Macron njofton 112 miliardë dollarë investim në IA

“Kjo është një epokë e re përparimi,” tha Macron, duke theksuar se IA-ja duhet të shërbejë si një “asistent” në vend që t’i zëvendësojë punët e njerëzve.
Macron njofton 112 miliardë dollarë investim në IA / Photo: AA
Presidenti francez Emmanuel Macron ka njoftuar një investim prej 109 miliardë eurosh (112 miliardë dollarë) në inteligjencën artificiale (IA) gjatë viteve të ardhshme.

Duke folur për transmetuesin publik France 2 të dielën përpara samitit të tretë të AI në Paris, Macron theksoi nevojën për bashkëpunim dhe rregullim ndërkombëtar.

“Kjo është një epokë e re përparimi,” tha Macron, duke theksuar se IA-ja duhet të shërbejë si një “asistent” në vend që t’i zëvendësojë punët e njerëzve.

Ai theksoi aplikimet në mjekësi, ku IA-ja mund ta përmirësojë parandalimin, zbulimin dhe trajtimin e sëmundjeve duke i lejuar profesionistët e kujdesit shëndetësor të fokusohen më shumë në kujdesin ndaj pacientit.

Investimi vjen pasi Franca kërkon të mbajë ritmin me zhvillimet globale të inteligjencës artificiale, duke përfshirë iniciativën amerikane “Stargate”, për të cilën Presidenti i ShBA-së Donald Trump premtoi 500 miliardë dollarë.

– Samiti i IA-së në Paris

Samiti i IA-së, i bashkëkryesuar me Indinë, i caktuar për në 10-11 shkurt në Paris, do të bashkojë liderët botërorë, drejtuesit e teknologjisë dhe politikëbërësit për të diskutuar sfidat etike, politike dhe ekonomike që rrethojnë AI.

Ky do të jetë samiti i 3-të i organizuar në mbarë botën në këtë fushë.

Macron ka njoftuar se deri në 100.000 profesionistë të rinj do të trajnohen në fusha të lidhura me AI, më shumë se dyfishi i shifrave aktuale.

Gjatë samitit, Franca pritet të shpallë krijimin e një institucioni me bazë në Paris, i fokusuar në diversifikimin e ekosistemit të IA-së përmes investimeve në infrastrukturë.

Më shumë se 1.000 pjesëmarrës, duke përfshirë udhëheqës nga mbi 80 vende, do të marrin pjesë. Pjesëmarrësit e profilit të lartë përfshijnë kryeministrin indian Narendra Modi, Presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, kancelarin gjerman Olaf Scholz, kryeministrin grek Kyriakos Mitsotakis, kryeministrin armen Nikol Pashinyan dhe nënpresidentin e ShBA-së James David Vance.

Udhëheqësit e teknologjisë nga Microsoft, OpenAI, Google, Anthropic dhe Sakana AI do të jenë gjithashtu të pranishëm. Megjithatë, pjesëmarrja e pronarit të Tesla dhe X, Elon Musk mbetet e pasigurt.