Festviali Nderkombetar i Poezise:
Esma Dodaj ne eventin e “Republikes se Poeteve” ne Prishtine!…
(Esma Dodaj, nje emer tashme dinjitoz ne shkrimtarine shqiptare, eshte ftuar ne Edicionin e shtatë te Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë “Republika” në Prishtine, nje organizim perfekt tre ditor nga datë 14-16 shkurt 2025, në Prishtinë, i cili, sic informon Esma “asht i krijuem prej poetes Vlora Ademi dhe i ideuem në çdo detaj, po prej saj, qysh në edicionin e tij të pare”.
Me tej ajo detajon kete organizim ne te tre keto dite, ku ka qene dhe paneliste ne promovimin e librit te Primo Shllakut “Nata e Qiejve”
Pershkrimi nga Esma:
Ditën e parë, programi filloi me premierën e dokumentarit “Kufiri i kuq – Të huaj mes t’vetëve”, i realizuem prej fondacionit “Kujto” (Tiranë) në bashkëpunim me “Social Creativity” (Prishtinë), i financuem nga Bashkimi Evropian në kuadër të projektit “Kultura dhe Kreativiteti për Ballkanin Perëndimor” dhe i zbatuem nga British Council. Për pjesën muzikore mbas kësaj, sopranoja Ardiana Bytyqi Ismajli performoi nën shoqnimin me instrumente të Urim Maliqit dhe Genc Hajrizit. Për me vazhdue mandej me lexime poezish prej poetëve: Primo Shllaku, Christos Armando Gezos (grek), Rafaël Newman (zvicerian) dhe Dalila Hiaoui (marokene).
Ditën e dytë, programi filloi me promovimin e librit të shkrimtarit Primo Shllaku “Nata e qejve”. Për librin fola unë dhe shkrimtari e studiuesi Adil Olluri, kurse bisedën e moderoi shkrimtari Azem Deliu. Mbas kësaj, ishte radha e panelit të diskutimit me temë: “Kontributi i përkthyesve në pasunimin dhe riaktivizimin e gjuhës shqipe”. Tema u trajtue nga përkthyesit Elmaz Fida, Ana Kove, Arjan Kallço, Vlora Konushevci dhe Gazmend Bërlajolli, sërish nën moderimin e shkrimtarit Azem Deliu.
Prej letërsisë kaluem në artin e fotografisë, me ekspozitën “Homazh” të artistit të fotografisë Fahredin Spahija, që nderon 17 figura të shqueme të kulturës shqiptare, të cilët nuk janë ma mes nesh, e kurueme prej estetit Primo Shllaku.
Për me u kthye prapë te poezia, në nji mbramje që nisi me shfaqjen premierë të baletit “T’paanët”, të shoqnuem në sfond me poezi, përmes lëvizjeve dhe vallëzimit artistik të balerinëve të Baletit Kombëtar të Kosovës: Leonora Rexhepi dhe Muhamet Bikliqi.
Mandej u kënaqëm me leximet e poezive prej 14 poetëve nga Kosova, rajoni dhe bota: Vlora Konushevci, Ardita Jatru, Ilire Zajmi, Shqiptar Oseku, Enkeleda Ristani, Ndue Ukaj, Gabriela Mujaj, Xhevat Latifi, Aziz Mustafa, Ardiana Shala Prishtina, Marsela Neni Haxhimusai, Bruna Gjoni Përvathi dhe Emin Z. Emini. Poetëve iu paraprinte nji interpretim fantastik i poezive nga aktori Xhevdet Doda.
Programi mbaroi ditën e tretë me nji vizitë në Ulpianë, nji vendbanim romak, parabizantin, si njohje me trashëgiminë kulturore të Kosovës dhe respekt ndërkulturor.
Due me theksue natyrën jokonkurruese të këtij organizimi, që më ka pëlqye shumë. Nuk kishte garë, çmime, fitues. Festivali kishte veç natyrë miqësore dhe dashamirëse ndaj njani-tjetrit dhe artit, gja që më ka lanë nji shije veçanërisht të mirë, si asnjiherë ma parë.
Nji tjetër detaj interesant, që ia vlen me e bashkënda, asht se “Republika” e poetëve, siç i referohet organizuesja e tij, asht krijue në vigjilje të 10-vjetorit të Republikës së Kosovës si shtet i pamvarun dhe për ktë arsye ka fillue me 10 poetë. Për çdo vit ma vonë, asht shtue nga nji dhe ktë vit, në 17-vjetorin e Pamvarësisë, “Republika” mirëpriti 17 poetë nga vende të ndryshme të botës. Dhe nji gja e fundit, po kaq e bukur, ishte shumëllojshmënia artistike që e karakterizonte Festivalin. Siç duket dhe nga çfarë kam përmendë shkurtimisht prej programit, ka pasë: poezi, Letërsi, Gjuhë, përkthim, film dokumentar, muzikë, kangë, art fotografik, promovim letrar, balet, interpretim, aktrim, prej njerëzve po kaq të ndryshëm sa ç’janë këto lloje arti, po njikohësisht me aq shumë pika takimi midis tyne e me aq ngjashmëni sa ç’kanë këto lloje të artit)