Brunilda Kazani
Klementina Meçi, kandidate për Këshillin Bashkiak Durrës nën logon e Partisë Socialiste në zgjedhjet e 2023, tregon se nuk kishte marrë nga partia asnjë fond për fushatën e saj, po ishte mbështetur tërësisht te “financat modeste të familjes”. Madje edhe zyrën elektorale ia kishte dhënë falas një shok i saj për përdorim gjatë kësaj periudhe, si një formë mbështetjeje morale ndaj saj. Ajo nuk është një rast i vetëm.
Pengesa serioze për gratë në politikë
Sipas një studimi të kryer nga Rrjeti i grave “Barazi në Vendimmarrje” me mbështetjen e NDI përmes Foreign and Commonwealth Development Office (FCDO) në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021, “Barazia Gjinore, Paratë dhe Politka”, ku gratë u pyetën se si partia politike e ka mbështetur kandidaturën e tyre, përgjigjja e tyre ishte se “partia politike ofron vetëm ndihmë dhe financim për të mbështetur aktivitetet e partive, duke u lënë atyre përgjegjësinë – logjistike dhe financiare – për të zhvilluar takime të drejtpërdrejta dhe aktivitete individuale me qytetarët. Konkretisht, 68.24% e grave kandidate thanë se i kishin vetëfinancuar aktivitetet e tyre të fushatës”.
Klementina Meçi, kandidate për Këshillin Bashkiak Durrës, në një takim me zgjedhëse Klementina Meçi, kandidate për Këshillin Bashkiak Durrës, në një takim me zgjedhëse
Klementina Meçi, kandidate për Këshillin Bashkiak Durrës, në një takim me zgjedhëseFotografi: Brunilda Kazani/DW
Mungesa e aksesit të barabartë në burime financiare dhe mbështetje vazhdon të jetë një pengesë serioze për gratë në politikë. Kjo jo vetëm që u vështirëson atyre zhvillimin e fushatave elektorale në kushte të barabarta me burrat, por gjithashtu ndikon negativisht në ecurinë dhe përfaqësimin e tyre në lidershipin politik. Për rrjedhojë, pa mbështetjen e duhur financiare, gratë kanë më pak mundësi për të promovuar veten, për të organizuar ekipe efektive dhe për të arritur te votuesit.
Fond i dedikuar për gratë nga fondet e tjera të partisë
Në këto kushte, disa studime sugjerojnë se një mekanizëm që mund të ndihmojë gratë në tejkalimin e kësaj pengese është financimi publik me fokus gjinor. Një skemë e tillë, sugjerojnë ekspertët, mund të shërbejë si një mjet për të detyruar partitë politike të mbështesin më shumë gra, duke i dhënë atyre mundësi të barabarta në fushatat elektorale dhe në vendimmarrje.
Shqipëri pllakata elektorale për zgjedhjet 2025 Shqipëri pllakata elektorale për zgjedhjet 2025
Në Shqipëri si dhe në disa vende të tjera të rajonit nuk ka financim të dedikuar për gratë në politikëFotografi: Brunilda Kazani/DW
Në Shqipëri është paraqitur një propozim i rëndësishëm, “Integrimi i Prespektivës gjinore në partitë politike”, për të adresuar paragjykimin dhe sfidat që hasin gratë gjatë fushatave zgjedhore, duke theksuar nevojën për të rritur pjesëmarrjen e tyre në proceset vendimmarrëse politike. Ky propozim, i ardhur nga Rrjeti për Barazi në Vendimmarrje synon të garantojë një mbështetje të drejtpërdrejtë dhe të qëndrueshme për gratë dhe vajzat brenda partive politike.
Gordana Siljanovska, presidentja e Maqedonisë së Veriut gjatë fushatës elektoraleGordana Siljanovska, presidentja e Maqedonisë së Veriut gjatë fushatës elektorale
Në Maqedoninë e Veriut si dhe në disa vende të tjera të rajonit nuk ka financim të dedikuar për gratë në politikëFotografi: Petr Stojanovski/DW
10% e financimit publik për gratë në partitë politike
Një nga pikat kyçe të propozimit është një pjesë e buxhetit prej 10% nga financimi publik t’u shkojë grave në partitë politike. Sipas propozimit, ky fond duhet të menaxhohet vetëm nga strukturat e grave brenda partive politike dhe i dedikohet rritjes së kapaciteteve të grave dhe vajzave, nismave për mbështetjen e grave në fushatat zgjedhore, etj.
