Asociacioni i Psikiatërve të Kosovës pranohet anëtar me të drejta të plota në EPA – Shoqatën Evropiane të Psikiatrisë

Një hap i rëndësishëm për psikiatrinë kosovare është shënuar këtë javë, pasi Bordi i Shoqatës Evropiane të Psikiatrisë (EPA) ka votuar në favor të pranimit të Asociacionit të Psikiatërve të Kosovës (APK) si anëtar i rregullt i saj.
Vendimi erdhi pas shqyrtimit të aplikacionit të dorëzuar nga APK dhe u zyrtarizua pas një procesi formal votimi nga anëtarët e Bordit të EPA. Pranimi i APK-së në këtë organizatë prestigjioze evropiane hap rrugë për bashkëpunim të zgjeruar ndërkombëtar, shkëmbim të përvojave profesionale dhe përfshirje aktive në zhvillimin e standardeve moderne në fushën e psikiatrisë.
Ky sukses konsiderohet si një moment historik për komunitetin psikiatrik në Kosovë dhe si dëshmi e përkushtimit të profesionistëve kosovarë për të qenë pjesë aktive e rrjeteve shkencore dhe profesionale evropiane.
“Që nga dita kur mora detyrën si kryetar i APK-së, jam angazhuar maksimalisht për këtë qëllim. Kam pasur përkrahjen e plotë të Bordit të APK-së, në veçanti të sekretares sonë, Dr. Valbona Tafilaj. Edhe pse fillimisht shanset për pranim ishin minimale ne kemi zhvilluar takime të drejtpërdrejta, kemi lobuar dhe kemi arritur të bindim partnerët tanë evropianë për rëndësinë e pranimit të Asociacionit tonë,” deklaroi Dr. Faton Kutllovci, Dr. Sci., kryetar i Asociacionit të Psikiatërve të Kosovës.
/xlpress.tv/
.