Bruna Gjoni Pervathi
Ditët i zgjoj duke mbledhur shpresa të tretura në këtë qytet të heshtur,
Copëza netësh vrapojnë mbi kuaj të bardhë duke lëshuar britma dhimbjesh…
Dhembin orët …
Dhimbja dhemb…
Dashuritë harlisen degë më degë,
Të pa rrënja.
Hesht qyteti …
Këtu dita dhe nata murosin shpirtra të vegjël në vetminë e tyre.
Ndërsa vjeshta dhe dimri dihasin pas gjurmëve të të ikurve.
Më dhemb qyteti,
Më dhembin muret shekullorë që rrënojnë pak e nga pak legjenda dashurish.
Zemërimi im i bashkohet heshtjes,
Duke parë poçat e dritës që i hane fluturat.
Parvazet pikojnë lot sot,
Vetëm shtegtarët kanë marrë ngjyrën e qiellit
Në kete qytet të heshtur ku ditet i zgjoj duke mbledhur shpresa te tretura
E mbi kuaj te bardhe vrapojne copeza netesh qe leshojne britma dhimbjesh