LEONI XIV është Papa i ri: “Paqe për mbarë botën. Zoti na do të gjithëve!”


Fatmir Koliqi Off Aktualitet, Kisha në Botë

Konklava zgjodhi Kardinalin amerikan Robert Francis Prevost si ipeshkvin e 267-të të Romës, Papën e ri të Kishës Katolike. Në përshëndetjen e parë para 100.000 besimtarëve në sheshin e Shën Pjetrit: “Dua të falënderoj të gjithë vëllezërit e mi kardinalë që më zgjodhën të jem Pasardhësi i Pjetrit dhe të ec me ju, si një Kishë e bashkuar që kërkon drejtësi.” E kujtoj Papa Françeskun dhe ftoi për paqe në botë, të krijohen ura dhe të ecim bashkë për të shpallur Krishtin e Ngjallur të gjithë njerëzve.

Pas lajmit solemn të protodiakonit “Habemus Papam”, në orën 19.23, Papa i ri, Leoni XIV i drejtoi këtë përshëndetje Romës dhe botës nga Lozha qendrore e Bazilikës së Vatikanit:

“Paqja qoftë me ju të gjithë!

Të dashur vëllezër e motra, kjo është përshëndetja e parë e Krishtit të Ngjallur, Bariut të Mirë që dha jetën e tij për grigjën e Hyjit. Edhe unë do të doja që kjo përshëndetje paqeje të hyjë në zemrat tuaja, të arrijë në familjet tuaja, tek të gjithë njerëzit, kudo që janë, tek të gjithë popujt, në të gjithë tokën”. Paqja qoftë me ju!

Kjo është paqja e Krishtit të Ngjallur, një paqe e çarmatosur dhe një paqe çarmatosëse, e përvujtë dhe këmbëngulëse. Vjen nga Zoti. Zoti që na do të gjithëve, pa kushte”. “Ende e kemi në vesh atë zë të dobët, por gjithmonë të guximshëm të Papës Françesku, që bekoi Romën. Papa që bekoi Romën, ia dha bekimin e tij botës, të gjithë botës, atë mëngjes Pashke”.

“Më lejoni – vazhdoi Papa i ri Prevost – të vazhdoj me të njëjtin bekim: Zoti na do, Zoti na do të gjithëve dhe e keqja nuk do të ngadhënjejë! Ne jemi të gjithë në duart e Zotit. Prandaj, pa frikë, të bashkuar dorë për dore me Zotin dhe me njëri-tjetrin, le të ecim përpara. Ne jemi dishepuj të Krishtit, Krishti na prin. Bota ka nevojë për dritën e Tij. Njerëzimi ka nevojë për Të si urë për të shkuar te Zoti dhe te dashuria e Tij.

Na ndihmoni edhe ju, ta ndihmojmë njëri-tjetrin, për të ndërtuar ura me dialog, me takim, duke u bashkuar të gjithë për të qenë një popull i vetëm, gjithmonë në paqe. Faleminderit Papa Françesku!

Gjithashtu, dua të falënderoj të gjithë vëllezërit e mi kardinaj, që më kanë zgjedhur të jem Pasardhësi i Shën Pjetrit. Të ecim së bashku me ju si një Kishë e bashkuar, duke kërkuar gjithmonë paqen, drejtësinë, duke u përpjekur të punojmë si gra e burra besnikë ndaj Jezu Krishtit, pa frikë për të shpallur Ungjillin, për të qenë misionarë”.

Unë jam një bir i Shën Augustinit, augustinian, i cili tha: “Me ju jam i krishterë dhe për ju ipeshkëv”. Në këtë kuptim të gjithë së bashku mund të ecim drejt atdheut që Zoti na ka përgatitur.

Për Kishën e Romës një përshëndetje e veçantë! Duhet të kërkojmë së bashku si të jemi një Kishë misionare, një Kishë që ndërton ura, dialog, gjithmonë e hapur për të pranuar si ky shesh me krahë hapur. Të gjithë, të gjithë ata që kanë nevojë për bamirësinë tonë, praninë tonë, dialogun tonë dhe dashurinë tonë.

Dhe nëse më lejoni një fjalë, një përshëndetje për të gjithë dhe veçanërisht për dioqezën time të dashur të Chiclayo, Perù, ku një popull besnik e shoqëroi ipeshkvin e tij, e ndau besimin e tij dhe dha shumë, aq shumë për të vazhduar të jetë një Kishë besnike e Jezu Krishtit.

Për të gjithë ju, vëllezër e motra të Romës, të Italisë, të gjithë botës, ne duam të jemi një Kishë sinodale, një Kishë që ecën, një Kishë që kërkon gjithmonë paqen, që kërkon gjithmonë bamirësi, që përpiqet të jetë gjithmonë pranë, veçanërisht atyre që vuajnë.

Sot është dita e Lutjes drejtuar Zojës së Pompeit. Nëna jonë Virjgëra Mari dëshiron gjithmonë të ecë me ne, të jetë pranë nesh, të na ndihmojë me ndërmjetësimin dhe dashurinë e saj.

Atëherë dua të lutem së bashku me ju. Le të lutemi së bashku për këtë mision të ri, për të gjithë Kishën, për paqen në botë dhe le ta kërkojmë këtë hir të veçantë nga Maria, Nëna jonë”.

Përshëndetja e Papës përfundoi me lutjen drejtuar Marisë Virgjër “Të falim Mari”, dhe pastaj bekimin Urbi et Orbi dhe dhënien e ndjesës së plotë./drita.info