Koalicioni Aleanca për Shqipërinë Madhështore nuk sjell thjesht një ofertë politike – sjell një vizion të qartë

Fjala e mbajtur në takimin përmbledhës të fushatës elektorale për kandidatin tonë në Qarkun e Tiranës z.Petrit Doda!

Shpetim Axhami

Të nderuar qytetarë,
Zonja dhe zotërinj,
E nderuara znj. Albana Vokshi, Drejtuese Politike për Kamzën dhe Vorën,
E nderuara znj. Ori Nebiaj, Deputete e Kuvendit të Shqipërisë,
I nderuari z. Ylber Valteri, Kryetar i Partisë Bashkimi Demokrat,

Dhe pa dyshim, nuk mund të mos përmend:
I nderuari mik, deputeti i sotëm dhe i pas 11 majit, z. Petrit Doda.

Kam kënaqësinë e veçantë të jem sonte me ju në këtë sallë të mrekullueshme – jo vetëm për nga prania juaj e ngrohtë, por edhe për mesazhin e fortë që do të dalë prej këtu. Dua t’ju falënderoj nga zemra të gjithëve, pa përjashtim, për përkushtimin, mbështetjen dhe vendosmërinë që keni treguar çdo ditë të kësaj fushate, përballë çdo presioni dhe shantazhi.

Sot nuk jemi mbledhur thjesht për të mbyllur një fushatë, por për të shënuar fillimin e një kapitulli të ri – për fëmijët tanë, për familjet tona, për një shoqëri më të drejtë dhe për Shqipërinë që duam.

Gjatë gjithë kësaj fushate kemi takuar mijëra prej jush. Kemi dëgjuar shqetësimet, shpresat dhe ëndrrat tuaja. Ajo që pamë në çdo qytetar ishte zhgënjimi i thellë ndaj qeverisë Rama – një regjim që ka kthyer pushtetin në mjet frike dhe përfitimi.

Pamë shkolla bosh dhe kulla të zbrazura, të moshuar të vetmuar, në vështirësi, punonjës të ndershëm të sektorit publik që heshtin nga frika, por shpresojnë për ndryshim. Ata nuk duhet të kenë më frikë. Ju siguroj se me qeverisjen tonë askush nuk do të humbasë vendin e punës për shkak të bindjeve politike.

Koalicioni Aleanca për Shqipërinë Madhështore nuk sjell thjesht një ofertë politike – sjell një vizion të qartë: shtet ligjor, zhvillim të qëndrueshëm ekonomik në çdo rajon, arsim dhe shëndetësi dinjitoze, dhe mbi të gjitha – një Shqipëri ku të rinjtë qëndrojnë për të ndërtuar të ardhmen e tyre.

Më 11 maj, keni në dorë të zgjidhni: • Mes propagandës dhe programit tonë.
•Mes shpopullimit dhe mbështetjes së familjes.
•Mes analfabetizmit funksional dhe një arsimi cilësor.
•Mes spitaleve që sëmurin dhe një shëndetësie që shëron.
•Mes burgosjes për faturat e papaguara dhe mbështetjes ekonomike për të dobëtit
•Mes varfërisë dhe një ekonomie me paga e pensione të rritura, me taksa të ulëta dhe minimum jetik.

Jo, kjo qeveri nuk do t’i mashtrojë më shqiptarët!
Po, shqiptarët do të dinë të zgjedhin!
Do të zgjedhin numrin 1 – Aleancën për Shqipërinë Madhështore!

Të dashur pjesëmarrës, legalistë, demokratë, ballistë, qytetarë me ose pa parti – ka ardhur momenti i ndryshimit! Ai vjen më 11 maj me votën tuaj!

Partia Lëvizja e Legalitetit është bashkuar me bindje të plotë në këtë koalicion, si e vetmja forcë e aftë dhe mundshme për të rrëzuar këtë qeveri. Çdo shpërndarje vote, tek kushdo subjekt tjetër zgjedhor, dëmton këtë qëllim madhor tonën!

Për Qarkun e Tiranës ne përfaqësohemi krenarisht me z. Petrit Doda, si në vitin 2021. Ai është një politikan dhe intelektual me vizion, me sukses në ekonomi, biznes dhe sot në politikë. Një familjar i përkushtuar, pasardhës i një familjeje fisnike nga Dibra – nga ato që kanë nderuar pushkën dhe fjalën, nga Dibra e dibranëve të mendjes që nuk kanë aspak lidhje me batuat bajate të KM në ikje me 11 Maj Edi Rama.

Në vitin 2021 z.Doda ishte i renditur i 32-ti, por doli i 9-ti në vota – një provë e qartë e mbështetjes popullore dhe e besimit që gëzon, besim e votë tuajën që jam i bindur e gëzon dhe meriton edhe sot.
Petrit Doda është zëri që na përfaqëson me dinjitet dhe dera e hapur për çdo qytetar.

Prandaj, më 11 maj 2025, ju ftoj të gjithë:
Të bashkohemi, duke lënë menjëanë çdo rezervë tonën mes veti, – të bashkohwmi pa inate, pa ndasi, vetëm me një qëllim të përbashkët:
Të ndryshojmë Shqipërinë.
Të votojmë të gjithë Nr. 1 – Aleancën për Shqipërinë Madhështore.
Dhe në Tiranë, të votojmë z. Petrit Doda.

Zoti ju bekoftë ju, familjet tuaja dhe Shqipërinë tonë të dashur!
Fitore! Fitore! Fitore!