Fenomeni Parashqevi Simaku ngërthen ëndrrën e shqiptarëve për ta jetuar edhe një herë rininë e tyre të pajetuar. Dëshirën e pashuar për të provuar sado pak lumturi nga ajo që nuk e kishin të qartë se çfarë ishte në vitet ’80. Kishin frikë të guxonin. Vetëm ideja që ta provonin i tmerronte.
Fenomeni Parashqevi, mbi të gjitha, paraqet dëshirën e flaktë të shoqërisë shqiptare për t’iu rikthyer dinjiteti, atë që mendonin që dikur e kishin në shkallën më të lartë. Ajo që iu shkel e para sapo vunë këmbën jashtë Shqipërisë ‘krenare’.
Dashuria popullore për Parashqevinë shpjegohet vetëm brenda teorisë së narrativave, ku Parashqevia përbën një frame (një kornizë), që mund të kuptohet vetëm nëpërmjet narrativave kulturore.
Parashqevia është një ikonë për shqiptarët, ashtu si narrativa tragjike e Marilyn Monroe, James Dean, Jayne Mansfield, Janis Joplin deri te Anna Nicole Smith, që u bë ikonë në vitet ’90 pa asnjë lloj talenti apo pune, thjesht u bë celebrity se ishte celebrity. Ishte vajza e varfër teksase që u bë sex simbol nga asgjëja.
Parashqevia e gjetur në ‘rrugë të madhe’ paraqet fatin e mundshëm të miliona shqiptarëve që kanë marrë ‘rrugët e botës’ pa pasur asnjë lloj sigurie për jetën e tyre e të familjeve. Parashqevia zhvesh frikën e miliona grave shqiptare që fatin e lënë në duar të burrave.
Shqiptarët e panë atë të rritej në skenë si një vajzë të varfër, me zërin e ëmbël, me fytyrën engjëllore që shkëlqente. Menjëherë u identifikuan me të, me ëndrrat e saj të mëdha, shumë më të mëdha sesa mund t’i përmbante një Shqipëri aq e vogël në varfërinë e izolimin ekstrem të saj. Një Shqipëri që mbahej e blinduar.
Eltoni po e quan Parashqevinë Hirushe, duke përdorur një ‘frame’ tjetër popullore, se Parashqevia ishte Hirushja që trokiti në dyert e Tiranës, pastaj në dyert e New York-ut, duke ndjekur atë të paprekshmen, ëndrrën Hollywoodiane.
Shumë e gjykuan për këtë, këtë vajzë ‘fshatare’ që guxonte të ëndërronte. Po a gjykohen ëndrrat? A ka ëndrra të ndaluara?
Parashqevia ashtu si ikonat e tjera botërore provoi çka ishte body shaming, seksizmin, xhelozia e kolegëve të saj nuk përfundon as pas zbulimit të fatit të saj të tragjik. Ajo duhej të gjendej e droguar, apo edhe më keq, e prostituuar. Vetëm kështu shpirtrat e tyre të zinj do të gjenin pak paqe.
Por jo! Jo! Parashqevia shfaqet me po atë buzëqeshje, me po atë ëmbëlsi, me po atë sharm. Parashqevia Këndon. Këndon shqip.
Ndaj ajo rikthehet si një ëndërr mëngjesi nga ku askush nuk do të zgjohet. Ajo është diamanti i humbur, ari që e hodhën në baltë, por kur e nxorën kishte mbetur plot 24 karat.
Po jetojmë një ëndërr kolektive. Mos na e vrisni! Mos na e prishni lumturinë! Askush mos të guxojë se shqiptarët s’ju lejojnë!