Kisha Serbe, në luftë apo jo?

KISHA SERBE, NË LUFTË APO JO?…

Jusuf Buxhovi

-Reagim ndaj shkrimit të Peshkopatës Rashkë-Prizren në gazetën “Kosovo-online” të datës 21 mars rreth deklaratës sime në emisionin “Konfront” të Kohavizionit ku flitet për rolin e Kishës Ortodokse si pjesë e luftës së soldateskës jugosllave për arritjen e qëllimeve hegjemoniste gjatë shkatërrimit të ish Jugosllavisë, me ç’rast, krahas ndërtimit të kishave të dhunshme, siç ishte ajo në hapësirat e universitetit të Prshtinë, klerikët e saj bekuan gjenocidin ndaj boshnjakëve në Srebrenicë dhe gjetiu siç përkrahen edhe etnocidin ndaj shqiptarëve në Kosovë.

Jusuf Buxhovi
Këtë pyetje ngrit publicisti i njohur serb Milorad Tomaniq në librin “Srpska crkva u ratu i ratovi u njoj” (Kisha serbe në luftë dhe luftërat brenda saj – përkthyer në shqip nga botuesi “Camaj” 2006). Porosia që del nga libri i Tomaniqit është se kisha serbe, gjatë shekujve, ka marrë pjesë drejtpërdrejt në luftërat hegjemoniste serbe, qoftë duke i bekuar ato në planin ushtarak si “luftëra të drejta”, qoftë duke marrë pjesë në platformat për gjenocidet dhe etnocidet e kryera ndaj kroatëve, boshnjakëve dhe shqiptarëve gjatë viteve 1991-1999, që për t’u parandaluar u desh edhe ndërhyrja ushtarake e NATO-s e mars-qershorit të vitit 1999 ndaj caqeve policore dhe ushtarake në Kosovë dhe Serbi!
Pra, sipas Tomaniqit, kisha serbe, në planin shpirtëror dhe atë ushtarak, shfaqet frymëzuese dhe përkrahëse e luftërave hegjemoniste të serbëve. Kjo lidhet edhe me traditën e kësaj që kishte nga Kriza Lindore e këndej, gjithnjë nën platformën e mbrojtjes së popullit serb nga “zullumi i arnautashve”, për pushtime të hapësirave etnike të shqiptarëve në drejtim të Kosovës, Maqedonisë dhe veriut të Shqipërisë, që u kurorëzuan me pushtimin e tyre gjatë luftërave ruso-osmane të viti 1877-1878 si dhe atyre ballkanike të vjeshtës së vitit 1912 dhe dimrit të vitit 1913.
Me shembuj të shumtë, autori ilustron këto pikëpamje, duke e kthyer atë në bashkëpjesëmarrëse të gjenocideve dhe etnocideve të kryera nga soldateska serbe dhe jugosllave prerj më shumë se një shekulli.
Krahas përkrahjes së peshkopëve të njohur nga Bosnja dhe Hercegovina dhe Kroacia fushatave ushtarake jugosllave në Kroaci dhe atyre në Bosnje dhe Hercegovinë nga vitet 1991-1995, të përcjella me gjenocide (Srebrenicë, Foçë, Vukovar dhe Knini), dhe etnocide në këto vende për t’i krijuar hapësirën Serbisë së Madhe, autori sjell edhe emra të klerikëve serbë që përcollën shtabet ushtarake të Mlladiqit, Martiqit dhe gjeneralëve të tjerë nga armata jugosllave në fushatat e tyre në Kroaci dhe Bosnje e Hercegovinë! Po ashtu, përmenden edhe disa konaqe të manastireve serbe në Bosnje dhe Kroaci (Knin dhe Sllavoni) si qendra për rekrutim dhe depo armatimesh.
Se disa manastire serbe në Kosovë vazhduan të jenë depo ushtarake edhe pas shpalljes së saj shtet i pavarur për sigurinë e së cilës, në përputhje me rezolutën 1244 të KS të OKB-së, është përgjegjëse KAFOR-i, këtë e dëshmoi edhe diversioni i paramilitarëve të Radojqiqit ndaj policisë së Kosovës në Banjskë i vitit të kaluar, i filluar nga konaqet e manastirit serb me ç’rast aty u kapen edhe sasi të mëdha armësh dhe pajisje të tjera logjistike të destinuara për një fushatë të gjerë agresioni ndaj veriut të Kosovës.
Reagimi i Peshkopatës Rashkë-Prizren i fokusuar te deklarata ime për rrënimin, ose kthimin në muze të holokaustit objekti të kishës ortodokse serbe në hapësirën e Universitetit të Kosovës, si “pjesë e kulturës dhe historisë serbe”, që gjoja paraqet “skenarë për dëbimin e mëtutjeshëm të serbëve nga Kosova përmes sjelljes vandale të objekteve të tyre shpirtërore (manastireve)”, pohon fund e krye atë që e thotë edhe Tomaniq në librin e tij për platformën hegjemoniste të kishës ortodokse serbe “në emër të mbrojtjes së vlerave shpirtërore serbe në Kosovë dhe Metohi”, siç quhet Kosova prej tyre, qofshin ato edhe objekte të dhunshme, të ndërtuara gjatë fushatës ushtarake të Millosheviqit kundër Kosovës gjatë viteve 1991-1999, siç është kisha ortodokse në hapësirën e Universitetit të Prishtinës në vitin 1996, në inaugurimin e punimeve të së cilës, krahas Arkanit dhe njësive të tij paramilitare që gjakosnin Kosovën, mori pjesë edhe Patriarku Pavle, po ashtu një frymëzues i politikës militariste të Millsheviqit. Me këtë rast, janë të njohura fjalët e tij para militarëve serbë se “me ndërtimin e kësaj kishe, në Kosovën serbe – djep të shtetit dhe krishterimit serb nga mesjeta, serbëve po u rikthehet ajo që u është marrë me dhunë nga arnautashët dhe komunistët e Titos!”
