BOLL MA!
Faton Bislimi
Kosova nuk është lodër. Kosova nuk është lojë për karriera personale, interesa klanore apo pazare politike të ulëta. Kosova është sakrificë. Është gjak, është dhimbje, është rezistencë. Është e drejtë historike që mezi u arrit dhe që sot po përbaltet nga papërgjegjësia e atyre që u betuan ta përfaqësojnë me dinjitet.
Mbi 30 seanca pa punë, pa votime, pa vendime. Mbi 30 herë tallje me qytetarin, me shtetin, me demokracinë. Deputetë që hyjnë e dalin si në “Han të Dilit,” e jo në institucionin më të lartë të Republikës. Ky është poshtërim! Dhe për këtë, nuk ka më arsyetime.
Kur nuk jeni në gjendje ta mbani shtëpinë tuaj institucionale – Kuvendin – mos flisni për reformë, për drejtësi, për shtetndërtim. Dhe nëse nuk e bëni as punën më minimale për të cilën jeni aty – atëherë jeni barrë për këtë shtet.
Nëse Serbia dikur na godiste me dhunë për të na zhdukur, sot ju po e ushqeni narrativën e saj historike: “Shqiptarët nuk dinë të mbajnë shtet.” Dhe kjo është e pafalshme!
BOLL MA! Jepni dorëheqje dhe ikni. Ikni nëse s’po mund të tejkaloni vetën e interesat tuaja miskime për ta vendosë Kosovën të parën! Ikni e lerini rrugë njerëzve me ndërgjegje, me vizion, me përkushtim. Shteti nuk pret më. Rinia nuk pret më. Historia nuk fal më!
Koha e lojës duhet të mbarojë. Tani është koha e përgjegjësisë.
Kosova e para!