Fehmi Fetahu: Trump trazon tregjet – Bizneset në Zvicër duhet të përgatiten për valën e re të tarifave

Rikthimi i Donald Trump në skenën politike amerikane dhe paralajmërimet për tarifa të reja tregtare ndaj Kinës dhe vendeve të tjera kanë nxitur shqetësime për ndikimin që mund të kenë edhe në Evropë – përfshirë Zvicrën. Për këtë çështje, albinfo.ch bisedoi me Fehmi Fetahun, kryetar i Bordit të Rrjetit të Bizneseve të Diasporës Shqiptare në Zvicër.

– Advertisement –

“Zvicra është e ndërlidhur ngushtë me tregun global. Edhe pse nuk është në BE, çdo tarifë e re nga SHBA-të do të ndikojë në kostot dhe zinxhirin e furnizimit, veçanërisht për bizneset e vogla dhe të mesme shqiptare,” thekson Fetahu.

Ai shton se shumë prej këtyre bizneseve veprojnë në fusha si tregtia, logjistika dhe ndërtimi, të cilat janë të ndjeshme ndaj rritjes së çmimeve dhe vonesave në furnizime. Rrjeti i Bizneseve të Diasporës është në kontakt të vazhdueshëm me anëtarët dhe po punon për t’i informuar dhe mbështetur ata në kohë pasigurie.

“Diversifikimi i tregjeve, digjitalizimi dhe bashkëpunimi mes bizneseve shqiptare janë thelbësore për të përballuar sfida të tilla,” thekson Fetahu. Ai nënvizon se rrjeti që drejton është një platformë bashkëpunimi dhe informimi, që synon të forcojë lidhjet mes diasporës dhe vendeve amë, edhe në kohë krizash.

Mesazhi i tij për sipërmarrësit shqiptarë në Zvicër është i qartë: “Të qëndrojnë të informuar, të bashkëpunojnë dhe të shfrytëzojnë çdo mundësi që sjell ndryshimi./Albinfo.ch/