Promovohen librat “Sjellja dhe Komunikimi” për tri nivelet e para shkollore

Tri mësuese – një ëndërr të përbashkët që sot bën realitet, përmes promovimit të librave “Sjellja dhe komunikimi” për tri nivelet e para shkollore. Vlora Jakupi ka botuar librin për nxënësit e klasës së parë, Gëzime Bllaca-Sahiti për klasën e dytë dhe Yllka Behluli për klasën e tretë.
Gjatë promovimit të librave, në një fjalë rasti, drejtuesi i shtëpisë botuese “Magjia e Librit”, Besir Zyberi, tha se ka qenë një punë mjaft e vështirë deri në realizimin e këtij projekti.
Ai shtoi se librat janë punuar me përkushtim të veçantë nga autoret, të cilat, sipas tij, janë mësimdhënëse të vyera.

Lexo po ashtuTri mësuese nga Gjilani, një ëndërr të përbashkët – botuan librat që mësojnë sjelljen dhe komunikimin për tri nivelet e para shkollore
“Gjatë punës kemi vërejtur se ka mungesë të materialeve të tilla, prandaj kjo ka qenë arsyeja kryesore që kemi punuar në këtë drejtim”, u shpreh Zyberi.
Ndërkohë, kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, tha se këto nuk janë vetëm tekste shkollore, por edhe dritare për të punuar me nxënësit dhe mësimdhënësit.
Në përmbyllje të fjalës së tij, kryetari Hyseni ilustroi rëndësinë e dijes me një fjali të thellë:
“Liria është gjithmonë qëllim final, por në të njëjtën kohë mund të shërbejë si mjet dhe zhvillim final”.
Një nga autoret e librit “Sjellja dhe komunikimi 1”, Vlora Jakupi, u shpreh shumë e lumtur për këtë sukses, një projekt që i qëndroi afër zemrës.
Ajo theksoi se ideja për këtë libër erdhi nga përvoja dhe vëzhgimi i përditshëm në klasë, si ndihmesë për nxënësit dhe mësimdhënësit.
“Në këtë moshë, fëmijët janë si një faqe e bardhë, prandaj ky libër është artikuluar me shumë përkushtim. Ai është menduar si një mjet praktik për mësuesit dhe si një udhërrëfyes për jetën”, tha Jakupi.
Gëzime Bllaca-Sahiti, autore e librit “Sjellja dhe komunikimi 2”, theksoi se këta libra janë krijuar me shumë kujdes për të qenë në shërbim të nxënësve dhe mësimdhënësve, duke kontribuar në ndërtimin e një arsimi sa më cilësor.

“Librat që po promovojmë i përkasin mësimit zgjedhor, një hapësirë gjithnjë e më e rëndësishme në sistemin tonë arsimor. Përmbajtjet janë të strukturuara me aktivitete të menduara mirë për të stimuluar pjesëmarrjen aktive”, shtoi ajo.
Ndërsa, autorja e librit “Sjellja dhe komunikimi 3”, Yllka Behluli, tha se këta libra përfaqësojnë një hap drejt rritjes së fëmijëve si njerëz më të mirë, më të sjellshëm dhe më të përgjegjshëm.
Ajo theksoi se libri është hartuar me dashuri, profesionalizëm dhe një vëmendje të veçantë ndaj moshës dhe botës së fëmijëve të klasës së tretë.
“Libra të tillë edukimi janë më se të nevojshëm, sidomos në këtë kohë kur ndryshimet shoqërore dhe teknologjike janë të shpejta dhe të mëdha”, u shpreh Behluli.
Sipas saj, “Sjellja dhe komunikimi 3” është një burim i vlefshëm për zhvillimin e aftësive ndërpersonale dhe komunikimit efektiv, të cilat janë thelbësore për suksesin në çdo fushë të jetës.

“Në një kohë kur ka kaq shumë ndikime dhe stimuj nga çdo anë, ndihma në zhvillimin e këtyre aftësive është një hap shumë i rëndësishëm drejt përmirësimit të shoqërisë dhe individëve”, shtoi ajo.
Vlora, Gëzimja dhe Yllka – tri mësimdhënëse që i sollën fëmijëve këto libra për ta bërë më të kuptueshëm konceptin e sjelljes dhe komunikimit – synojnë të vazhdojnë punën e tyre me botime të reja që trajtojnë tema të ndryshme në të mirë të gjithë shoqërisë. /Telegrafi/