PO T’MË KËPUS DORË E SAJ …
Sabit Rrustemi
( Poezi të shkruara fundprillit nëpër vite )
NË STINËN TIME
Hapet dita e qielli
ai syth blerosh në Çepur çelë
e thithë dritë
si shpirt yti në zemrën time
Ti më ngrohë kudo që je
më jep jetë e shpërthim të ri
si ky diell
Stinëve të jetës sime
Përherë je PranëVerë
( 28 prill 2010 )
NË KËTË TË DIELË FUNDPRILLI
Kjo e dielë fund prilli
e shkruan poezinë më të dielltë
për ty
imja Natyrë
Merrmë diku
nën ndonjë lulnajë pemësh
më streho
të t’më shijojë Ajo
Ta ndiej si më prekë
si më nuhatë
e mbushet erë
Dhe po t’më këpus
dorë e Saj
s’ do t’gjëmoj
Do t’lotoj së brendshmi
pa lëshuar zë
varrën e posahapur
përngadal do ta mbyll
Sall ajo
oh sall ajo të mos preket
e të kënaqet sadopak
Në këtë të dielë fund prilli
kur dielli kohë pas kohe
i a puthë buzë e faqe
edhe për mua
( 28 prill 2010 )
TEK AJO PARAJSË DASHURIE
E tëra je tek unë
përmes asaj stine të hershme
atyre drithmave që na mikluan
nëpër të tjera stinë
Sa rrugë shkelëm sa dritare cakërruam
përbiruar kthinave të padukshme të shpirtit
deri tek puthjet që ëndërruam
E tëra je tek unë
Përmidis trupit frymëmarrjen tënde dëgjoj
dhe atë puls zemre tek hapet e mbyllet
me një ritëm dashurie
Eci tutje drejt atij stacioni buzësh
një buqetë puthjesh mes gjuhësh kërkojmë
po sytë depërtojnë edhe më thellë
Në atë plazh shpirti
tek ajo parajsë dashurie ndalen
shtrihen e shkrihen pa reshtur
( 28 prill 2014 )
PA NJË VDEKJE MBES
Krejt harroj që është e Martë
kur më shfaqet ajo që e pres
brenda Jetës pa një Vdekje mbes
( 28 prill 2015
Ç’PËRRALLË E SHTIRUR
Ka kohë që nuk i numëroj ditët
datat
orët
Nëpër gjysmëdritëzash shpërgjumem shpresash
shtigjeve gjysmë të errëta përhumbem ëndrrave
e llampat e përshpirtshme nuk ndriqojnë në Notre Dam
e në Maje të Çepurit
ende
Sytë e Stinës jeshile
janë dehur diku udhëve pakrye të kësaj kohe
që keq është mbërthyer Pyllit të pashkelur të Brinjës
Shkove për t’u kthyer a mbete për t’mos ardhur
ti KoloVajzë andej Angrit
Fund e krye iu rashë brigjeve të këtij Lumi të Moçëm
Prita dhe t’lemen e Diellit te porta e fshehur e Kalasë
për t’ia prekur fundin ujit që s’lëviz pa qepikun tënd
e gjurmë loti a zemre që pulson nuk pashë
Në Shtëpinë e Jetës së Bekueme
aty ku nis e s’ndalet rrjedha e këtij Lumi
iu përgjërova Shënjtreshës Sonë
në emër të atij Betimi të marrë
S’di ndonjë Ujk Mali a Këlysh Konzervash udhën ta preu
nuk u doke as për be
e rr’fe
Sa thirravaje gjëmuan mbi dhera e nën dhera
Mali i Thirrës u dridh u rodh
e nuk gjegje
as rrezeve të diellit gjetheve përbirove
Më bëre me fol vetmeveti
para k’tij mali që rrëzohet
e k’tij Deti që digjet
Marrëzisht i besova Njomësisë sate
asaj Ëndrre që s’nxinet brenda një jete
pa më bërë fët mendja se më ke dalur bese
KoloVajzë e fshehur në bisht dhelpre
Lëre që gjuhën time e përpive
po edhe ujin e Angrit të Moçëm
me një lëvizje e ngrive
Ç’përrallë e shtirur dole
duke u stërsillur nëpër bole
( 28 Prill 2019 )
# Angri – emërtimi ilir i Moravës së sotshme.
SKUQJA E FJALËVE TË NGRËNA
Mund të lyhemi
të shlyhemi e të përlyhemi në pakufi
mundemi
si ajo loja e moçme
që emrin s’po ia di …
Unë të shtirem si gjarpër
e ti si bollë
trupit tim t’i hiqet një dredhë
fytyrës sate t’i vëhet një njollë
derisa sytë të na mbulohen me dhe
a ndonjë shollë
Po kur t’prishet moti
e një furtunë reshë të ndizet
t’na shenjëzojë e zjarrta vetëtimë
në të njëjtën çufrrajë Çepuri
mund të truçohemi prapë
natën ta gdhijmë
Atëherë
kush do të skuqet më shumë
zjarri që s’u ndez
a fjalët e ngrëna
që s’lanë vend me u pa më
( 28 prill 2019 )
( Fotografia: Në një nga takimet letrare në komunën e Vitisë… )