Kemi hyrë në një epokë të “Pax Israelitica”

David Rosenberg – Haaretz
Pas luftës kundër Iranit dhe aleatëve të tij, shumë analistë besojnë se Izraeli ka forcuar ndjeshëm pozitat e tij në Lindjen e Mesme. Megjithatë, pavarësisht fuqisë së treguar në fushën e betejës, Izraeli ende nuk plotëson të gjitha kushtet për t’u konsideruar një fuqi e plotë rajonale. Edhe nëse kemi hyrë në një epokë të “Pax Israelitica”, ajo mbështetet më shumë te forca ushtarake sesa te konsensusi diplomatik.
Ndryshe nga vizioni i presidentit amerikan, Donald Trump, për një Lindje të Mesme të fokusuar në paqe dhe zhvillim ekonomik, kryeministri Benjamin Netanyahu mban një qëndrim më të ashpër. Ai e sheh Izraelin si garant të sigurisë dhe rendit rajonal përmes forcës. Në fjalimin e fitores pas luftës me Iranin, Netanyahu deklaroi: “Nuk kemi ndërmend të heqim këmbën nga pedali. Duhet të përfundojmë fushatën kundër boshtit iranian, të mposhtim Hamasin dhe të kthejmë të gjithë pengjet – të gjallë e të vdekur.”
Fuqi ushtarake dhe teknologjike
Në renditjen e vitit 2025 të “Global Firepower”, Izraeli renditet i 15-ti në botë për kapacitete ushtarake, një arritje e konsiderueshme për një shtet me një popullsi relativisht të vogël. Në rajon, është i dyti pas Turqisë. Lufta me Iranin tregoi se në epokën e sotme të luftës së teknologjisë së lartë, numrat nuk janë gjithçka.
Shteti hebre ka gjithashtu një avantazh të dukshëm në fushën e teknologjisë ushtarake dhe zbulimit. Pavarësisht dështimeve në 7 Tetor, Izraeli u tregua efektiv në përballjen me Iranin dhe Hezbollahun. Sipas indeksit të vitit 2025 të “Belfer Center” mbi teknologjitë kritike dhe në zhvillim, Izraeli renditet i 19-ti në botë – më mirë se çdo vend tjetër në Lindjen e Mesme.
Ekonomia dhe qëndrueshmëria
Izraeli ka treguar qëndrueshmëri gjatë konflikteve të fundit, duke qëndruar ekonomikisht aktiv pavarësisht se ndodhet në luftë për më shumë se 20 muaj. Por mbajtja e një ushtrie të madhe dhe një ekonomie të luftës kërkon burime të konsiderueshme. Në vitin 2023, shpenzimet ushtarake përbënin 8.8% të Prodhimit të Brendshëm Bruto më shumë se çdo vend tjetër përveç Ukrainës. Këtë vit, me luftën kundër Iranit dhe ofensivën në Gaza, pritet që buxheti i mbrojtjes të tejkalohet me mbi 30 miliardë shekelë (rreth 9 miliardë dollarë). Kjo është një barrë që ekonomia izraelite nuk mund ta përballojë pafundësisht.
Varësia nga SHBA
Pavarësisht suksesit ushtarak, Izraeli nuk do ta kishte përballuar luftën pa ndihmën masive të Shteteve të Bashkuara. Në 12 muajt pas 7 tetorit, ndihma amerikane kap vlerën e 18 miliardë dollarëve – përfshirë armë, municione dhe ndihmë logjistike. Edhe pse Izraeli prodhon shumë nga armatimet e tij, mbetet i varur nga SHBA për pajisje të avancuara si avionët F-35 apo raketat për sistemet e mbrojtjes ajrore.
Dobësia në fuqinë e butë
Aty ku Izraeli ngec më shumë është në “fuqinë e butë”, ndikimi kulturor dhe perceptimi ndërkombëtar. Qeveria aktuale është kritikuar për retorikën dhe veprimet e saj, sidomos në Gaza, duke përkeqësuar imazhin e Izraelit në opinionin publik në Europë dhe Shtetet e Bashkuara. Kjo ka sjellë pasoja konkrete: embargo armësh, kërcënime për ndërprerje marrëdhëniesh dhe bojkot ekonomik. Në renditjen ndërkombëtare për “vendet më me ndikim kulturor”, Izraeli renditet i 46-ti.
Izraeli është më i fuqishëm se kurrë në aspektin ushtarak dhe teknologjik, por mbetet një vend i vogël për të marrë rolin e superfuqisë rajonale. Varësia nga ndihma amerikane, sfidat ekonomike dhe mungesa e ndikimit të butë janë pengesa thelbësore. Ndërsa Netanyahu premton vendosmëri dhe siguri, ka shenja të qarta se arroganca pas fitores mund ta çojë Izraelin drejt një angazhimi të gjatë e të lodhshëm në një rajon të paqëndrueshëm.