Gjeneralmajori i Ushtrisë turke Mustafa Ozcan, me bashkëpunëtorë, ka vizituar Komunën e Gjilanit, përkatësisht Gjimnazin natyror “Xhavit Ahmeti”, ku janë pritur nga nënkryetarja e Komunës së Gjilanit, Leonora Morina Bunjaku, drejtori e shkollës Bekim Mustafa dhe profesorë e nxënës të kësaj shkolle.
Nënkryetarja e Komunës, tha: mikpritje e ngrohtë për gjeneralin turk Mustafa Ozcan me shoqëruesit e tij në Gjimnazin e Shkencave të Natyrës “Xhavit Ahmeti”.
Sipas saj me nderim të veçantë e mirëpritën sot gjeneralin turk në ambientet e Gjimnazit të Shkencave të Natyrës në Gjilan. Vizita e tyre u zhvillua në një atmosferë miqësore dhe frymëzuese për nxënësit, mësimdhënësit dhe udhëheqësit e shkollës.
“Ishte kënaqësi e veçantë që patëm mundësinë t’u shprehim mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme, veçanërisht për kontributin e dhënë vitin e kaluar në hapjen e kabinetit të robotikës – një hapësirë moderne që tashmë është bërë burim kreativiteti dhe zhvillimi për nxënësit tanë tha Leonora Morina Bunjaku.
Nënkryetarja e Komunës së Gjilanit, tha se bashkëpunimi i këtillë forcon lidhjet ndërmjet komunitetit tonë dhe misionit të KFOR-it, dhe njëkohësisht fuqizon vizionin tonë për një arsim bashkëkohor dhe gjithëpërfshirës.
Ajo falënderoi Republikën e Turqisë për përkrahjen dhe miqësinë.
Mysafirët nga Turqia, kanë vizituar edhe kabinetin modern të robotikës, që është donacion nga shteti turk, derisa kanë bashkëbiseduar edhe me nxënësit.