Situatë e pazakontë institucionale që cenon drejtpërdrejt funksionalitetin e shtetit

Eshref Sylë Zarbica

Republika e Kosovës, edhe një herë, po përballet me një situatë të pazakontë institucionale që cenon drejtpërdrejt funksionalitetin e shtetit të së drejtës. Ligjet të cilat janë miratuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës dhe kanë kaluar filtrin e kontrollit kushtetues nga Gjykata Kushtetuese – sipas nenit 80 paragrafi 1 dhe nenit 84 pika 5 të Kushtetutës – duhet t’i përcillen Presidentes së Republikës për dekretim, si hap i domosdoshëm për hyrjen e tyre në fuqi.

Megjithatë, për shkak të mungesës së Kryetarit të Kuvendit, procesi i përcjelljes së ligjeve drejt Zyrës së Presidentes është pezulluar. Kjo krijon një vakuum institucional me pasoja të drejtpërdrejta juridike: ligjet e miratuara nuk mund të hyjnë në fuqi pa dekretim dhe, rrjedhimisht, nuk mund të prodhojnë efekte juridike detyruese.

Në mungesë të hyrjes në fuqi, zbatimi i këtyre ligjeve mbetet i pamundur. Rrjedhimisht, të gjitha institucionet publike, përfshirë administratën shtetërore dhe gjyqësorin, si dhe qytetarët e Republikës së Kosovës, nuk kanë asnjë obligim juridik për t’i zbatuar apo respektuar dispozitat e këtyre ligjeve, derisa të përmbushen të gjitha procedurat kushtetuese të miratimit dhe dekretimit të tyre.

Ky situacion paraqet jo vetëm një dështim procedural, por edhe një cenim të rendit kushtetues dhe parimit të sigurisë juridike.