Primo SHLLAKU:Ekspozita «HOMAZH» nga arstisti i fotografisë, Fahredin Spahija

«REPUBLIKA»

Ekspozita «HOMAZH» nga arstisti i fotografisë, Fahredin Spahija, e cila u organizu në kuadër të Edicionit të 7 të Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë «REPUBLIKA» në ambienetet e Europe House në Prishtinë.

PORTRETE PERSONALITETESH

Nga Primo SHLLAKU

Ky album me fotografi personalitetesh shkrepë prej fotografit të mirënjoftun, Fahredin Spahija na vjen si nji surprizë e re. Të gjithë pothuejse burra, të gjithë të moshuem, në kapërcyell të 70ave, të gjithë pothuejse artista, të gjithë të kaluem amshim. Së bashku me këto premisa ata na kalojnë para syve në nji revistë slow-motion me ngarkesën e tyne të konsumimit jetësor, pothuejse gati si enë të zbrazëta nëpër të cilat kanë kalue, janë shtrue e janë konsumue “gjellë” të çmueshme që tashti janë diku tjetër, ndërsa ato – këto enë pra – qëndrojnë të fiksueme mbrenda nji solemniteti tashma të konsakruem prej synit të fotografit.

Aktorë teatri dhe filmi, shkrimtarë-poetë, muzikologë, na vijnë para syve si një përqendrim vlere që vetëm nji ekspozitë mund t’i bajë të gjithë bashkë. Pjesa ma e madhe e tyne, po t’u referohemi datave të fotografimit dhe datës së dytë katërshifrore, janë kapë nga Spahija në zgripin e pashmangshëm të jetës, në kohën e stadit të fundit ku figura njerëzore sublimohet mbrenda nji humaniteti universal, gati-gati nji kthim i shkurtë dhe i çuditshëm te fëmijënia, te njilloj lehtësimi fizionomik, ku karakteri zbehet dhe ndihet nevoja e pozës, pra me nji fjalë ndihet roli i madh pak a shum teatralizues i fotografit që, mbase edhe nuk e mostron pozën, por e sforcon modelin të shpërfaqë atë që ai dëshiron mbas shum dublash dhe kambënguljesh.

Kemi asish që janë vu me pozue organikisht si p.sh. Ibrahim Kodra, Muharrem Qena, Pipi Naqe e Violeta Rexheagiqi. Por jo ma pak i ngatërruem asht portreti i Bekim Fehmiut në sikletin e tij me idenë e flokëve të paplotë dhe përveshja e tij e lehtë e nji buze “boudeuse” , paradhanie lajmëruese e nji mendimi që e realizoi në fund, por nuk e pau. Portreti në profil i Rikard Ljares, me duert e gishtat si mjet “torture” që të prekin në ftyrë si qortim; sytë e ngritun nalt si nji detyrim “i detyrueshëm” për nji ateist (nëse edhe ishte i tillë) të Kadri Roshit na kujtojnë El Grekon dhe nji portret apostulli të tij. Vijojmë me Violeta Rexhepagiqin ku fotografi ka arritë me dhanë andrrën e përjetshme të nji grueje, rininë e përjetshme dhe bukurinë e pavyshkshme. Tek portreti i Kadaresë kemi nji portret realist dhe imponues të fizionomisë së tij natyrore dhe nji shikim që duket se kërkon dëshmitarë.

Por figura ma e arritun e kësaj ekspozite mund të quhet dhe mund të jetë ajo që na sugjeron portreti i Nusret Salihamixhiqit, nji foto e kompozueme dhe e vetëkompozueme, ku na duket se edhe subjekti në foto e ka ndie qëndrimin e tij, nji qëndrim i shkurtë në pushim, madje në boshllëk të mendes dhe të trajtave ekspresive, që len me u deshifrue plotësisht konsumimi fizionomik, mosha dhe krijesat që ajo qenie i ka hjedhë jashtë vetes për me i sigurue pavdekësi të vdekshmes. Ka nji shtendosje, nji qetësi dhe nji kënaqësi të pavertetueshme ai portret që na pëshpërit me njilloj sfide: shihni se unë kam krijue, shihni se unë kam jetue, shihni se unë e kam timen armën e sfidës.

Asnjeni nga portretet nuk e shpërfaq profesionin e jetës së figurave në veçanti, sepse ky lloj identiteti nuk arrin me dalë në vitrinën e ftyrës. Por të gjithë, pa asnji përjashtim, janë njerëz mendues, janë njerëz që kanë nji raport introspektiv me veten qoftë ky i fundit krenari, mendjemadhësi, frikë, pendim ose edhe përbuzje e studiueme e jetës.
Sfida e fotografit Fahredin Spahija duket se ka qenë kjo: me pru para spektatorit jo edhe aq figura të ndritshme të artit e të krijimtarisë, por ftyra të randueme prej mendimit, portrete të konsumueme prej krijimtarisë dhe sakrificës që kjo e fundit lyp prej njeriut.

Të gjitha këto figura e durojnë monumentalitetin dhe e kanë. Por pjedestali që ka zgjedhë për ta Fahredin Spahija asht vetëm vija e poshtme horizontale që i kufizon prej poshtë të gjitha këto foto.

Kjo shenjë e shpresës për vazhdimësi të shtimit të kësaj galerie asht flirti i heshtun e i domosdoshëm i artistit me egoizmin e vet…

Foto: Ferdi Limani