Është mbajtur edicioni i radhës i Orës Letrare “Muza e Agimit”, aktivitet letrar në kuadër të Manifestimit tradicional kulturor, “Ditët e Agimit 2025”.
Poetë të përzgjedhur paraprakisht, sollën para të pranishmëve vlerat e tyre poetike, në këtë aktivitet me karakter garimi, e juria profesionale në përbërje: Anton Nikë Berisha, Linditë Ramushi Dushku e Xhevat Latifi, zgjodhën tri poezitë më të mira.
Kështu çmimi i parë i takoi poetit Xheladin Rexhepi (Ferizaj), çmimi i dytë poetes Zanë Mali (Viti) dhe me çmimin e tretë u vlerësua Muhamet Halili (Gjilan).
Ky manifestim u mbajt në SHMU “Agim Ramadani, në Zhegër të Gjilanit, vendlindja e heroit të kombit, Agim Ramadani.
Nënkryetarja e Komunës së Gjilanit, Leonora Morina Bunjaku, foli në emër të kryetarit, Alban Hyseni, në këtë manifestim që mbart emrin e një figure të shenjtë për të gjithë ne – heroit Agim Ramadani.
Ajo shtoi se Agim Ramadani, ishte njeri i mendimit, i guximit dhe i dashurisë së pamatë për atdheun. Ai i dha jetës kuptimin më të lartë – flijimin për liri. Por ai ishte edhe bashkëshort, edhe baba, edhe poet. Dhe këtë dhimbje e krenari e ndan më shumë se askush tjetër, sot këtu mes nesh, zonja Shukrije – e cila me dinjitet e zemër të madhe mban mbi supe kujtimin dhe lavdinë e tij.
“Sot jemi mbledhur këtu jo vetëm për të nderuar një emër, por një frymë që na udhëheq – Agim Ramadani, heroi i kombit, poeti i betejave dhe muzgu i flijimit për lirinë tonë”, tha Morina Bunjaku.
Nënkryetarja e Gjilanit, theksoi se manifestimi “Muza e Agimit”, është shumë më tepër se një aktivitet kulturor. Është një përkujtim i gjallë i shpirtit të tij luftarak dhe krijues, një urë që lidh pushkën dhe penën, zjarrin e betejës me zjarrin e fjalës.
Ajo shtoi, Agim Ramadani. nuk ishte vetëm një komandant i lavdishëm i UÇK-së, por edhe një njeri i mendimit të thellë, një poet që e kuptoi se liria nuk fitohet vetëm me armë, por edhe me vetëdije, me ndjenjë, dhe me varg. Sot, përmes poezive që do të recitohen nga poetët tanë, do të dëgjojmë zërin e tij në çdo fjalë, do ta ndiejmë frymën e tij në çdo varg.
“Kjo është një ditë për t’u përkulur me nderim, por edhe për t’u ngjitur me krenari në majat e kujtimit. Sepse heronjtë si Agimi nuk vdesin kurrë – ata jetojnë në gjakun e lirisë, në historinë tonë, dhe në artin që rrëfen për ta brez pas brezi”, tha nënkryetarja Leonora Morina Bunjaku.
Ajo falënderoi të gjithë për pjesëmarrjen dhe përkushtimin që mbajnë gjallë kujtimin e tij. Lavdi Agim Ramadanit.Lavdi të gjithë dëshmorëve të kombit. Rroftë fjala që frymëzon dhe bashkon.
Në këtë aktivitet ka folur edhe gruaja e Agim Ramadanit, Shukrija dhe pjesëmarrës të tjerë.
Po ashtu u pomovuan edhe librat “Agimi i Lirisë” nga Ibrahim Kadriu.