Netanyahu ka vendosur: Izraeli do të pushtojë Gazën

Zyra e Kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, ka konfirmuar të hënën se është marrë vendimi për të pushtuar Rripin e Gazës. Sipas një zyrtari të lartë, ky veprim është i domosdoshëm pasi Hamasi refuzon të lirojë pengjet pa një dorëzim të plotë nga ana e Izraelit.
“Ne do ta pushtojmë Rripin e Gazës. Vendimi është marrë,” citohet të ketë thënë zyrtari për Channel 12. “Nëse nuk veprojmë tani, pengjet do të vdesin nga uria dhe Gaza do të mbetet nën kontrollin e Hamasit.”
Në të njëjtën kohë, portali Ynet raporton se Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, i ka dhënë dritën jeshile Netanyahut për të nisur operacionin ushtarak, duke theksuar se të dyja palët, Izraeli dhe Uashingtoni, pajtohen se Hamasi nuk dëshiron një marrëveshje.
Nga ana tjetër, ky vendim po përballet me kritika të forta brenda Izraelit. Sipas BBC, rreth 600 ish-zyrtarë të sigurisë, përfshirë ish-krerë të agjencive të inteligjencës, i kanë dërguar një letër Presidentit Trump, duke i kërkuar atij të ushtrojë presion ndaj Izraelit për t’i dhënë fund menjëherë luftës. Ata argumentojnë se Hamasi nuk përbën më një kërcënim strategjik dhe se ndërprerja e luftës është mënyra e vetme për të kthyer pengjet.
Ndërkohë, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara do të mblidhet të martën, më 5 gusht, për të diskutuar fatin e 50 pengjeve të mbetura, një seancë e kërkuar nga Ministri i Jashtëm izraelit Gideon Sa’ar. Anëtarët e Këshillit pritet të votojnë për një rezolutë që bën thirrje për armëpushim dhe akses humanitar në Gaza.
Situata humanitare në Rripin e Gazës vazhdon të jetë kritike. Sipas Al Jazeera, tre persona u vranë në një bombardim izraelit në Deir el-Balah, ndërsa dy palestinezë të tjerë u vranë gjatë shpërndarjes së ndihmave humanitare. Ministria e Shëndetësisë e drejtuar nga Hamasi raporton se numri total i vdekjeve nga uria dhe kequshqyerja ka arritur në 180, përfshirë 93 fëmijë. Kujtojmë që këto raporte nuk mund të verifikohen në mënyrë të pavarur, pasi Izraeli nuk lejon gazetarët ndërkombëtarë dhe izraelitë të hyjnë në Gaza, raporton ANSA.