Kryetari Hyseni: Gjilani, shembull i suksesit në arsimin dual

Është bërë certifikimi i nxënësve të Shkollës së Mesme të Lartë Profesionale “Sahit Baftiu” në Gjilan, ku të pranishëm ishin edhe kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, bashkë me ministren Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, zv. ministrin Arsim Ademi si dhe drejtori i GIZ Kosova, Mario Eckardt.

I pari i Gjilanit, tregoi se së bashku me ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci, morën pjesë në certifikimin e gjeneratës së parë të kuzhinierëve në shkollën “Sahit Baftiu” në Gjilan.

“Ky është një hap i madh për arsimin dual në komunën tonë, një model që lidh shkollën me jetën reale dhe përgatit të rinjtë për tregun e punës”, tha Alban Hyseni.

Sipas tij Gjilani, është shembull i suksesit në arsimin dual.

Kryetari i komunës, uroi nxënësit, stafin dhe të gjithë ata që kontribuan në këtë sukses. Gjilani do të vazhdojë të mbështesë fuqishëm arsimin profesional.

Ministrja e Arsimit, tha se kjo është dëshmi konkrete e rezultateve të politikave arsimore të ndërmarra në tri vitet e fundit, në bashkëpunim të ngushtë me partnerët zhvillimorë dhe sektorin privat.

“Pilotimi i parë në Kosovë u realizua në vitin 2022 me vetëm katër shkolla në tri komuna, ndërsa sot, ky model është zgjeruar në 27 shkolla profesionale në 15 komuna të vendit dhe po tregon rezultate konkrete”, tha Arbërie Nagavci.

Drejtori i GIZ-it në Kosovë, Mario Eckardt, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit afatgjatë mes institucioneve të Kosovës dhe partnerëve ndërkombëtarë në zhvillimin e arsimit profesional.

Ai vlerësoi përkushtimin e të gjitha palëve të përfshira në zbatimin e modelit të arsimit dual.