Autizmi dhe leximi. Sfidat dhe mundësitë për zhvillimin e aftësive të reja. Dekodimi dhe të kuptuarit.

Autore: Erza Ramadani

Autizmi ose çregullimi i spektrit të autizmit i referohet një gjendjeje të ndryshueshme duke u karakterizuar me sfida të ndryshme si në aspektin social, të sjelljes, të komunikuarit verbal dhe atij joverbal. Çdo kush mund të jetë autik pa marrë parasysh gjininë, racën apo etnicitetin. Autizmi është i ndryshëm prej një personi në tjetrin dhe secili ballafaqohet me sfida të veçanta.

Disa karakteristika që e përfshijnë autizmin janë edhe aftësitë sociale dhe ato në komunikim, çështje këto që prekin edhe të lexuarit. Fëmijët me autizëm kanë një nivel të lartë të çrregullimit të gjuhës sesa bashkëmoshatarët e tyre me zhvillim tipik. Por ende nuk është e ditur pse ndodh kjo.(Bray, 2023)

Duke u bazuar në shkrime nga autorë të ndryshëm dhe nga përvojat e mija si psikologe, asistente dhe terapiste e fëmijëve me nevoja të veçanta, duke përfshirë këtu edhe personat me autizëm, jam munduar të sjellë disa këshilla se si t’i ndihmojmë ata të zhvillojnë të lexuarit. Nëse veç je duke u munduar që ta mësosh një fëmijë me autizëm të lexojë, ndiq këto këshilla apo aktivitete, disa nga të cilat edhe unë i praktikoj gjatë punës sime dhe kanë dhënë rezultate shumë të mira.

1.Fillo herët
Sa më herët të fillosh t’i lexosh një fëmije me autizëm aq më mirë. Nxitja e dashurisë për librin dhe mënyrën se si funksionojnë librat është shumë e rëndësishme para se ata të fillojnë shkrim-leximin. Shumë fëmijë me autizëm lulëzojnë nga përsëritja dhe rutina kështu që lexoni të njejtën histori disa herë. Të lexuarit nuk ndihmon vetëm në zhvillimin e kësaj aftësie tek fëmija por zhvillon edhe aftësinë e socializimit. Kështu që fillo herët!

2. Rrokjet
Pasi që fëmija shfaq vështirësi në lexim, duhet të fillojmë me leximin e rrokjeve. Fillojeni me fjalët që fëmija ose nxënësi dëgjon më shpesh. Mund të përdorim së pari fjalën “MAMI” (MA-MI), “BABI” ose emrin e një ushqimi të preferuar apo një lodre. Fjala duhet të jetë e shkurtër që të shqiptohet më lehtë.

3. Përdor foto
Shumë fëmijë me autizëm përfitojnë më shumë kur një fjalë ia shoqërojmë me një foto. Përdorimi i një letre, ku në të është e printuar figura dhe fjala në po të njejtën anë, është një mënyrë e shkëlqyer në ndërtimin e fjalorit.

4.INTERPRETO VEPRIMIN
Kur i mësoni fëmijës tuaj një fjalë, marrim shembull “duartrokit”, mbani letrën në dorë me fjalën “duartrokit” dhe tregojeni veprimin duke duartrokitur dhe njëkohësisht duke e thënë fjalën.

5.VENDOS SHKRONJËN/FJALËN NË OBJEKTET/LODRAT
Mblidhni disa nga objektet apo lodrat që fëmija juaj përdorë më shpesh dhe fillo duke ja ngjitur vetëm shkronjën e parë të objektit mandej duke progresuar me emrin e plotë të objektit apo lodrës.

6.LIBRI ME ZËRIM
Është thelbësore për leximin ose të kuptuarit e asaj që lexon. Libri me zërim ndihmon fëmijën që të përqëndrohet në kuptimin e asaj që po lexon në vend që të përpiqet në dekodimin e fjalëve.

Të lexuarit përfshin shumë faza, dhe fëmija duhet të përvetësojë secilën prej tyre para se ai të arrijë në të kuptuarit e asaj që po lexon. Nga njohja e shqiptimi i shkronjave tek njohja e fjalëve, ndërtimi i fjalive dhe kuptimi i tyre. Çdo hap është i strukturar dhe ka rëndësinë e vet. Pra është e rëndësishme të identifikohet niveli specifik në të cilin fëmija ka vështirësi.

Mbani mend se secili fëmijë ka një stil specifik të të mësuarit , prandaj edhe strategjitë me të cilat punojmë duhet të jenë të specifikuara. Dhe duke i zbatuar këto strategji në të mësuarit e fëmijës atëherë edhe interesi i tij ose saj do të jetë shumë më i madh.
Mos harroni të bëni pushime gjatë kohës që punoni me fëmijën apo nxënësin tuaj, gjithashtu edhe ta bëni sa më argëtues të mësuarit.

Gjilan, 2025