Cancel Preloader

LOVE IS A LOSING GAME, SHPIRT.

 LOVE IS A LOSING GAME, SHPIRT.

LOVE IS A LOSING GAME, SHPIRT.

Vlora ZN. Ademi

Tash që gjethet e gështenjës kanë fillue me u përtokë,
xhamat e dritares përballë saj me u avullue,
ty t’i ndërmend dashunitë e tana grave kjo stinë.

Te njena ma ke kërkue trazimin.
Te nji tjetër dalldinë.
Te tjetra mbas saj lëkurën.

Love is a losing game, shpirt.

Boshi t’ka ba me kërkue n’dër fustane me lule, tuj e ngatërrue dashuninë me pranverën,
por ajo asnjiherë banue nuk ka vetëm ndër basme e dantella.

Dikush tha se banon te duert.

Dhe mesiguri i ashtë dashtë me i fshi buzët për mëngësh, sa herë duer grash të pabinduna ka puthë.

Kurse ti

Te njena ma kërkue padurimin.
Te nji tjetër kthimin.
Te tjetra mbas saj lirinë.

Love is a losing game, shpirt.

E ke thirrë dashuninë me emna të gabuem.

Sikurse m’ke kërkue nëpër dyer me numra t’kthyem mbrapsht.

Dashunia nuk ka adresë.

Dikush tha se ajo nuk ka as të tashme.

Dhe mesiguri i ashtë dashtë me i zhveshë muret nga piktura grash me flokë ngjyrë gruni.

Ndërsa ti, kot ke vazhdue me u palavitë trupave të tyne tuj e kërkue ngjasimin ndër emna shenjtëneshash.

Dhe njiqind herë ke vdekë mbi portretet e tyne, pa e kuptue se
asnji dashuni nuk e zen vendin e nji tjetre.

Ajo mundet me qenë edhe losing game, shpirt.

Por prap nuk e përthekojnë kornizat.

Sepse asht e lirë.

Veç e lirë, shpirt.

I ke lutë gratë e botës me e mbajtë kryqin e fajeve tua mbi lëkurë të bardha mes gjinjëve,
por ti kurrë nuk e ke kuptue
ku lutja e tyne fillon
ku mëshira,
e ku mallkimi.

Sepse ato janë veç të lira.

Krejt të lira, shpirt.

Dikush tha se ajo ka vetëm të kalueme.

Dhe mesuguri i ashtë dashtë me i thye tana pasqyrat mbi të cilat e ka portretizue po kaq gabim shëmbëllimin e saj.

Kurse ti,
gjithçka të mungueme në to,
tek unë me i gjetë ke dashtë.

Mungesë e egos me t’u ba.

Sikur të sotmet e tua.
Sikur të nesërmet e mia.

Prandaj,
Kot do me i vjerrë shpresat degëve të zhveshuna që po luhaten përtej xhamave këtë stinë,

love is a losing hand, shpirt.

Ikë e s’vjen prap.

©️V.

    XLPress

    Postime të ngjashëm