Cancel Preloader

Kosova pa parlament, shteti pa zë!

 Kosova pa parlament, shteti pa zë!

 

KOSOVA PA PARLAMENT – SHTETI PA ZË,
PA UDHËHEQJE DHE PA RRUGËDALJE

Nga Ramiz TAFILAJ,
Hjuston – Teksas, SH.B.A.
në emër të të gjithë atyre që nuk kanë mundësi të flasin

Parlamenti i Kosovës vazhdon të jetë i paralizuar. Ngërçi politik po zgjatet pa afat, ndërsa qytetarët po mbesin peng i një lufte të verbër ndërmjet partive politike. Interesat partiake janë vënë mbi interesat e shtetit dhe të qytetarëve. Kjo është një gjendje e turpshme dhe e rrezikshme për një demokraci që aspiron të jetë funksionale dhe perëndimore.

Partia me shumicën e deputetëve, që në parim do të duhej të merrte përgjegjësinë për formimin e institucioneve, po luan me durimin e popullit. Ajo nuk po tregon as vullnet për qeverisje të përgjegjshme, as sinqeritet për zgjidhje. Përdor shtetin si mjet presioni për interesa elektorale, duke synuar që zgjedhjet parlamentare të mbahen njëkohësisht me ato lokale. Ky veprim është jo vetëm abuziv, por edhe i papërgjegjshëm ndaj krizës që po rëndon çdo ditë mbi jetën institucionale dhe ekonomike të vendit.
Nga ana tjetër, partitë opozitare nuk po tregojnë as maturinë, as përgjegjësinë historike për të ofruar zgjidhje reale. Refuzimi për të bashkëpunuar, mungesa e një vizioni të përbashkët dhe paaftësia për të ndërtuar konsensus po e thellojnë më tej bllokadën. Kosova po lëngon pa institucione funksionale, dhe për këtë faj janë të gjithë- pozita dhe opozita.

Pasojat e drejtpërdrejta të këtij ngërçi janë:

Bllokimi i miratimit të ligjeve që kanë të bëjnë me zhvillimin ekonomik, arsimin, shëndetësinë dhe politikat sociale;
Pamundësia për të miratuar buxhetin, duke e lënë vendin në vakuum financiar;

Paraliza e diplomacisë shtetërore, pasi pa institucione nuk ka kush të përfaqësojë Kosovën në negociata e forume ndërkombëtare;

Dëmtimi i investimeve të huaja për shkak të mungesës së stabilitetit politik dhe paqartësisë institucionale;

Përkeqësimi i marrëdhënieve me aleatët ndërkombëtarë, të cilët presin që Kosova të jetë një shtet serioz, stabil dhe me institucione që funksionojnë;

Rritja e mosbesimit të qytetarëve ndaj sistemit demokratik, duke e rritur apatinë dhe zhgënjimin e përgjithshëm në shoqëri;

Përhapja e ekstremizmave dhe dezinformimit, në një klimë boshe politike ku mungon qartësia dhe drejtimi.

Çfarë duhet bërë?

Nuk është më koha për kalkulime politike. Nevoja për veprim është urgjente dhe më e madhe se kurrë. Disa hapa konkretë që mund dhe duhen të merren menjëherë:

Thirrje urgjente për tryezë gjithëpërfshirëse politike, ku të gjitha partitë të ulen dhe të vendosin kushtet minimale për funksionimin e institucioneve.

Ngritja e një qeverie të përkohshme apo teknike, me mandat të kufizuar dhe me objektiva të qarta, si menaxhimi i zgjedhjeve dhe rikthimi i stabilitetit institucional.

Vendosja e afatit për zgjedhje të reja të ndara nga zgjedhjet lokale, që të mos përzihet pushteti qendror me ai lokal, e të mos keqpërdoren zgjedhjet për avantazhe të njëanshme.

Rishikimi i sistemit elektoral, për të shmangur bllokada të tilla në të ardhmen, dhe për të përforcuar llogaridhënien.

Kthimi i respektit ndaj Kushtetutës dhe ligjit, si kusht themelor për rikthimin e besimit të qytetarëve në shtetin e tyre.

Thirrje publike:

Deputetët kanë dhënë betim se do të mbrojnë interesat kushtetuese të Republikës së Kosovës, por sot është mëse e qartë se ky betim është harruar. Patriotizmi është zhdukur. Idealizmi kombëtar është në heshtje. Ajo që ka mbetur është vetëm lufta për pushtet.

Është tragjike të kujtojmë se në kohë shumë më të vështira, kur Kosova ishte nën pushtim dhe pa institucione, gjeneratat e mëparshme mblidheshin në rrugë dhe para dyerve të parlamentit për të shpallur vullnetin e tyre për barazi dhe për shtet. Pikërisht ky vullnet qytetar u njoh më pas edhe nga Gjykata Ndërkombëtare në Hagë, si bazë për legjitimitetin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës më 2008.

Sot, qytetarët e Kosovës kanë duruar mjaft. Jemi në fund të durimit. Në mungesë të funksionimit të parlamentit, asnjë institucion nuk është duke kryer detyrat kushtetuese. Të bësh tregti me shtetin për interesa të ngushta partiake është krim moral dhe politik. Dhe nëse ky krim nuk do të gjykohet nga qytetarët me votë, një ditë do ta gjykojë historia – me dënim të rëndë.

Ky është një kushtrim për të gjithë: është koha për reflektim, përgjegjësi dhe veprim. Në se përfaqësuesit e zgjedhur nuk janë të gatshëm të veprojnë, atëherë nuk meritojnë më as mandatin e qytetarëve, as të drejtën për të folur në emër të popullit.

Turp për ata që e quajnë veten deputetë por nuk e meritojnë atë titull. Turp për ata që flasin në emër të një qeverie të shpërbërë e të pafuqishme. Në emër të të gjithë atyre që nuk kanë zë, ky është një apel publik – para se të jetë tepër vonë.

Teksas-Sh.B.A., 18 korrik 2025

    XLPress

    Postime të ngjashëm