Protestat në Serbi: Pa lider, pa ideologji

Partitë opozitare serbe kanë tentuar t’iu bashkohen demonstratave, por protestuesit kanë refuzuar përfshirjen e tyre në demonstrata. Shumë protestues e shohin opozitën në Serbi si të kompromentuar, si “kukull” të shtetit.

“Të rinjtë nuk janë të kënaqur me hapësirën politike në Serbi”, tha antropologu Ivan Gjorgjeviq për REL-in, duke shtuar se ata “nuk e shohin veten në asnjë nga opsionet e ofruar politike”.

Protestuesit thonë se nuk duan pushtet politik, por llogaridhënie dhe drejtësi brenda një sistemi të korruptuar.

Prioriteti i tyre kryesor është publikimi i të gjithë dokumentacionit që lidhet me rindërtimin e stacionit hekurudhor të Novi Sadit. Ata, po ashtu, kërkojnë rritje prej 20 për qind të buxhetit për arsimin e lartë, rrëzimin e të gjitha akuzave ndaj studentëve protestues dhe ndjekjen penale dhe shkarkimin nga postet publike të atyre që i kanë sulmuar studentët dhe profesorët.

“Dua që të gjithë të kenë hapësirë për t’u shprehur, për aq kohë sa iu përmbahemi vlerave bazë, sikurse sundimi i ligjit, respektimit të të drejtave të njeriut dhe minoriteteve, solidaritetit dhe dhembshurisë”, tha protestuesja Emilija Millenkoviq, studente në Fakultetin e Shkencave Politike në Beograd.

Mijëra studentë dhe qytetarë tjerë kanë bllokuar për 24 orë rrugët kryesore të Beogradit. Fotografi e 27 janarit.
SHIKONI EDHE:
Dorëheqja e Vuçeviqit mund të mos i ndalë protestat
Përqendrimi në vlera nënkupton se lëvizja nuk ka lider e as ideologji zyrtare. Vendimet në tubime dhe në fakultetet universitare merren përmes “plenumeve” – mbledhjeve të hapura ku të gjithë pjesëmarrësit kanë të drejtë të barabartë për të folur dhe për të votuar për vendimet.

Kjo strukturë, thanë ekspertët, e bën më të vështirë që të sulmohet lëvizja pasi ajo nuk ka figura kryesore, të cilat mund të kritikohen apo burgosen. Ky organizim i hapur e bën lëvizjen edhe më të qasshme për njerëzit që kanë ideologji të ndryshme politike.

“Në çdo fakultet, ka shumë mendime, qëndrime, pikëpamje politike dhe ideologjike dhe unë kurrë nuk kam parë kaq shumë dallime ideologjike në asnjë bllokadë”, tha për REL-in protestuesja Millenkoviq. /xlptress.tv/

https://www.evropaelire.org/a/ne-protestat-ne-serbi-brezi-vucic-gjen-zerin-e-vet-/33295378.html