, është individi që fiton në betejën e madhe të jetës, por edhe e vërteta historike përballë falsifikimeve në histori. Ishte kohë barbarësh flet metafora letrare e shkrimtares dhe studiueses Edi Shukriu, “ku barbarët flasin për djepat e huaj e fëmijët e huaj”, pa qenë zotërues të këtij nënqielli e të tokës së gjakosur nga autoktonia dhe liria e lidhur në pranga.
Ku roman është një vështrim i mistershëm, zhbirues e praktik brenda vetes, e hapësirave qiellore, por edhe brenda fatit të kombit e historisë familjare, ku të gjitha së bashku sjellin ringjalljen e bekimet e tyre, edhepse të gjakosora e plot sakrificë.
Janë nuanca të ekzodit kolektiv e të sakrificës së femrës përballë një Golgote të pafund, ku njeriu dhe krijuesi kanë dilema për prerjet në kohë dhe lavditë e rrejshme që sjell njeriu i mësuar me ideologjinë gllabëruese e meskine.
Janë drama familjare të përshkruara në këtë roman kronikë, ku pezmi shpirtëror i cungimit të lirisë së lëvizjes dhe mallit e mohimit për t’i parë edhe prindërit, kalon përmasat e një gjenocidi e barbarie. Janë qiejtë e akujve të përshkruara në këtë kronikë të dhembjeve dhe njëherit një rreze dielli që trashidenton edhe përtej kohërave.
Është jeta e burgut dhe lirisë plot ankth të vendosura në një pasqyrë të dhembjes, ku rolet e tyre ndryshojnë me të rënë nata në horizont. Janë momente tronditëse të modelit të katakombeve, ku liria përjetohet por nuk shijohet në realitetin e saj përbrenda dy shpirtërave binjakë.
Jane acar të copëzave të jetës dhe të një ëndrre të pa përfunduar, ngre mesazhin autorja, e cila si një qengj i sakrifikuar në tempull prap i thurë lavde kombit e Aurores Hyjnore që e ngushëllon botën e individin, i cili shpreson në këtë liri e ëndërr të paepur.
Është piktura e një prindi që pikturojë një univers në pikturën e tij, por edhe në sytë e një vajze të pafaj, edhe kjo viktimë e një sistemi totalitar e barbar.
Janë terrene që ankthi i një vajze, e cila ka frikën se babain do ia vrisnin në burg dhe shpresa e një jete normale do merrte fund. Janë dilemat edhe përtej varrit e vdekjes të përshkruara në këtë roman, kronikë historike e familjare, që të rrënqethë e trazon gjatë leximit e përjetimit, si fat tragjik i një individi gjeni dhe një familjeje që ëndërronte ta jetësonte jetën krejtësisht normale, kur copëza të vetës mbesin të humbura në univers.
Rrëfimi romanor merr përmasa dramatike pas bombardimit të trupave serbe nga ana e NATOS, ku kryepersonazhi i këtij romani merr vendim që të qëndrojë në Kosovë, megjithë pasojat e mundshme për shkak të aktiviteteve të saj politike.
Zhytur në presionin sistematik të regjimit, përcjelljes e kërcënimeve një shpirt stoik kishte ndier frikën brenda qenies së saj. Asaj i kishin sugjeruar të merrte rrugën e ekzodit drejt Maqedonisë apo Kukësit, por një ideal sa mistik poaq praktik e kishte unisuar me Kosovën nënë. Ajo nuk mund të lëvizte së bashku me fëmijët e saj të dëbuar, dhe nëna nuk lëviz nga Kosova për ta ruajtur Kosovën për bijtë e vet. Rruga e kthimit si refugjate ishte shenjë e profecisë tragjike.
Një grua e hekurt po e vazhdonte jetën prap me forcat e saj dhe frymën gjallëruese që hera herës i sjellte freski.
Një vajzë e sëmurë nga mungesa e dashurisë prindërore dhe fryma e tragjedisë familjare e kombëtare i rrinte gjithmonë në krahët e vuajtjes së pafund…
Vetëm të mëdhenjëve të kombit nuk iu gjendet as varri…
Idetë dhe veprat e tyre mbesin të pashlyera në hartat e shpirtit të një kombi.
Lavdi pjesës tonë të një jete të pa jetuar, sepse mu në tharmin e asaj plage rilindet një jetë e re, kur ëndrra e realiteti janë e njëjta medalje e tragjedisë dhe ngadhënjimit.
Besoj edhe mesazhi i këtij romani mban në vete të njëjtën substancë që troket e thërret në ndërgjegjen tonë, mu si koha në trungjet e lisave të lashtë….
Mu si shpirti i një gruaje të vuajtur, e cila pushon në paqen e trazuar edhe në qiell…