Dw- Temë e nxehtë në Turqi – Kush duhet ta përkthejë Kuranin?

Temë e nxehtë në Turqi – Kush duhet ta përkthejë Kuranin? Si mendon rinia turke sot për fenë?
Diyaneti është një nga autoritetet qeveritare më me ndikim në Turqi. Sipas informacioneve të saj, ajo punëson mbi 140,000 njerëz dhe ofron shërbime fetare në më shumë se 100 vende të botës. E themeluar në vitin 1924, agjencia ka qenë në varësi të drejtpërdrejtë të Presidentit islamik-konservator Rexhep Tajip Erdogan që nga viti 2018. Buxheti i saj vjetor prej afërsisht tre miliardë eurosh tejkalon edhe buxhetet e disa ministrive, përfshirë Ministrinë e Brendshme Turke.
Diyaneti menaxhon 90,000 xhami në të gjithë Turqinë, organizon pelegrinazhe vjetore, koordinon ritualet për Kurban Bajramin dhe organizon kurse kurani dhe ngjarje kulturore. Gjithashtu ajo trajnon imamë dhe i dërgon ata për të dhënë mësim si në vend ashtu edhe jashtë Turqisë. Fondacioni i saj është aktiv në 150 vende dhe arrin miliona njerëz përmes programeve arsimore dhe bursave, nga Lindja e Largët në Amerikën Latine.
Diyanet merr autoritetin e interpretimit të përkthimeve të kuranit
Në vitet e fundit, kompetencat e Diyanetit janë zgjeruar vazhdimisht. Agjencisë i është dhënë ndërkohë edhe kompetenca për të interpretuar përkthimet kuranore. Një ligj i miratuar së fundmi i jep fuqinë për të shqyrtuar përkthimet, e nëse ato “nuk përputhen me karakteristikat themelore të islamit”, mund të ndalohen. “Kopjet problematike” që janë botuar tashmë mund të konfiskohen dhe shkatërrohen. Kjo vlen edhe për përmbajtjen dixhitale, siç janë tekstet, regjistrime audio dhe video në internet.
Presidenti Erdogan i kishte dhënë më parë Diyanetit këtë autoritet me dekret, gjë që çoi në klasifikimin e disa përkthimeve si “të pavërteta”. Megjithatë, ky vendim nuk u pranua në Gjykatën Kushtetuese. Me ligjin e ri, kjo kompetencë tani është sanksionuar ligjërisht dhe kështu nuk është më antikushtetuese.
Kritikët: “Shpallje falimentimi e shtetit turk”
Teologët kritikë ndaj qeverisë flasin për censurë dhe një “islam të diktuar nga shteti” që rrezikon lirinë fetare. Për teologun e njohur Prof. Dr. Sönmez Kutlu, ky hap është një deklaratë falimentimi e shtetit. Sipas tij, një vend me mbi 100,000 punonjës të Diyanet dhe më shumë se 100 fakultete teologjie duhet të jetë në gjendje ta mbrojë Kuranin nga të ashtuquajturat përkthime problematike jo përmes ndalimeve, por përmes metodave intelektuale dhe shkencore. Ai gjithashtu paralajmëron se botimet që përmbajnë vargje kuranore të përkthyera që dyshohet se “kundërshtojnë karakteristikat themelore të Islamit” mund të çojnë gjithashtu në hetime dhe ndjekje penale.
Teologu Ihsan Eliacik e sheh autoritetin e ri të Dijanetit si një shkelje themelore të Islamit. “Në Islam,” thotë Eliacik, “asnjë institucion nuk mund të qëndrojë midis njerëzve dhe Allahut. Megjithatë, shqyrtimi i Kuranit nga Dijaneti për ‘vërtetësinë’ bën pikërisht këtë.” Përkthimi i Kuranit nga vetë Eliacik më parë ishte konsideruar problematik dhe u ndalua nga Diyaneti. Ai paditi Gjykatën Kushtetuese dhe fitoi. Me dispozitat e reja ligjore, kjo nuk është më e mundur.
Lexo artikullin të plotë: https://www.dw.com/sq/turqi-diyanet-mund-t%C3%AB-censuroj%C3%AB-p%C3%ABrkthimet-e-kuranit/a-73092536