“Shoqata që po përurohet sot është më shumë sesa një organizatë kulturore e humanitare: ajo është edhe një emblemë që unifikon identitetin, përkatësinë dhe vlerat e komunitetit shqiptar në Türkiye”, tha zv/kryeministri i Kosovës, Bislimi.
Dëgjo artikullin
Në qytetin Bursa të Türkiyes është hapur Shoqata Kulturore dhe Humanitare e Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.
Në hapjen e kësaj shoqate mori pjesë zëvendëskryeministri i parë në detyrë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Kosovës, Besnik Bislimi, i cili tha se Bursa zë një vend të veçantë si qyteti me komunitetin më të madh shqiptar në Türkiye.
“Një komunitet që brez pas brezi për më shumë se një shekull ka vazhduar të kultivojë dhe të bartë gjuhën, kulturën dhe vlerat shqiptare. E një nga këto vlera shumë të rëndësishme për ne është mikpritja të cilën sot po e ndjejmë fuqishëm këtu”, tha Bislimi.
Ai shtoi se Türkiye është shteti me të cilin Kosova ndanë një marrëdhënie të fortë e të thellë, gjersa përtej lidhjeve kulturore e njerëzore, “raporti i Kosovës me Türkiyen po lulëzon edhe në rrafshin ekonomik”.
“Türkiye tanimë është një nga investitorët dhe partnerët tregtar më të mëdhenj që ka Kosova. Vëllimi tregtar mes Kosovës dhe Türkiyes ka arritur shifrën prej 1 miliard euro. Bizneset turke kanë investuar në Kosovë mbi 400 milionë euro, duke u kyçur në sektorë shumë të rëndësishëm si infrastruktura, energjia, financa, shëndetësia dhe arsimi. Janë diku 10 mijë vetë që kanë gjetur punë nëpër korporata dhe ndërmarrje që kanë për pronarë biznese turke”, tha Bislimi.
Ai theksoi se bashkëpunimi ekonomik duhet të kultivohet secilën ditë e më shumë duke e institucionalizuar përmes iniciativave si ajo e fundit e komitetit të përbashkët ekonomik e tregtar mes Kosovës dhe Türkiyes, që pritet të fuqizojë edhe më shumë raportet, duke sjellë mundësi të reja edhe për komunitetin shqiptar dhe bizneset shqiptare në Bursa.
“Kjo mënyrë e organizimit e komunitetit shqiptar, si shoqata që po e përurojmë sot, janë iniciativa të vlefshme që e zgjerojnë bashkëpunimin tonë në vazhdim. Shoqata që po përurohet sot është më shumë sesa një organizatë kulturore e humanitare: ajo është edhe një emblemë që unifikon identitetin, përkatësinë dhe vlerat e komunitetit shqiptar në Türkiye”, tha zv/kryeministri kosovar.
Bislimi e përfundoi fjalën e tij duke uruar të gjithë për hapjen e kësaj shoqate kulturore e humanitare si dhe duke i falënderuar për punën e vlefshme. “Si institucione të Kosovës qëndrojmë të gatshëm në mbështetjen e kësaj iniciative dhe të tjerave, në mënyrë që bashkërisht ta nderojmë historinë tonë dhe të lartësojmë arritjet e përbashkëta”, u shpreh ai.