Kurrë nuk gënjehet aq shumë sa para zgjedhjeve, gjatë luftës dhe pas gjuetisë!
Ka thënë kancelari gjerman Otto von Bismarck (1815-1898).
Nuk thuhen asnjëherë më shumë gënjeshtra se sa para zgjedhjeve, gjatë luftës dhe mbas gjuetisë.
Në këto tri raste, gënjeshtra është një qëllim i madh dhe cilësi e këtyre profesioneve. Politikanët gënjejnë se premtojnë shumë më tepër se sa kanë në mend, dhe sa munden në momentin para zgjedhjeve, duke vërtetuar pas tyre se nuk realizojnë ato që thonë. Gjeneralët gënjejnë si për strategjitë fituese, si për armët, si për numrat, si për fitoret, si për territoret dhe shumë të tjera përfshirë dhe të vrarët dhe të plagosurit. Kurse gjuetarët gënjejnë për ata që kanë vrarë në gjueti, duke shumëfishuar dhe zmadhuar gjahun.
Pra gënjeshtra është një model prezantimi, ecje dhe rrugë modeli, që funksionon te këto kategori, por që në fund të fundit është një gënjeshtër. E mbi gënjeshtrën sidomos te kjo e thënë, është ngritur dhe modeli, sepse thuhet gënjeshtra nga politikanët dhe pastaj votohet duke pasur parasysh dhe gënjeshtrën, sigurisht.
Kurse gjeneralët e bëjnë aty për aty dhe vetëm gjuetarët janë më të pa dëmshmit, sepse gënjeshtrën e kanë vetëm për famë dhe asgjë tjetër, sepse kanë vrarë shumë më pak dhe kështu kanë bërë dëm shumë më pak. Gënjeshtra është një nga modelet shumë të këqija në politikë dhe pavarësisht se kush apo si, por një faj të madh e kanë dhe të gënjyerit.
Sot, sigurisht gënjeshtrat janë të zbulueshme dhe të verifikueshme shumë më lehtë se në kohën kur flet Bismarcku, por faji i atyre që gënjehen është shumë më i madh, pikërisht sot.
Bundeskancelieri ka thënë dhe një batutë tjetër të bukur që thotë kështu: “politika nuk është një shkencë, por një art”. Ai pikërisht këtë ka sqaruar për të justifikuar gabimet e saj, por jo fajet.
Ndryshimi nga faji te gabimi është gjithmonë dhe prandaj politika nuk mund të jetë një shkencë, apo një gjë pa gabime, por një art që ka gabime dhe pa saktësi si dhe subjektivizëm, por gjithsesi jo deri në faj. Duke qenë art, ka mundësinë e gabueshmërisë, por sigurisht dhe të korrigjimit, por në momentin që kemi gënjeshtër dhe faj, politika kthehet në një model vrastar të ideve dhe të njerëzve, por dhe të mendimit filozofik në përgjithësi.
Njerëzit e lirë as s’ gënjejnë dhe as s’mashtrojnë, sepse nuk e shikojnë si pjesë të lirisë politike dhe as jetike. Bismarcku thotë se: nuk ka përdorim fjale që sot i bëhet një abuzim aq i madh se sa ajo me fjalën LIRI, sepse Liria nuk mund të ndërtohet mbi gënjeshtër dhe mbi përdorimin e saj. Njerëzit nuk mund të konsiderohen të lirë, pse gënjejnë, një politikan nuk është njeri i lirë, nëse gënjen dhe mashtron në fushatë dhe në luftë por dhe mbas gjuetisë! Liri, nuk do të thotë që të jesh krenar dhe i zgjedhur se gënjen, dhe pastaj të gënjyerit të zgjedhin për gënjeshtrat që thua. Pinokëzimi i politikës si pasojë e qeverisjes është një model shpërdorimi i lirisë dhe padyshim varrosje e demokracisë.
Gënjeshtra, përveç që është e vjetër, është edhe helm i ndërgjegjes, e cila me këtë banalitet akut jeton dhe po përdoret me të madhe tek ne.
Atëherë, shumë suksese gjuetarëve në male e politikanëve në gjahun për vota!
Sebastian Sinani
Themelues i Këshillit Atlantik të Kosoves