Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë dështuar për të gjashtëmbëdhjetën herë me radhë që ta konstituojnë përbërjen e nëntë parlamentare, të dalë nga zgjedhjet e shkurtit.
Të enjten, para një takimi të thirrur nga presidentja e Kosovës me përfaqësues të partive politike për konsultime në përpjekje për zhbllokimin e ngërçit, ligjbërësit refuzuan për të tetën herë rresht që ta formonin një komision për mbikëqyrjen e një votimi të fshehtë për kreun e ri të organit ligjvënës.
Çështja e votimit të fshehtë – që u propozua më 1 maj nga kryesuesi i seancës, Avni Dehari, pasi e propozuara e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu, nuk arriti në disa votime t’i merrte 61 votat e nevojshme për t’u konfirmuar në post – është dërguar në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës nga partitë që në legjislaturën e kaluar ishin në opozitë.
Ato thonë se është jokushtetuese mënyra se si LVV-ja po tenton që kryeparlamentari të votohet përmes formës së fshehtë, dhe i kanë kërkuar Kushtetueses të marrë “një masë të përkohshme për ndalim të mbajtjes së seancave, derisa me prioritet ta trajtojë këtë lëndë dhe ta marrë një vendim”.
Partitë i drejtohen Gjykatës Kushtetuese për seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës
Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Lista Serbe refuzuan sërish, në vazhdimin e seancës konstituive, më 15 maj, që ta propozonin një përfaqësues që do të siguronte mbarëvajtjen e votimit të fshehtë.
Seanca konstituive do të vazhdojë të shtunën e 17 majit.
Deri më tani, deputetët kanë kaluar vetëm dy pika të agjendës së seancës konstituive: raportin e Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve dhe atë të betimit të deputetëve.
Por, procesi ka ngecur te pika e tretë: zgjedhja e kryeparlamentarit.
Kandidatja e LVV-së për kryetare të Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, gjatë një konference për media. Fotografi nga arkivi.
SHIKONI EDHE:
Pse Haxhiu është mollë sherri për konstituimin e Kuvendit?
Haxhiu e LVV-së po konsiderohet si figurë përçarëse nga dy parti parlamentare: PDK-ja dhe AAK-ja.
Këto dy subjekte kanë kërkuar që LVV-ja të nxjerrë emër tjetër për kryeparlamentar. LDK-ja, ndërkaq, ka thënë se nuk ka vota për asnjë të propozuar të LVV-së për postin e kryeparlamentarit.
Propozimi për kryeparlamentar është e drejtë ekskluzive e fitueses së zgjedhjeve, LVV-së, e cila ngul këmbë se Haxhiu e meriton të zgjidhet dhe, ndonëse ka kërkuar marrëveshje politike me partitë e tjera, e ka përjashtuar mundësinë të sjellë kandidat tjetër pos saj.
Deputetët duhet ta zgjedhin kryetarin dhe pesë nënkryetarët për ta konstituuar përfundimisht Kuvendin e ri.
Vetëm pas konstituimit të Kuvendit mund të formohet Qeveria e re./rel/