“Të paktën 10% e financimit publik që përfitojnë partitë politike, u kalon në mënyrë të drejtpërdrejtë strukturave të grave brenda partisë politike dhe është i dedikuar për fuqizimin e vajzave dhe grave brenda partisë përkatëse. Raportimi pranë KQZ në lidhje me shpenzimet që i përkasin kësaj shume, bëhet në mënyrë të ndarë nga pjesa tjetër e financave për të cilat raporton partia politike përkatëse”, thuhet në propozim.
Hap i vogël, por domethënës
Shifra 10%, për drejtuesen e Rrjetit “Barazi në Vendimmarrje”, Edlira Çepani është parë si një hap i vogël, por domethënës për të krijuar një frymë të re brenda partive politike, drejt ndihmës dhe mbështetjes për gratë në Shqipëri, duke synuar jo vetëm përfaqësimin e barabartë, por edhe fuqizimin e tyre për të qenë pjesë aktive e proceseve vendimmarrëse politike.
Drejtuesja e Rrjetit “Barazi në Vendimmarrje”, Edlira Çepani Drejtuesja e Rrjetit “Barazi në Vendimmarrje”, Edlira Çepani
Drejtuesja e Rrjetit “Barazi në Vendimmarrje”, Edlira ÇepaniFotografi: Brunilda Kazani/DW
Një pikë tjetër e këtij propozimi është edhe “Motivimi i partive politike përmes ndërlidhjes së shumës së financimit publik apo rimbursimit të shpenzimeve të fushatës zgjedhore me përqindjen e kandidateve gra të paraqitura nga secila parti dhe/ose të atyre që zgjidhen si deputete në Parlament”. E thënë ndryshe, sa më shumë gra dhe vajza kandidate për deputete ose këshilltare bashkiake ka një forcë politike, aq më e madhe do të jetë shuma financiare që do të marrin nga buxheti i shtetit për zgjedhje.
Për të gjitha partitë politike që nuk e zbatojnë këtë pikë, parashikohen sanksione ligjore, penalitete, si edhe sugjerohet dhe krijimi i mekanizmave monitorues për të garantuar respektimin e ligjit.
Përvoja e rajonit
Nga analiza e vendeve të rajonit, vihet re se financimi publik i synuar për gratë në politikë mbetet një sfidë. Vetëm Mali i Zi dhe Bosnje dhe Hercegovina kanë masa ligjore që sigurojnë një shpërndarje të dedikuar të fondeve publike për të mbështetur gratë në politikë.
Bosnje dhe Hercegovina
Sa i përket fondeve shtetërore, Bosnje dhe Hercegovina ka një sanksion në ligjin për financimin e partive politike që 10% e totalit të buxhetit t’i shpërndahet grupeve parlamentare në promocion me vendet e fituara nga gjinia më pak e përfaqësuar. Ky është një incentiv edhe më i madh, përveç kuotës së parashikuar në ligjin zgjedhor, për 40% të kandidateve nga gjinia më pak e përfaqësuar (gratë dhe vajzat).
Pllakata zgjedhore në Bosnjë dhe HercegovinëPllakata zgjedhore në Bosnjë dhe Hercegovinë
Pllakata zgjedhore në Bosnjë dhe HercegovinëFotografi: Samir Huseinovic/DW
Mali i Zi
Në Malin e Zi nga fondi i përgjithshëm buxhetor i shpërndarë për partitë politike, përveç ndarjeve të tjera bazuar në rezultatet zgjedhore, 20% e totalit të këtij buxheti u shpërndahet forcave politike bazuar në numrin e të zgjedhurve që ato kanë në parlament ose këshillave bashkiak që i përkasin gjinisë më pak të përfaqësuar, në rastin konkret, grave dhe vajzave. Ndërkohë parashikohen dhe fonde vjetore të posaçme për organizatat e grave brenda partive politike, si ato parlamentare dhe ato të përfaqësuar në Këshillat Bashkiak. Mirëpo, përtej ligjit të shkruar mirë në letër, zbatimi i saj ka lënë jo pak për të dëshiruar dhe efektet e saj nuk kanë qenë ato të pritshmet.
Kurse në vendet e tjera, Shqipëri, Kosovë, Maqedonia e Veriut dhe Serbi, mungojnë dispozitat ligjore për këtë çështje. Me përjashtim të Partisë së Lirisë dhe Vetëvendosjes partitë e tjera politike nuk e kanë të përfshirë në statute mbështetjen financiare për gratë. Kjo tregon një nevojë urgjente për reforma të mëtejshme për të siguruar një barazi të vërtetë gjinore në politikë.
Grua bjonde me flokë të drejta dhe dorën nën mjekër që shikon në drejtim të kamerës Grua bjonde me flokë të drejta dhe dorën nën mjekër që shikon në drejtim të kamerës
Brunilda Kazani raporton nga Tirana, kryesisht për media sociale, me fokus te shoqëria, mjedisi dhe kultura/dw/