E PANJOHURA…
Tregimi i së Djelës nga Agim Xhafka.
Te pjesa e siperme e derës në hyrje të pallatit qe vendosur një shpallje vdekje. Nuk arrita ta lexoj emrin se gruaja tha:
-Na paska lënë pastruesja e shkallëve. Qoftë e parajsës!
Pashë foton dhe m’u kujtua gruaja me fshesë në dorë. E pafjalë, me kokë ulur që lëvizte leckën e lagur majtas dhe djathtas.
Në fakt nuk kishte kohë që ishte angazhuar te hyrja jonë. Bile ca ditë pashë që lante dyshemenë bashkë me pastruesen e vjetër. U çudita, por nga që asnjëherë nuk jam marrë me këto punët e administrimit të pallatit heshta. Admiroja jo vetëm korrektesën e saj, që çdo paradite pastronte, por edhe që nuk ngrinte fare kokën. Veç punonte e punonte.
Pastruesja e vjeter na trokiste te dera. Kërkonte t’i mbushnim kovën me ujë e ndërkohë këmbente me gruan ndonjë muhabet. Ndonjëherë guxonte të rekomandonte që shtëpinë ta lyenim me bojë ndryshe nga e sotmja. Ju shkon më shumë me mobiljet, këshillonte ajo. Por sa mbyllej dera gruaja i thoshte, ec e pastro shkallët nuk do marr mend nga ty.
Ishte dhe kjo bezdisje që solli respekt më shumë për pastruesen e re. Me shami të bardhë, lidhur fort pas kokës, nuk arrita të mësoj moshën e saj. Një herë pyeta gruan e as ajo nuk dinte ç’të thosh. Duket mesogrua, më tha. I dha këtë moshë nga që nuk qe as e zhdërvjellët, as e avashtë në lëvizjet e saj. Ama kishim dëshirë ta shihnim hyrjen tonë. Ndriste, pllakat dukeshin si mermer i lustruar. I hodha syte sërish mbi shpalljen e vdekjes. Të shihja datën kur do e varrosnin. Dhe kur u përqëndrova pashë se ishte caktuar dita e nesërme. Nisja e kortezhit do bëhej nga rruga “ÇAJUPI”, pallati 2 fraksion 3.
-Ua, pse paskan vendosur adresën e pallatit tonë, mo?-pyeta gruan.
-Vërtet?
U çudit dhe ajo.
-Gabim shtypi, -e vulosi muhabetin.
Po nuk mbaroi fjalën se nga ashensori dolën tre gra veshur me të zeza. Me sytë plot lotë. Nga pas dëgjuam zëra.
-Te kati i dytë, atje presin për ngushëllim.
Ishin disa burra që po ngjiteshin pas nesh. I pyeta:
-Te kush po shkoni?
-Te Beqiri. I ka vdekur gruaja dje, Shpresa. Ja, kjo në foto, -dhe më tregoi lajmërimin e shpalljes.
Heshta. Burrat ikën para. I thashë gruas, ngjitu lart e vetë shkova te apartamentit i xhenazes. Hyra te dhoma e burrave. Nuk njihja njeri, por në krye rrinë në këto raste njerëzit më të afë@rt. Shkova e takova një burrë simpatik ndonja 50 vjeç.
-Ngushëllime!
-Faleminderit.
U ula në karrike. Dëgjoja se burri quhej Beqir. Jetonin me qira te kjo hyrje. Kishin erdhur para 5 muajsh nga Fieri. E shoqja Shpresa nuk punonte. Qe sëmurë me kancer dhe nga kimioterapia i kishin rënë flokët.
-Po mbante shami në kokë. As në shtëpi s’e hiqte. Dhe delte jashtë, dy, tre herë në ditë. Pastronte shkallët. Të merrem me një punë, të harrohem, thoshte.
Kështu fliste i shoqi e tregoi:
-Djalit në Itali nuk i treguam fare. Do harxhojë kohë e para për mua, thoshte Shpresa. Ndaj i ra si bombë kur ia thashë në telefon.
Nga matanë dëgjoheshin të qarat e grave. Mua më erdhi turp që atë ëngjëll e quajta pastruese. Madje në se merrej me këtë punë pse nuk e pyeta sa para duhej të paguaja. Se ajo merrte mbarë gjithë katet. Na shërbeu e nuk i dhamë as një mirëmëngjes. Bile as një buzëqeshje. U sollëm sikur ajo po na shlyente ndonjë borxh që na kish.
Ika lart, ia tregova gruas dhe ajo tha:
-Nuk e njohëm, por të shkojmë në varrim. Të tregojmë njerzillëkun që na mungoi.
Dhe u vesha si për kësi rasti. Mbi krevat më vendosi gruaja kostumin e zi. Hyra brenda tij pa bërë fjalë. Po i tregonim respekt atij ëngjëlli që nuk i mësuam as emrin sa ishte gjallë. I pamë leckën, kovën, fshesën. Jo hallin, jo brengën…
#writer #journalist #korce #albania #usa #kjoeshtekorça