Dëshmorët dhe martirët tanë të vegjël…

Dëshmorët dhe martirët tanë të vegjël…
Don Lush Gjergji
Mbledhja përkujtimore e dëshmorëve dhe martirëve tanë të vegjël, shtron disa pyetje për ne, si dhe për mbarë njerëzimin. Për ne: kush jemi, prandaj, identiteti ynë njerëzor, familjar, shoqëror, kulturor, gjithë njerëzor, gjeneza dhe rrënjët tona, me ftesë dhe klithmë: T’i kthehemi vetvetes dhe të vërtetës si ilirë, arbërorë dhe tani shqiptarë, për t’i lidhur hallkat historike dhe aktuale, sepse pa histori nuk ka as ardhmëri. Fëmijët tanë, të vrarë, të djegur, të zhdukur dhe të masakruar, janë dëshmorë, pa fjalë, fëmijë të pafajshëm dhe të pambrojtur, të martirizuar, çka ne ndoshta sot na duket e pamundshme, bile edhe e tepërt, e padobishme, por mos të harrojmë një gjë, që ata kishin vetëm një “faj”, si ishin të gjallë në një kohë pa “kohë”, mbi të gjitha ishin e tashmja dhe e ardhmja jonë, sidomos ishin shqiptarë, në synim të jetës, që nuk e kanë jetuar; të lirisë, që nuk e kanë njohur dhe shijuar, të dashurisë dhe të jetës, për të cilin kishin lindur dhe ishin në lulëzimin e fëmijërisë.
Prandaj historia e tyre është e shkruar me gjakun e tyre të pafajshëm dhe me dashurinë familjare, që gjithnjë qorton, bërtet, thërret, kërkon zgjidhje që deri me sot nuk erdhi, ndërsa ne shpesh jemi kronistë të pashpirt, flasim me numra, ndërsa jeta e tyre, pra, ata janë dhe duhet të jenë pjesë, gjymtyrë e jona. Këtu duhet cekur që trupi i njeriut përbëhet prej shumë gjymtyrëve, ashtu edhe Populli dhe Shteti. Sa ne jemi të vetëdijshëm që tjetri – tjerët janë për mua, për ty, për ne, pjesë e jona, vëlla apo motër, birë apo bijë e jona? Pa ndjenjën e përkatësisë së përbashkët, jemi një si në të mira, ashtu edhe në vështira, nuk ka bashkim, bashkësi, Shtet, Popull.
Çmimi i lirë sonë është gjaku, flijimi, martirizimi, mbi të gjitha e mira, e vërteta, e drejta, jeta, dashuria, të cilat ende presim ndonjë kohë apo rrethanë më të mirë për t’u zbatuar dhe realizuar. Çka duam sot dhe nesër, gjithnjë: dihet që duam një familje të shëndoshe dhe të gjallë, mbi të gjitha duam t’i realizojmë ëndërrtat tona për një Popull dhe Shtet i lirë dhe demokratik, sa më të mirë, njerëzor, ku vlerat dhe virtytet tona të lashta dhe aktuale do të zbatohen. A e arrijmë ne këtë, ose së paku a jemi në rrugë dhe drejtim të mirë për ta arritur këtë? Gjaku i tyre i pafajshëm pret dhe thërret për drejtësi, mbi të gjitha një vëllazëri gjithshqiptare,
Si duket na ka robëruar lakmia, materializmi, konsumizmi, hedonizmi, relativizmi dhe ateizmi praktik, aq sa nuk po njohim më as vetveten, e jo më tjetrin si vëlla – motër, sidomos ata që kanë pësuar dhe janë flijuar për ne, për të tashmen dhe të ardhmen sa më të mirë. Çka ka ndodhur me ne në histori, e dimë deri diku, ndoshta edhe nuk duam më ta dimë. Çka po ndodh me ne sot, është pyetja jetësore dhe qenësore.
Pyetja e tretë do të ishte kjo: si duam të realizojmë atë çka duam? Nëpër koka, shpina, “shkallë” njerëzore, duke anashkaluar, shkelur, keqtrajtuar dhe mënjanuar njëri – tjetrin, në stilin e “qeve” që e mbysin njëri – tjetrin për eshtra dhe kalbësira, duke e objetivizuar apo vegëlsuar subjektin, njërin, njëri tjetrin, vetëm e vetë që unë të kam, të jam, të pasurohem, të jam i suksesshëm, i famshëm, me emër….Po i them vetvetes, ty, neve: sot mungojnë idetë, edhe më shumë idealet e flijimit, dhurimit, shërbimit, mbi të gjitha mungon e Vërteta, Jeta, Gëzimi, Lumturia, me një fjalë mungon Dashuria dhe vëllazëria. Dikush e vrau jetën e pafajshme dhe të pambrojtur, duke menduar dhe shpresuar që kështu do ta vrasë të tashmen dhe të ardhmen tonë. Ne sot po e vrasim vetveten, njëri – tjetrin, me mospërfillje të historisë sonë të lashtë dhe të afërt. Ky, mendoj unë, është rreziku ynë dhe sfida mes jetës dhe vdekjes, të kaluarës, të tashmes dhe të ardhmes.
“Pa Dashuri dhe flijim jeta s’ka kuptim. Vetëm Dashura do ta shpëtojë botën. Veprat e dashurisë janë vepra të Paqes”, na porosit dhe frymëzon Shën Nëna jonë Tereze. Veprimtaria dhe botime e dr. Nusret Pllanës e mbajnë ende të gjallë kujtimin e historisë sonë, sidomos pësimet e fëmijëve të pafajshëm: 1432, që dhanë jetën e tyre për të sotmen – lirinë tonë, shpresoj edhe për të ardhmen më të mirë dhe më njerëzore.