Natyrisht se pas gjithë këtij demonstrimi klerikal-fashist ndaj Kosovës nga orgjitë e Gazimestanit e deri tek ndërtimi i objekteve të dhunshme kishtare siç ishte ai në Prishtinë, në vend se ato të konsideroheshin pjesë e fushatës për rrënimin e qenies kulturore dhe historike të Kosovës dhe ndaj tyre të reagohej në përputhje me masat ligjore, siç e theksova gjatë emisionit televiziv, në saje të prapaskenave të njohura politike nga kierarkia e larftë e puishtetarëve të Kosovës me faktorin ndërkombëtar, kisha e dhunshme legalizohet, me një skenar të tejdukshëm të mosparaqitjes së mbrojtjes juridike nga ana e përfaqësuesit juridik të Universitetit të Prishtinës, para gjykatës, siç ka ndodhur edhe me rastin e pronave të uzurpuara në Deçan nga Manastiri i atjeshëm!
Peshkopata e Rashkë-Prizrenit, e trimëruar nga sjellja antishtetërore e zyrtarëve të Universitetit të Prishtinës dhe të qeveritarëve të niveleve më të larta shtetërore, që është dashtë ta ndalin këtë “dhuratë” kishës ortodokse serbe si dhe mos të lejojnë që krishterimi ortodoks që u takon edhe shqiptarëve, të përvetësohet nga kisha ortodokse serbe, ngaqë kështu u jepen tapitë historike serbëve, pra në këto rrethana, Peshkopata kalon në ofensivë, duke vlerësuar argumentet e mia si “nxitje shoviniste ndaj popullit serb në Kosovë dhe historisë së tij mesjetare”!
Po ashtu, me të njëjtat shpifje sulmohet edhe teza për mashtrimet rreth shtetit mesjetar serb, të identifikuar me Rashkën e Nemanjajve, të bëra nga historiani S. Novajkoviq, libri i të cilit në universitetet amerikane, në saje të argumenteve që sjell vepra “Kosova”, ka humbë kredibilitetin ngaqë të ashtuquajturin “Kanun mesjetar të Perandorit Dushan” e falsifikon me përralla të klerikëve serbë nga Prizreni në shekullin XIX.
Në të vërtetë, reagimi i Peshkopatës Rashkë-Prizren, si dhe ato paraprakët nga Akademia Serbe e Shkencave dhe e Arteve të Serbisë pas botimit të “Kosovës” në pesë vëllime, përkthimit në anglisht në SHBA dhe depërtimit nëpër institucionet akademike amerikane dhe ato universitare ku ka fituar kredibilitetin e literaturës alternative për historinë e Europës Juglindore, trimërohen nga mosreagimi i institucioneve tona shkencore (Akademisë, Institutit të Historisë dhe atij Albanologjik) kundër propagandës hegjemoniste të historianëve serbë dhe kishës ortodokse serbe për përvetësimin e historisë së Kosovës dhe të trashëgimisë së saj kulturore, siç është krishterimi i zyrtarizuar në shekullin IV nga perandori Justinian, kur sllavët ishin në Karpate.
Ky reagimi, po ashtu, ka për qëllim që t’i frikësojë gjithë ata historianë, që marrin guximin të demitizojnë gënjeshtrat serbe për gjoja shtetin mesjetar serb në Kosovë si dhe gjoja autoqefalinë e kishës ortodokse serbe nga shekulli XIII kur ajo është fituar në vitin 1923. Kisha Ortodokse serbe, me “tapitë” historike që i ka fituar me Pakon e Ahtisarit, tashmë po reagon si shtet në shtet për t’ia përcaktuar sjelljet dhe limitet historiografisë sonë në përputhje me diktatin e saj të njohur hegjemonist!
Njëkohësisht me këtë reagim, ajo kërcënon edhe institucionet e Kosovës si dhe politikanët, që të ndalohet çfarëdo qasje historiografie ndaj kësaj problematike jashtë diskursit të politikës serbe të Beogradit, duke e konsideruar atë “sulm ndaj popullit serb dhe historisë së tij”!
Pra, po qe se i referohemi realitetit në Kosovë me ato që sjell libri i Tomaniqit, kisha serbe tashmë është në luftë me këdo që kundërshton tapitë historike që iu dhanë me Pakon e Ahtisarit, me ç’rast del në pah se në Kosovë ajo ndjehet dhe vepron si shtet në shtet!…
Pse jo?!…
….