Londër, udhëheqësit europianë takim të nivelit të lartë për një plan paqeje për Ukrainën

Udhëheqësit nga e gjithë Evropa mbajnë një takim të nivelit të lartë në Londër me Presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy për të diskutuar një plan paqeje për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë dhe për forcimin e mbrojtjes në të gjithë kontinentin. Takimi i së dielës pason takimin e tensionuar mes dy udhëheqësve zotit Zelenskyy dhe Presidentit amerikan Donald Trump. Kryeministri britanik Keir Starmer tha se Britania, Franca dhe Ukraina kanë rënë dakord të punojnë për një plan armëpushimi, që do t’i paraqitet SHBA-ve.

Londër, udhëheqësit europianë takim të nivelit të lartë për një plan paqeje për Ukrainën
Embed share
Londër, udhëheqësit europianë takim të nivelit të lartë për një plan paqeje për Ukrainën

“Një moment jetik për sigurinë e Europës…”

Kështu deklaroi kryeministri britanik Keir Starmer gjatë një takimi të nivelit të lartë që po mbahet në Londër në përpjekjet për mbrojtjen e Ukrainës dhe kontinentit.

Britania, Franca dhe Ukraina kanë rënë dakord të punojnë për një plan armëpushimi, që do t’i paraqitet Uashingtonit, tha kryeministri britanik.

“Ne kemi rënë dakord që një grup prej nesh do të punojë me Ukrainën për një plan për të ndaluar luftëndhe më pas do ta diskutojmë atë me SHBA-në dhe kështu mund të ecim përpara së bashku. Kjo është vërtet e rëndësishme dhe ky është fokusi i këtij takimi”, deklaroi ai.

Kritikat e Presidentit Donald Trump ndaj Presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskyy në Shtëpinë e Bardhë të premten kanë hedhur hije mbi takimin e nivelit të lartë në Londër, por Kryeministri Starmer tha se vazhdon të jetë i përqendruar që takimi sotëm të shërbejë si një urë lidhëse për rikthimin e bisedimeve të paqes.

“Ky takim është një hap i rëndësishëm përpara pas asaj që ndodhi të premten. Takimi i sotëm është një moment për t’u bashkuar, për të diskutuar për ta bërë Ukrainën të pavarur dhe të jemi të sigurt që nuk do të ketë një aggresion të ardhshëm. Ne do të diskutojmë se si mund t’i ofrojmë më shumë mbështetje Ukrainës tani, sepse edhe pse Rusia flet për paqe, po e vazhdon agresionin e pamëshirshëm”, tha Kryeministri Starmer.

Që nga e premtja, Kryeministri Starmer dhe Presidenti Macron kanë biseduar dy herë në telefon me Presidentin Trump.

Edhe kryeministrja italiane Giorgia Meloni deklaroi se Perëndimi duhet të qëndrojë i bashkuar në mbështetje të Ukrainës. Ajo e cilësoi takimin në Londër si një moment vendimtar.

Kryeministri i Britanisë Keir Starmer dhe Kryzeministrja italiane Giorgia Meloni
Kryeministri i Britanisë Keir Starmer dhe Kryzeministrja italiane Giorgia Meloni
“Unë mendoj se është shumë, shumë e rëndësishme që ne të shmangim rrezikun që Perëndimi të përçahet. Për këtë, Britania e Madhe dhe Italia mund të luajnë një rol të rëndësishëm në ndërtimin e urave”, deklaroi kryeminsitrja italiane e cila gjithashtu konfirmoi se kishte komunikuar në telefon me presidentin amerikan Donald Trump.

Takimi i Londrës ka marrë një rëndësi më të madhe në përpjekjet për mbrojtjen e Ukrainës dhe kontinentit.

Takimi i nivelit të lartë ka të ngjarë të përfshijë bisedime për krijimin e një force ushtarake evropiane që do të dërgohet në Ukrainë për të mbështetur një armëpushim të mundshëm. Kryeministri Starmer tha se ai nuk i beson Presidentit rus Vladimir Putin, por i beson Presidentit Trump.

Shefi i NATO-s Mark Rutte dhe presidenti polak Andrzej Duda i kanë kërkuar udhëheqësit ukrainas të gjejë një mënyrë për të rivendosur marrëdhëniet me Uashingtonin.

Rubio: Nuk kam folur me Zelenskiyn që nga takimi i së premtes

Po këtë të diel Sekretari amerikan i Shtetit Marco Rubio tha në një intervistë për mediat amerikane se nuk kishte folur me presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskiy që nga takimi i së premtes në Zyrën Ovale me Presidentin Donald Trump.

Në Gjermani, pavarësisht se ende nuk është formuar qeveria e re, partitë që janë në bisedime po diskutojnë për krijimin e shpejtë të dy fondeve speciale me vlerë qindra miliarda euro, një për mbrojtjen dhe një të dytë për infrastrukturën.

Sipas agjencisë së lajmeve Reuters ekonomistët që këshillojnë partitë që pritet të formojnë koalicionin qeveritar thanë se do të shpenzohen 400 miliardë euro për mbrojtjen dhe deri në 500 miliardë euro për infrastrukturën.

Lavrov kritika Evropës për mbështetjen ndaj Ukrainës

Nga ana tjetër, Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov vlerësoi të dielën qëllimin e Presidentit amerikan Donald Trump për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, por akuzoi fuqitë europane se kërkojnë të zgjasin konfliktin.

Ministri Lavrov gjithashtu hodhi poshtë idetë e BE-së për dërgimin e një kontigjenti paqeruajtëssh evropianë dhe tha se Rusia nuk kishte besim në Ukrainë pas rënies së marrëveshjeve të Minskut.

E ndërsa diskutohet për një paqe mes Rusisë dhe Ukrainës, një sulm me dron rus të dielën në qytetin ukrainas Kherson vrau një person dhe plagosi gjashtë të tjerë. Në anën tjetër të lumit Dnieper, zyrtarë të emëruar nga Moska në pjesën e kontrolluar nga Rusia të rajonit Khersonit thanë të dielën se dy persona vdiqën nga bombardimet ukrainase.

Moska dërgoi 79 dronë sulmues në Ukrainë gjatë natës së të dielës, thanë zyrtarët ukrainas. Sipas Forcave Ajrore të Ukrainës, 63 dronë u shkatërruan. 16 dronë të tjerë u bllokuan në mënyrë elektronike. Marrë nga Associated Press/voa/xlpress.tv/